Presioni i ndërkombëtarëve/ A do t'i shtyjë Vjosa Osmani zgjedhjet në Veri?

Presioni i ndërkombëtarëve/ A do t'i shtyjë Vjosa Osmani zgjedhjet në Veri?

22:26, 09/12/2022

Ditët në vijim, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk do t’i ketë fare të lehta. E para e shtetit do të duhet të vendos për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 tetor në veriun e vendit. Për këtë çështje ka nisur edhe presioni ndërkombëtar.

Të hënën e 12 dhjetorit pritet të vijnë në Kosovë këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i cili do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të cilët do të diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në Veri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ishte i pari ndërkombëtar që kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve.

“Dhuna dhe intimidimi, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është asnjëherë metodë e duhur e protestës,”- u shpreh ai.

Edhe këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet kërkoi shtyrje të zgjedhjeve. Ai fluturon javën tjetër për një vizitë në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

“Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente. Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara.

Ne jemi krenarë për punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë 20 viteve të fundit për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë në Kosovë. Dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha Chollet për VoA-n.

Shtyrjen e zgjedhjeve e ka kërkuar publikisht edhe Gjermania.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shkroi se ai pajtohet me kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Pajtohem me kolegun tim nga ShBA-ja se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata e tanishme nuk është e favorshme për t’i mbajtur ato tani.”- ka shkruar Rohde në Twitter.

Ndërsa Kurti sot në Kuvend vlerësoi se veprimet e ndërmarra në veri janë pjesë e një politike shtetërore.

“Nuk janë vendim dhe veprime politike, por shtetërore, që i parasheh Kushtetuta dhe ligji, të cilën e shërbejmë ne…Jemi në shërbim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” – tha Kurti sot në Kuvend.

Kurse, pasditen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti një mbledhje urgjente. Ajo ishte e mbyllur, siç nuk ndodh zakonisht. Aty u diskutua lidhur me rekomandimin për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve që është caktuar të mbahen më 18 tetor.

Pas përfundimit të mbledhjes, zyrtarë të KQZ-së, në kushte anonimiteti i kanë thënë Sinjalit se nuk kanë pranuar rekomandime për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri të vendit.

I njëjti burim tha se në takim janë dhënë informata shtesë për organizimin e zgjedhjeve.

Po ashtu, ky burim bën të ditur se anëtarët e KQZ-së kanë kundërshtuar mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Ndryshe, është paralajmëruar që zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës të mbahen më 18 dhjetor të këtij viti, mirëpo për shkak të tensionimit të situatës atje, tani po shqyrtohet që këto zgjedhje të mbahen në një kohë më të përshtatshme.

Lista Serbe e cila është dorëhequr nga institucionet për shkak të iniciativës së Qeverisë së Kosovës që të shqiptohen gjoba për vozitësit me targa ilegale, ka bërë thirrje që të bojkotohen këto zgjedhje.

Mbrëmë persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi një veturë të Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic është plagosur.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që këto zgjedhje të shtyhen për një kohë më të përshtatshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco