Kurti: Sulmet në veri të Kosovës paguhen nga Serbia dhe dirigjohen nga Vuçiç!

Kurti: Sulmet në veri të Kosovës paguhen nga Serbia dhe dirigjohen nga Vuçiç!

08:06, 07/12/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas incidenteve që ndodhën dje në veri të Kosovës. Ai vërejti se "se do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj" dhe bëri një ndarje të qartë: "Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë."

Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale këto radhë: "Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vjen fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato.

"Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore.

Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.

"Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.

"Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë" ka theksuar Kryesministri i Kosovës.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi dje se ndërsa vazhdon procesi përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit, "nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare."

Ministri tha se "sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush" dhe paralajmëroi se "Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco