Ç'pritet t’i sjellin Kosovës, ujditë në Samitin e BE në Tiranë? - Flasin tri ekspertë

Ç'pritet t’i sjellin Kosovës, ujditë në Samitin e BE në Tiranë? - Flasin tri ekspertë

11:27, 06/12/2022 Nga A. Zh

Samiti i radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor këtë herë po zhvillohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.  Njohësit e integrimeve evropiane dhe politologët nga Kosova po e shohin këtë samit si një lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe stabilitetit të rajonit, teksa venë theksin “që të ketë sinjale për njohje nga pesë vendet e BE-së dhe së të dihet plani për epilogun përfundimtar në dialogun me Serbinë - shkruan Syri.net Kosova.

6 dhjetorit e gjeti Tiranën si nikoqire e Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku për herë të parë zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.

Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ky samit Kosova ka pritshmëri të larta, të paktën ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës  Ibrahim Gashi duke folur për Syri Kosovën thotë se “Samiti i sotëm i Tiranës është padyshim i një rëndësie të veçantë sa i takon aktualitetit dhe perspektives politike, ekonomike dhe jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Një integrim më i madh dhe me i mirë ndërballkanik duhet konsideruar si një premisë më të favorshme për integrimin e këtij rajoni në BE”, shprehet Gashi

Gashi më tutje shton se përkundër rëndësisë së këtij samiti që Kosova po trajtohet e barabartë, duhet të kërkohet njohja për Kosovën nga pesëshja problematike e BE-së që ende nuk e njeh vendin tonë.

“Për Kosovën ky samit është i rëndësishëm për faktin se ajo formalisht trajtohet si një aktor i barabartë. Por ky nuk është përfitimi i vërtetë për të. Kosova nga partneret evropianë duhet të ndihmohet që të jetë e barabartë edhe realisht në procesin e rëndësishëm të integrimit në BE, ku ajo aktualisht ka një pozicion të pabarabartë. Mendoj që Kosova në këto samite  dhe të tjera ne nivel evropian duhet të synojë njohjen nga pesë vendet jonjohëse të BE-së. Sakaq, marrëveshjet dhe ujditë që mund të dalin nga ky samit mendoj që do ëe jenë tëe interesit të përbashkët për te gjitha vendet pjesëmarrëse, rrjedhimisht edhe për Kosovën”, përfundon Ibrahim Gashi komentin e tij për Syri Kosova.

Sikurse Gashi, edhe profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dritro Arifi shprehet se nga ky samit nuk pritet ndonjë përfitim specifik, por më e pakta do jetë harmonizimi i politikave me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Arifi ndër të tjera për Syri.net Kosovën rendit edhe pikat më të rëndësishme ku Presidentja Osmani duhet të insistojë që vendi të ketë përfitime të vërteta.

“Nga këndvështrimi kosovar rëndësia e këtij samiti ka të bëjë se i jepet mundësia edhe njëherë Osmani të takohet me shumë figura të rëndësishme të BE-së, ku nga këto takime mund të kërkojë përshpejtim të çështjeve me interes të Kosovës, sikurse është liberalizimi i vizave. 

E dyta, të kërkoëj hapjen e dialogut Kosovë-BE për integrimin e vendit tonë në familjen evropiane dhe të largohet hendeku mes nesh. Përmes këtij dialogu të vijë edhe deri njohja nga pesë vendet e BE-së, kjo është shumë e rëndësishme.

 Pika e tretë është dialogu me Serbinë, të dimë se cila është strategjia e BE-së për Dialogun, cili është plani për mënyrën se si të përfundoj dialogu, pasi këto ende publiku nuk po i di. Jotransparenca edhe e BE-së, po e dëmton edhe tërësisht procesin”, përfundon profesori Dritro Arifi për Syri.net Kosova.

Po ashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula ka thënë se ky samit ka rëndësi të veçantë politike dhe duhet parë në disa dimensione.

“E para, duke përçuar porosinë se BE-ja vazhdon të mbajë në vëmendje gjitha temat që ndërlidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe e dyta, BE-ja mbështet përafrimin e gjithë rajonit me vlerat e tyre lidhur me procesin integrues, për t’a kompletuar gjeografinë politike të kontinentit evropian”, është shprehur Pula.

Sipas tij, ky samit është më i madhi i këtij formati qysh nga viti 2000 kur është organizuar një i tillë në Zagreb të Kroacisë.

Më tej, analisti ka thënë se ky samit do t’i japë një motiv politik shtesë gjitha proceseve integruese të vendeve të rajonit drejt BE-së, po ashtu, do t’i japë një shtytje edhe të ngarkuarve specialë të BE-së, për të përshpejtuar hapat e trajtimit të temave të mbetura hapur në veçanti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Kosova nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse në samit, ta dëshmojë se politikisht është e përkushtuar për rrugën integruese në strukturat euroatlantike.

“Rajoni ndodhet në një krizë të thellë politike e diplomatike për shkak të qasjes aspak fqinjësore nga ana e Serbisë karshi vendeve në rajon, dhe kjo lehtësisht mund të konkludohet duke i vlerësuar deklaratat e herë pas herëshme të Serbisë, por që rruga e integrimeve evropiane nuk duhet lënë pas dore si interes për ta kompletuar atë që quhet gjeografia politike e Evropës, përkundër që, BE-ja që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, nuk ka shprehur gatishmëri serioze për zgjerim të mëtejmë të saj, drejt Ballkanit Perëndimor”, ka vijuar ai.

Për të, Kosova, nuk duhet pritur ndonjë mrekulli nga ky samit, kur shikohen në retrospektivë, “hapat e ngadalshëm të BE-së”.

Kosova në këtë takim po përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco