Me dy armë dhe denoncime të rënda, megjithatë Halili ishte liruar me procedurë të rregullt nga prokuroria

Me dy armë dhe denoncime të rënda, megjithatë Halili ishte liruar me procedurë të rregullt nga prokuroria

08:56, 02/12/2022

Prishtinë - Më 29 korrik të vitit 2022 ishte kryer një bastisje policore në shtëpinë e Sokol Halilit. Ai dyshohet se është autori i vrasjes së gruas së tij, Hamide Magashi, në oborrin e QKUK-së.

Bastisja kishte ardhur si rezultat i deklaratës së tashmë të ndjerës Hamide Magashi, të cilën më 6 korrik të këtij viti e kishte dhënë në Polici. Magashi kishte raportuar se ishte kërcënuar me armë nga bashkëshorti i saj, njofton Kallxo.com.

Saktësisht tri javë kohë i janë dashur Prokurorisë së Kosovës që të urdhëronte bastisjen në shtëpinë e Sokol Halilit. Bastisja kishte rezultuar me gjetjen e dy armëve, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar e tjetra pistoletë me gaz.

Pushka e gjuetisë ishte gjetur në dhomën e fjetjes, në katin e dytë të shtëpisë, ndërsa në oborrin e shtëpisë ishte gjetur pistoleta me gaz dhe me karikator të zbrazët.

Këtë të fundit, i dyshuari para organeve ndjekëse kishte deklaruar se e kishte gjetur në vitin 2014 apo 2015 në Ferizaj dhe e kishte mbajtur të fshehur e pajisjet e punës.

Për pushkën e gjuetisë nuk ishte iniciuar procedurë penale pasi për këtë ishte në procedurën e riaplikimit për leje, mirëpo ajo ishte konfiskuar për çështje të sigurisë.

Edhe pse kishte raportime për kërcënim, dhe i ishin gjetur dy armë zjarri në shtëpi, Sokol Halili me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte lënë në liri.

Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë 300 euro.

Para bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, bashkëshortja e tij kishte deklaruar në hetuesi për dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte përjetuar.

Magashi kishte deklaruar se në çdo vizitë familjare kishte qenë nën shoqërimin e vjehrrës dhe vëzhgimin e bashkëshortit.

Përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë. Madje Magashi kishte raportuar se kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës së saj dhe kërcënime se do të kryente marrëdhënie seksuale me motrën e saj në praninë e saj.

Përpos dhunës dhe kërcënimeve Hamide Magashi kishte raportuar edhe se çdo pagë që sillte nga puna në komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit, duke i paguar edhe gjobat për kundërvajtje në trafik.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.

Hamide Magashi sipas të dhënave të deritanishme u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili pasi kreu krimin dhe u largua në drejtim të panjohur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco