ESPN: Që t'jua shpjegojmë pse përballja Zvicër -Serbi në këtë Botëror do të jetë një ndeshje e madhe!

ESPN: Që t'jua shpjegojmë pse përballja Zvicër -Serbi në këtë Botëror do të jetë një ndeshje e madhe!

11:24, 01/12/2022

Shtypi i huaj, ESPN, i ka bërë sot një shpjegim të plotë sportdashësve se pse përballja Zvicër – Serbi në këtë Kampionat Botëror Futbolli është e e fortë, e madhe.

ESP në gjuhën spanjolle shkruan: “Shtetet e Zvicrës dhe të Serbisë janë larg njeri –tjetrit më shumë se 600 milje (afërsisht 1000 kilometra) në qendër të Evropës, por kur dy skuadrat e futbollit të takohen në Grupin G në përpjekje për të fituar  një vend në raundin e 16-tëshes së Kupës së Botës 2022 të premten, ato gjithashtu do të rindezin një rivalitet të fuqishëm,  që vloi në Kupën e fundit të Botës në 2018.

Kur zviceranët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri shënuan në një fitore 2 me 1 në vitin 2018, ata të dy i festuan golat e tyre duke shtrënguar duart për të bërë shenjën e shqiponjës dykrenare: Gishtat e mëdhenj përfaqësojnë kokat e dy shqiponjave, ndërsa gishtat duken si krahët e saj, një reference kjo për flamurin shqiptar.

Kjo ishte një sjellje që ngjalli debate dhe opinioni u polarizuar. FIFA e gjobiti  dyshen e futbollistëve me 10,000 franga zvicerane secili (rreth 10,000 dollarë) për provokim politik, së bashku me një gjobë prej 54,000 frangash zvicerane (rreth 57,000 dollarë) ndaj Federatës Serbe për parullat dhe thirrje diskriminuese.

Kur u pyet për mënyrën e tij se si festoi e ngjalli debat, pas ndeshjes në vitin 2018, Shaqiri, i cili tani luan për skuadrën e MLS-së, Chicago Fire, u përgjigj: "Ka të bëjë me emocionin. Njerëzit mund të bëjnë interpretime të ndryshme për gëzimin tim. Nëse ky gjest mund të dëmtojë ndjeshmërinë e njerëzve që ndoqën ndeshjen... Më vjen keq”.

Edhe Xhaka u pendua duke thënë: “Më vjen keq për atë që ndodhi dhe do të isha budalla nëse do të thoja se do ta bëja përsëri. Nuk do të ndodhë më kurrë”.

Qindra shqiptarë etnikë të Kosovës, duke përfshirë një ministër të qeverisë, mblodhën mjaft para për të paguar gjobat e futbollistëve. Por Xhaka dhe Shaqiri janë vetëm disa nga lojtarët ndërkombëtarë me origjinë shqiptare kosovare, që luajnë për ekipe të tjera ndërkombëtare. Edhe belgu Adnan Januzaj i ka rrënjët atje, ashtu si edhe ish-zvicerani Valon Behrami.

Kosova ka Kombëtaren e saj të re, që shpreson të kualifikohet në turne të mëdha në të ardhmen, por tani për tani tifozët e vendit do të jenë të dhënë pas Zvicrës këtë të premte.

Granit Xhaka, majtas dhe Xherdan Shaqiri, qendër, do të jenë çelësi i shpresave të Zvicrës për të kaluar në raundin tjetër.

Për ta kuptuar më thellë këtë tension, na duhet një mësim i shkurtër historie.

Prindërit e Shaqirit dhe Xhakës janë nga Kosova tashmë e pavarur, një shtet etnikisht shqiptar (92% e popullsisë është shqiptare), i cili ishte përfshirë në luftërat jugosllave të viteve 1990, një seri konfliktesh pas të cilave ish-Jugosllavia u nda në shtete. E fundit që fitoi pavarësinë ishte Kosova, e cila kishte qenë nën kontrollin serb, me Luftën e Kosovës në vitet 1998-99 që mori jetën e 12,000 shqiptarëve të Kosovës dhe shpërnguli rreth 1.5 milionë në rajon.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës organizoi një luftë guerile kundër Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, para se NATO-ja të niste sulmet ajrore kundër asaj që ishte Jugosllavia e atëhershme, e cila përfundoi me çlirimin e Kosovës dhe tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe”, shpjegon gazetari me bazë në Kosovë, Xhemajl Rexha.

“Kosova u drejtua nga një administratë e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2008, pas së cilës shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Rreth 4% e popullsisë së Kosovës janë serbë etnikë, të cilët refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet dhe duan që të kthehemi në Serbi”.

Tre muaj pasi babai i Xhakës, Ragip, takoi gruan e tij të ardhshme, Elmazen. në vitin 1986, ai u burgos me gjashtë vjet për pjesëmarrje në protestat studentore kundër qeverisë së atëhershme jugosllave në Prishtinë.

Në një intervistë me Blick në fillim të këtij viti, Ragip tregoi për kalvarin, duke thënë se ai u torturua për gjashtë muaj, pasi kishte vuajtur tre vjet e gjysmë burgim derisa Amnesty International ndihmoi në sigurimin e lirimit të tij së bashku me robër të tjerë.

Pasi u lirua, Ragip ndjeu se nuk ishte e sigurt të qëndronte në vend dhe u nis për në Zvicër në 1990 me të shoqen Elmaze. Në vitin 1991, fëmija i parë i Xhakës, Taulanti, lindi në Basel, ndërsa Graniti  lindi 18 muaj më vonë, në vitin 1992. Të dy ishin futbollistë të talentuar: Graniti e filloi karrierën e tij në FC Basel, por përfundoi në Bundesligën gjermane me Borussia Monchengladbach, më pas me  Arsenalin e Premier League dhe zgjodhi të luante për Zvicrën. Kurse Taulanti qëndroi në ligën zvicerane me Baselin gjatë gjithë karrierës së tij në klub, duke zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar.

"Nëse ka një ekip kombëtar në Kupën e Botës që bashkon shqiptarët e Kosovës, ajo është Zvicra, dhe kjo falë Shaqirit dhe Xhakës të lindur në Kosovë." tha Rexha për ESPN.

Të dy janë shumë të lidhur me Kosovën. Këpucët e Shaqirit më së shpeshti përfshijnë flamurin e Kosovës pranë atij zviceran. Graniti vjen shpesh në Kosovë dhe ndihmon ekipet vendore të futbollit me donacione të ndryshme. Graniti shpesh poston shqip në faqen e tij në Instagram, dhe kjo vlerësohet shumë këtu, në fakt ata janë shumë krenarë edhe për trashëgiminë e tyre”.

Ndeshja do të jetë gjithashtu një lakmus për temperamentin dhe aftësitë drejtuese të Xhakës. Ka të ngjarë të ketë tallje nga tifozët serbë në tribunë, por ju mendoni se ky version i Xhakës i vitit 2022, te Arsenali përpara se të shkonte në Katar, do t’i trajtojë më mirë sesa në 2018..

Në korrik 2022, Xhaka foli për ESPN në një intervistë ekskluzive për udhëtimin e tij. Ai iu referua polemikës rreth tij në tetor 2019, kur, si kapiten i Arsenalit, ai u tha "f…. off" tifozëve pasi u zëvendësua kundër Crystal Palace.

 Xhakës iu hoq shiriti në krah dhe iu afrua largimit nga klubi në fillim të vitit 2020. Në vitin 2022, duke parë prapa, ai e sheh atë moment si “një keqkuptim të madh …Por unë luaj futboll sepse e kam shumë pasion”.

Ardhja e Mikel Artetës si trajner e bindi Xhakën të qëndronte dhe këtë sezon ai ka qenë i domosdoshëm në drejtimin e tyre drejt majës së Premierligës.

Xhaka ka qenë zëri i matur i Zvicrës në Katar; diplomatik në konferencat për shtyp dhe një prani e qetë në fushë. Para ndeshjes hapëse të Zvicrës kundër Kamerunit, Xhaka u pyet sërish për babanë e tij, por ai ia ktheu pyetjen një zëdhënësi zviceran. I pyetur më vonë nëse pret që Serbia të bëjë drejtësi, ai u përgjigj: “Ne të gjithë jemi profesionistë, çdo ekip dëshiron të fitojë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe jo për të edukuar ndokënd”.

Xhaka u pyet sërish për Serbinë pas ndeshjes me Kamerunin. “Serbia është një ekip i mirë, ka lojtarë të mrekullueshëm”, u përgjigj ai. “Ndoshta ajo ndeshje do të jetë vendimtare, ndoshta jo, do të shohim se çfarë do të ndodhë kundër Brazilit, pastaj do të kthehemi te Serbia”.

Image

Ndërkohë pas ndeshjes së Serbisë me Brazilin dolën foto nga dhoma e tyre e zhveshjes. Kishte një flamur të Serbisë me një hartë skicë të këtij shteti, që e përfshinte Kosovën e pavarur brenda kufijve të vet me moton: "Ne nuk dorëzohemi".

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, në reagimin e tij në Tëitter ka shkruar: “Imazhe të turpshme të dhomës së zhveshjes së Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale ndaj Kosovës, duke shfrytëzuar platformën e Kupës së Botës FIFA. Presim veprime konkrete nga FIFA duke pasur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare e plotë e FIFA-s dhe UEFA-s”. Që atëherë, FIFA ka hapur procedura disiplinore kundër Serbisë.

Tifozët zviceranë kanë qenë të vëmendshëm se si ka kaluar dy javët e fundit dhe në veçanti sesi Xhaka ka përballuar gjithçka. “Ai është heroi ynë, legjenda e ekipit, por ai e di që ekipi është shumë i rëndësishëm si kapiten”, tha një tifoz zviceran për ESPN të hënën para ndeshjes kundër Brazilit. Ai është pjekur shumë vitet e fundit, ata kartonët e kuq që pamë te Arsenali kanë mbaruar. Ne jemi shumë krenarë për të.

“Kur luajtëm kundër Serbisë në vitin 2018, u bë një çështje e madhe politike. Nuk mendoj se Shaqiri dhe Xhaka e kuptuan se sa e madhe ishte ajo që po bënin në atë kohë dhe nuk do ta bëjnë më të njëjtin gabim. Ata do të jenë të qetë”.

Por mbi ndeshje do të ketë sytë dhe Kosova.

Bashkia e Prishtinës do të organizojë një shfaqje të madhe dhe do të marrin pjesë mijëra njerëz”, tha Rexha. “Ndeshja do të ndiqet nga afër në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe vendlindjen e Shaqirit, Gjilanin, ku ngrihen flamujt kur ai luan”.

Por kur ndeshja të nisë në Stadiumin 974, për Xhakën dhe bashkëlojtarët e tij zviceranë, fokusi do të jetë vetëm në arritjen e fazës eliminatore.

“Mendoj se jemi të përgatitur mirë dhe kjo është e nevojshme për të mbledhur të gjitha forcat për të luajtur kundër Serbisë”, tha trajneri i Zvicrës Murat Yakin. “Ne duhet të përqendrohemi në futboll, vetëm në futboll. Për të dyja skuadrat, kjo është një lojë vendimtare dhe ne duam të fokusohemi në futboll, gjithçka tjetër nuk ka shumë rëndësi për mua”./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco