Kryeministri Albin Kurti: 28 Nëntori festë e shumëfishtë e kombit shqiptar

Kryeministri Albin Kurti: 28 Nëntori festë e shumëfishtë e kombit shqiptar

21:13, 28/11/2022

Për nder të shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sonte në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka organizuar një pritje.

Kryeministri Kurti tha se festa e 28 nëntori është festë e shumëfishtë dhe me kuptim të shumëfishtë e kombit shqiptar.

“28 Nëntori është data e ardhjes së Skënderbeut në Krujë me flamurin e kuq e shkabën e zezë dy krenare në mes, 28 Nëntori është data e Ismajl Qemajlit në Vlorë e shpalljes së pavarësisë së në prag të luftërave Ballkanike dhe 28 Nëntori është data e Adem Jasharit në Prekaz dhe e kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, pavarësi dhe bashkim”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se shqiptarët janë komb liridashës.

”Sot kujtojmë të arriturat dhe sukseset, sot kujtojmë edhe çmimin e paguar dhe sakrificën e bërë. Është e panumërt lista e personaliteteve dhe figurave historike që i lidh 28 nëntori, lista e atyre grave dhe burrave që u vetmohuan e kontribuan që ne të jetojmë të lirë. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë shumë histori që u vie prapa dhe shumë sfida që i presin përpara. Mirëpo me punë të pa ndalur e angazhim të pa epur dhe orientim të palëkundur evropian dhe euroatlantik bashkë do të fitojmë”, ka thënë Kurti

Kryeministri ka shtuar se, "ne e duam kombin tonë dhe nuk e urrejmë asnjë komb tjetër”.

Sot gjatë gjithë ditës janë shënuara aktivitete të shumta për nder të Pavarësisë së Shqipërisë edhe në Kosovë.

Ndërsa në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë në Vlorë, prezentë ishin edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco