Kosovë, aty ku dikur ishte ëndërr të studioje, sot fakultetet lypin studentë

Kosovë, aty ku dikur ishte ëndërr të studioje, sot fakultetet lypin studentë

10:23, 06/10/2022 Nga Çlirimtare Dukolli

Nëse dikur konkurrenca për një vend studimi në universitetet publike ishte shumë e madhe dhe një ëndërr thuajse e ‘pamundur’, sot në këto universitete ka hapësirë sa të duash në lista, për t’u pranuar si studentë. Kjo, sepse viteve të fundit po evidentohet një rënie drastike e numrit të studentëve në këto universitete.

Nga Çlirimtare Dukolli, Syri.net Kosova.

Trendi i rënies së interesimit të aplikantëve për të studiuar në universitetet publike, sa vjen  e shtohet, teksa arsyet sipas zyrtarëve dhe ekspertëve të arsimit variojnë që nga migrimi, cilësia e studimeve, infrastruktura e deri te profesionet jokompatibile me tregun e punës.

Megjithëse, sipas tyre, lidhur me këtë çështje duhet një hulumtim i detajuar,

Pavarësisht së gjithash, ky vit mund të konsiderohet më pozitiv krahasuar me vitin akademik paraprak në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

Sipas të dhënave, që nga ky universitet i kanë ofruar Syri.net Kosova, numri i aplikimeve në konkursin për rekrutim të studentëve të rinj në studimet bachelor, për vitin akademik 2022/23 është 9029, ka shënuar një ngritje të lehtë të numrit të të interesuarve, pasi në vitin akademik 2020/21, për pranim në studimet themelore në UP kishin aplikuar gjithsej 8,657 aplikantë.

E se në çka janë të interesuar më shumë kosovarët të studiojnë më shumë, sipas të dhënave nga rektorati edhe këtë vit prin Fakulteti i Mjekësisë, me të gjitha drejtimet e saj.

Mjekësia vazhdon të jetë një nga profesionet më të kërkuara nga të rinjtë, derisa interesim i dobët është pasqyruar në Fakultetin e Arteve si dhe Shkencave Natyrore.

Gjithsesi, nëse kthehemi në retrospektivë, në historinë e UP-së këto vitet e fundit krahasuar me vitet e kaluara, kanë një dallim tejet të madh sa i përket numrit të të interesuarve, e që faktorët të cilët po ndikojnë në këtë fenomen,i shpjegojnë më së miri ekspertët e kësaj fushe.

“Migrimi, profesionet jo-kompatibile me tregun e punës, shkaktarët kryesorë”

Rinor Qehaja, nga Instituti “Ed-Guard”, në një prononcim për Syrin thotë se Universitetet publike duhet të kthejnë vëmendjen në cilësi të arsimit, në të kundërtën rrezikojmë të mbesim pa studentë fare.

“Një vetëdijesim më i rritur i maturantëve për ofertën e institucioneve të arsimit të lartë mund të jetë shkaktar i lëvizjes në regjistrim krahasuar me vitet paraprake. Universitet publike duhet të kthejnë vëmendjen në cilësi të studimeve, në një ofertë të studimeve që për produkt ka punësimin e studentëve, në të kundërtën nuk do të jetë befasi të shohim drejtime të studimeve pa student fare”, shprehet Qehaja.

Në anën tjetër, Dibran Hoxha, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), mendon pak më ndryshe. Sipas tij, rënia e numrit të studentëve nuk lidhet domosdoshmërisht me cilësinë në UP.

Hoxha thekson se migrimi mbetet një nga problematikat më të mëdha dhe shkaktari kryesor për këtë fenomen, derisa UP-në e cilëson si një prej Universiteteve me kualitative të arsimit të lartë në vend.

“Nuk kemi bërë ndonjë hulumtim të detajuar në këtë drejtim por mendoj që indikacionet, shkaktari kryesor është migrimi se nuk ka shpjegim tjetër, nuk e besoj që lidhet domosdoshmërisht me cilësinë e Universitetit, edhe pse mundet  me me u lidh me ndonjë shpresë të munguar që edhe pas studimeve ki me gjet punë edhe me vazhdu jetën këtu, kjo  pakashumë lidhet me kushtet ekonomike-sociale sesa që dikush thotë nuk po shkoj universitet po u regjistrova në një universitet tjetë.r Potencialisht nëse ka rënie, ka rënie në të gjitha institucionet arsimore.Prapë me të gjitha të metat UP është institucioni më kualitativ i arsimit të lartë në vend sepse nuk ka tjetër, kur vjen fjala për tjera sidomos kolegjet private kemi kritika të ashpra për cilësinë që zhvillohet atje”, nënvizoi ai për Syrin.

Ndërkohë që, nënkryetari i Parlamentit Studentor, Bleron Beka, përveç migrimit, si faktor kyç e cilëson mungesën e një analize të duhur për tregun e punës.

“Në rënien e përvjetshme të aplikantëve në Universitetin e Prishtinës konsiderojmë që kanë ndikuar disa faktor, ndër ta është edhe ikja e bashkëmoshatarëve nga vendi. Poashtu kolegjet private kanë qenë edhe njëherë përcaktues duke marrë parasysh kushtet që ofrojnë por edhe kriterin e ulët për pranim në shumicën prej tyre. Perspektiva që ofron UP-ja edhe pse mbetet lider në Kosovë nuk është garantues për të ardhmen, kjo vjen nga mungesa e një studimi të mirë që përcakton kërkesën e tregut, rrjedhimisht ka dëshpërim dhe mosbesim kur studentët diplomojnë dhe nuk mund ta gjejnë veten në profesion”, pohon Beka për Syrin.

Numër më i vogël i aplikimeve edhe në Universitetet tjera publike

Në Kosovë funksionojnë shtatë universitete publike, në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, të cilët në raport me numra nuk janë hiç më mirë.

Universiteti i Mitrovicës ‘‘Isë Boletini‘‘, në një përgjigje për Syrin ka treguar se sivjet në afatin e parë janë paraqitur gjithsej 425 aplikantë, derisa në vitin paraprak ishin gjithsej 648 kandidatë.

“Në vitin akademik 2022/23, në  afatin e parë  (bachelor) kanë  aplikuar gjithsej 425 kandidatë  për t’u pranuar në  Universitetin “Isa Boletini” në  Mitrovicë . -  Në  vitin akademik 2021/22, në  afatin e parë  (bachelor), kanë  aplikuar 648 kandidatë“, thuhet në përgjigjien e këtij universiteti.

Universitetet tjera publike deri në publikimin e këtij artikulli nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Syri.net Kosova lidhur me këtë çështje./Syri.net Kosova

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco