Mision 9 mujor, SHBA dërgon rreth 300 ushtarë në Kosovë

Mision 9 mujor, SHBA dërgon rreth 300 ushtarë në Kosovë

17:40, 05/10/2022

Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës janë nisur për në Kosovë në një mision nëntë mujor që për fokus ka garantimin e sigurisë për kosovarët.

Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë së Divizionit të 38-të të Këmbësorisë, i cili përfshin afërsisht 20 ushtarë nga Indiana Veriperëndimore, u nis nga kampi Atterbury të shtunën si Task Force Nighthawk dhe fillimisht u ndal në Gjermani gjatë rrugës për në Kosovë, raporton thetimes.

Kur të arrijnë në Kosovë, ushtarët e task-forcës do të udhëheqin Komandën Rajonale – Lindje, nën autoritetin e NATO-s në mbështetje të Operacionit Joint Guardian, një mision shumëkombësh që ruan lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që nga viti 1999, transmeton Telegrafi.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta, dhe se qëllimi ynë i përbashkët për shtete të pavarura, multietnike me shoqëri që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor është realizuar”, ka thënë gjeneralmajori Dale Lyles.

Hoosiers janë rotacioni i 31-të i forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara me bazë në Kampin Bondsteel në Kosovë.

Koloneli Chris Mabis, udhëheqës i Task Force Nighthawk, tha gjatë ceremonisë së nisjes se ushtarët e Gardës Kombëtare të Indianës “përfaqësojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar”.

“Të gjithë ata që janë këtu janë ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësues të Hoosierit”, tha Mabis.

Ai gjithashtu falënderoi familjet e ushtarëve që lejuan anëtarët e tyre të përfaqësojnë Indianën dhe Shtetet e Bashkuara dhe t’u shërbejnë njerëzve në nevojë, larg shtëpive të tyre.

Kujtojmë se trupa nga Polonia, Zvicra, Letonia, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia po ashtu shërbejnë në Komandën Rajonale – Lindje në Kosovë që prej përfundimit të luftës.

Ndryshe, 635 trupa amerikane aktualisht shërbejnë në misionin paqeruajtës në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco