Kosova do aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE, Brukseli i tregon kushtet

Kosova do aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE, Brukseli i tregon kushtet

16:47, 01/10/2022

Kosova është duke synuar në vazhdimësi që të ecë drejt integrimeve euroatlantike. Megjithatë, pengesë kryesore në këtë rrugë janë raportet me Serbinë dhe pesë shtetet mosnjohëse të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Nga Brukseli konfirmojnë se rruga e integrimit varet edhe nga normalizimi i raporteve me Serbinë, derisa rikujtojnë se aplikimet duhet marrin përkrahjen unanime të Këshillit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për media me kancelarin gjerman, Oalf Scholz, të mbajtur në qershor të këtij viti kishte paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE në fund të vitit. 

Një aspiratë e tillë e Kosovës kishte marrë një përgjigje të ftohtë nga kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj në Kosovë, e cila kishte thënë se fillimisht duhen normalizuar raportet me Serbinë e pastaj integrimi, shkruan Gazeta Express. 

Se procesi i integrimit varet edhe nga normalizimi i raporteve me Serbinë e thonë edhe nga Brukseli zyrtar. 

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE vazhdon të mbështesë Kosovën që të vijë me afër BE-së duke filluar përmes implementimit të marrëveshjes BE-Kosovë për Stabilizim Asociim që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Detaje tjera për progresin do të mund të gjenden në raportin vjetor që pritet të publikohet në tetor”, ka thënë për Express zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez. 

“Për të dyjat, Kosovën dhe Serbinë, rruga drejt BE-së varet gjithashtu edhe nga normalizimi i raporteve”, ka potencuar Hernandez.

Ajo ka theksuar gjithashtu se Traktati i BE-së, më specifikisht Neni 49, e bën të qartë që aplikimet i nënshtrohen Këshillit e ku kërkohet unanimitet. 

Kjo nënkupton që vendet që s’e kanë njohur Kosovën ende si shtet e që janë pjesë e Bashkimit Evropian paraqesin një pengesë serioze për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Traktati për Bashkimin Evropian (Neni 49) është i qartë në lidhje me kriteret dhe procedurat për aplikimin për t’u bërë anëtar i BE-së, duke përfshirë faktin se aplikimet i nënshtrohen një vendimi të Këshillit me unanimitet”, ka potencuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez për Gazetën Express. 

Shtetet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës janë: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. Një lëvizje të lehtë pozicioni ka pasur Greqia, që duket të jetë shteti më së afërmi njohjes së pavarësisë së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco