Jörn Rohde: Ballkani Hapur i pranuar nga vetëm 3 shtete, kurse procesi i Berlinit nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor!

Jörn Rohde: Ballkani Hapur i pranuar nga vetëm 3 shtete, kurse procesi i Berlinit nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor!

08:26, 29/09/2022

Shembulli i pajtimit mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore, duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë. Kështu, thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën ambasadori gjerman në Kosovë Jörn Rohde. Po ashtu, i pyetur se si e sheh iniciativën “Ballkani i Hapur”, Jörn Rohde thotë: " Përgjigjen në këtë pyetje e gjeni tek Procesi i Berlinit, i cili është themeluar në vitin 2014..."

Radio Kosova: Këto ditë Gjermania shënon Ditën e Bashkimit. Çfarë do të thotë kjo ngjarje për Gjermaninë, Evropën, Ballkanin?... Çfarë simbolike përçon Dita e Bashkimit të dy Gjermanisë? 

Jörn Rohde: Po nisem nga ana personale. Për mua bashkimi gjerman, do të thoshte se unë kisha mundësi t’i takoja shumë më shpesh njerëzit e mi të afërm. Para bashkimit, vizitat ishin të lidhura me shumë procedura burokratike. Për më tepër, për të afërmit e mi, kjo datë ishte shumë e rëndësishme, sepse për ta kishte ardhur demokracia dhe liria. Pra, liria e udhëtimit ishte shumë e rëndësishme, sepse qytetarët e ish Republikës Demokratike të Gjermanisë (DDR) nuk mund të udhëtonin të lirë. Bashkimi është një ngjarje me fat në historinë e Gjermanisë, sepse ne ishim pjesë e strukturave evropiane. Kishim fqinj, që na mbështetën për këtë ditë. Gjermania kishe fqinj të rinj, që i kishte njëkohësisht edhe miq. Mendoj se rasti i Gjermanisë dhe miqësisë me fqinjët e saj, duhet të jetë një leksion i rëndësishëm edhe për vendet e Ballkanit, që fqinjët të bëhen miq, që të arrihet pajtimi, që të shikohet drejt së ardhmes, siç bën Gjermania me fqinjët e saj, Poloninë, Çekinë, siç bëri pas Luftës së Dytë Botërore me Francën. Mendoj së është shumë me rëndësi për Ballkanin perëndimor, që narrative e historisë që ka sjellë aq shumë vuajtje të mos riciklohet, por që rinia të shohë të ardhmen në Evropën e Bashkuar. Evropë nuk është e plotë për sa kohë që Ballkani perëndimor nuk bëhet pjesë e saj. Shpresojmë për këtë, dhe në këtë funksion është procesi i Berlinit, ku punohet që ju, pra Kosova dhe Ballkani perëndimor të bëhen pjesë e familjes evropiane.    

Mediet këto ditë raportuan se zoti Plötner dhe zoti Bonne, gjatë vizitës në Kosovë, kanë sjellë një plan për një kornizë të re të dialogut. Nga raportimi i medieve, thuhet se plani parashikon që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, pa e njohur atë formalisht. Zoti ambasador, mund të na thoni ju diçka më shumë rreth një plani të tillë?

Jörn Rohde: Nuk mund të them asgjë më shumë nga ajo që është thënë në demantet e Qeverisë Federale, të cilat, besoj i keni lexuar, përfshirë dhe demantet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, prandaj nuk kam se çfarë të shtoj asgjë më shumë.

Kryeministri Albin Kurti, thotë se në qendër të dialogut me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke. Si e shihni ju zhvillimin e procesit të dialogut tutje dhe si e shini fundin e këtij dialogu?

Jörn Rohde: Shpresojmë se fundi i dialogut do të sjellë me vete edhe fundin e të gjitha problemeve ekzistuese aktuale. Gjatë vizitës së Kancelarit gjerman Scholz në Kosovë, ai theksoi ato që Qeveria gjermane i ka nënvizuar gjithnjë; se të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është e paimagjinueshme që Bashkimi Evropian të pranojë dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin. Pra, është plotësisht e qartë se njohja reciproke, duhet të jetë rezultati përfundimtar i procesit të dialogut dhe kjo është e qartë për ne. Tani si do të vije deri te ky përfundim? Unë mund të them se ka shumë rrugë që na shpien në krye. 

Nga një shtatori kemi një marrëveshje që ka filluar të zbatohet mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me dokumentet e udhëtimit. Zoti Ambasador, a pritni ju që deri më 1 nëntor, zoti Kurti dhe zoti Vuçiq të gjejnë zgjidhje edhe lidhur me targat e makinave?   

Jörn Rohde: Shpresoj. Pres, është fjalë e gabuar! Shpresoj, që të dyja palët të përdorin të gjitha energjitë që kanë, për të zgjidhur problemet ekzistuese në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Të dy vendet janë pajtuar për mobilitetin e ndërsjellë. Në procesin e Berlinit, që Qeveria federale e ka përtërirë, njëri nga elementet kryesore të këtij procesi është lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shpresoj që në këtë drejtim të bëhet përparim edhe më tej. Ne e kemi bërë të qartë se çështja e dokumenteve të udhëtimit dhe lëvizjes së lirë është në harmoni me marrëveshjen e arritur në Bruksel.   

Siç e dimë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut kanë krijuar iniciativën “Ballkani i Hapur”, por Kosova refuzon të bëhet pjesë e kësaj iniciative. Ju si e shihni iniciativën “Ballkani i Hapur”?

Jörn Rohde: Përgjigjen në këtë pyetje e gjeni tek Procesi i Berlinit, i cili është themeluar në vitin 2014 dhe në mesin e pikave ka themelimin e një tregu të përbashkët rajonal,  mobilitetin, apo lëvizjen e lirë të njerëzve, të fuqisë punëtore dhe mallrave në rajon, njohjen reciproke të diplomave dhe profesioneve, me qëllim krijimin e lehtësive për këmbime tregtare, etj.

Kancelari Scholz ka ftuar për fillimin e muajit nëntor takimin e ri të Procesit të Berlinit.

Në vigjilje të samitit, do të ketë edhe një takim të ministrave të jashtëm. Vizita e zotit Sarrazin javën e kaluar ishte pikërisht në funksion të përgatitjes së këtij samiti, dhe nëse këto takime do të kenë sukses, atëherë nga pikëpamja ime, janë realizuar vetvetiu shumë nga propozimet që janë diskutuar në kuadër të iniciativës Ballkani i hapur. 

Ballkani hapur deri më tani, sipas pikëpamjes sime, është pranuar vetëm nga tri shtete, ndërsa procesi i Berlinit përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Radio Kosova: Siç e përmendet edhe ju, Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka ringjallur Procesin e Berlinit. Tani, si mund ta ndihmojë Kosovën tutje Procesi i Berlinit dhe ta mbajë stabile paqen dhe sigurinë në rajon? Kryeministri Kurti kohëve të fundit ka folur për mundësinë e një lufte të re, që do të ishte diçka e pakuptimtë?  

Jörn Rohde: Procesi i Berlinit ka për qëllim të sjellje përmirësime praktike për qytetarin. Prapa një tregu të përbashkët qëndron për mendimin tone, një ide politike, sepse kur funksionon një treg i përbashkët, atëherë kjo është një sinjal për Bashkimin Evropian, se fqinjët po kuptohen me njëri-tjetrin, pra është një shenjë e mirë për procesin e integrimit evropian. Prandaj, ne kemi investuar shumë kapital politik në këtë proces. Ministrja ime e Jashtme ishte këtu, Kancelari gjerman ishte këtu për vizitë. Kosovën po e viziton i ngarkuari për Ballkanin perëndimor. Këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelarit gjerman dhe Presidentit francez ishin këtu. Të gjithë këta janë pjesë e vizitave të personaliteteve të larta politike, që shërbejnë për t’ua bërë të qartë të gjithë aktorëve, se rajonin e shohim si pjesë të Evropës. Por, në anën tjetër, vetë vendet e Ballkanit perëndimor duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë dhe ne presim prej tyre, që të gjithë energjinë politike që kanë, ta orientojnë dhe ta përdorin për të arritur përparime, dhe këto përparime në radhë të parë, duhet t’u shërbejnë njerëzve këtu, pra duhet të bëhen për ta ashtu siç është udhëtimi i lirë dhe pa pengesa me dokumente personale. Këtu mund të flitet pastaj edhe për mesazhe të qarta drejtuar kryeministrave të vendeve gjegjëse, për të treguar një fleksibilitet maksimal në qëndrimet e tyre.         

Radio Kosova: Kosova, ende mbetet vendi i vetëm në rajon, që nuk ka liberalizim vizash. Qeveria gjermane thotë se Gjermania mbështet heqjen e vizave. Cilat janë shanset që Kosova të marrë këtë vit liberalizmin e vizave?

Jörn Rohde: Dua të theksoj atë që tashmë e kam thënë edhe javën e kaluar, t’i referohen deklaratës se shefave të qeverisë së Trekëndëshit të Vajmarit:  Francës, Polonisë dhe Gjermanisë, ku konfirmohet qëllimi i liberalizimit së shpejti të vizave për Kosovën. Këtë vjeshtë do të mbahet një takim në Bruksel. Personalisht, dua të jem i përmbajtur, e kam thënë edhe nëpër intervista të shumta, që kam dhënë për televizione, por unë do të jem ambasadori i fundit gjerman në Kosovën me regjim vizash. Besoj se liberalizimi do të ndodh shpejt, por edhe nëse vendimi merret këtë vit, kërkohet pak kohë për të filluar zbatimi i vendimit, pra dy-tre muaj. Unë besoj se nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të flasim më për këtë temë.  /Marre me shkurtime nga RTK

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco