Këto janë 3 nga disa organizatat e dyshimta serbe të ‘lidhura’ me Moskën dhe barrikadat në veri

Këto janë 3 nga disa organizatat e dyshimta serbe të ‘lidhura’ me Moskën dhe barrikadat në veri

13:42, 19/08/2022

Në Serbi ekzistojnë një sërë organizatash që e lidhin aktivitetin e tyre me Vidovdanin, pra me 28 qershorin kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389. Shumica prej tyre, përmes disa aktiviteteve, veprojnë edhe në Kosovë.

Kështu, Lëvizja “1389” (Pokret “1389) organizon çdo vit shkuarjen e serbëve në Gazimestan, Kosovë, më 28 qershor. Këtë ditë e shënon edhe Kisha Ortodokse Serbe (KPS) – e cila njihet si Vidovdan.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes “1389”, thuhet se grupi është “shoqatë ortodokse shtet-formuese humanitare kombëtare, e cila merret me ruajtjen e vlerave shpirtërore, historike, kulturore e të tjera të popullit serb dhe afirmimit të traditës, duke mos anashkaluar nevojën e zhvillimit të shtetit”.

“Ne po punojmë për ringjalljen e shtetit ortodoks, me theks në dinastinë të Nemanjiqit (themeluesit mesjetar të shtetit serb), Obrenoviqit dhe Karagjorgjeviqit (dy dinastitë që ishin në pushtet në Serbi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të) në Serbi dhe Romanovët në Rusi (familja e fundit perandorake ruse)”, thuhet në përshkrim.

Por, “1389” është një lëvizje e djathtë nga Serbia, anëtarët e së cilës flasin hapur për “mbrojtjen” e Kosovës dhe janë kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut mes dy vendeve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë parë edhe në vitin 2011 në barrikada në veri të Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Misha Vaçiq, ka qenë kandidat për president para grupit qytetar “Patrioti serb”. Nënshkrimet për kandidaturën për president i ka dorëzuar me pishtar.

Shërbimi informativ i së djathtës serbe pati njoftuar më pas se ai ka mbërritur në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, me një “xhip të blinduar me targa ruse”. Në kolonën e automjeteve me flamur serb dhe rus, disa automjete kishin shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

Përveç Lëvizjes “1389”, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar edhe disa organizata të tjera që i përshtaten përshkrimit të “organizatave ekstremiste serbe, të ekstremit të djathtë, të cilat propagandojnë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike”, siç i ka quajtur kryeministri i Kosovës.

Në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ai tha se këto organizata “njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë”.

E tashmë edhe Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco