Heshtja e Albin Kurtit për temat e nxehta

Heshtja e Albin Kurtit për temat e nxehta

13:31, 27/05/2022

Albin Kurti, sa ishte në opozitë, kishte përgjigje për çdo pyetje dhe qëndrim për secilën çështje që shqetësonte qytetarët e Kosovës. Me ardhjen në pushtet, atij po i mungojnë përgjigjet për disa çështje shumë të rëndësishme për vendin. Përveç pyetjeve të mediave dhe opozitës, Qeveria po hesht edhe ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

Kryeministrit Albin Kurti po i mungojnë qëndrimet për shumë çështje të rëndësishme për vendin. Ndryshe nga sa ishte në opozitë, kur kishte qëndrim për gjithçka, në cilësinë e kryeministrit ai ka zgjedhur heshtjen për shumë tema.

Ndonëse ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes, ai ende nuk ka dhënë një qëndrim për kërkesën e vendeve të QUINT-it për Manastirin e Deçanit dhe për ofertën e tij në dialogun me Serbinë.

Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë marrë një përgjigje nga ai as në lidhje me skandalin e ambasadorit Martin Berishaj dhe procesin e privatizimin, i cili po vazhdon edhe në qeverinë e tij.

Për këto çështje Kurti nuk ka folur as pas kthimit nga vizita në SHBA dhe në Zvicër, ku ka qëndruar për tri javë.

Njohësit e rrethanave politike në vend e kanë vlerësuar si shqetësuese mungesën e qëndrimeve të Qeverisë për çështje të rëndësishme. Sipas tyre, kryeministri dhe qeveria kanë përgjegjësi për t’u deklaruar për çdo temë.

“Qeveria duhet të këtë qëndrim për secilën çështje. Kjo është përgjegjësi politike e institucionale. Fakti që qeveria dhe kryeministri nuk deklarohen për çështjet në fjalë, reflekton një lloj përpjekjeje për të ikur nga përgjegjësia për çështjet të cilat nuk shkojnë në bazë të asaj që është menduar. Një prej tipareve të lidershipit është edhe gatishmëria për të pasur qëndrime, deklarime, e veprime, edhe për çështjet të cilat kanë kosto politike edhe për liderin edhe për qeverinë, normalisht në të mirë të vendit e qytetarëve”, ka deklaruar  politologu Avdi Smajljaj.

Ai ka vlerësuar se votuesit duhet të reflektojnë ndaj mungesës së këtyre qëndrimeve. 

“Megjithatë, mungesa e deklarimeve e qëndrimeve nga partia që tani është në pushtet, ndryshe nga pozicioni kur ishte në opozite, për çka deklarohej e kishte qëndrime, është një mundësi e mirë për edukimin e votuesve, që duhet marrë me rezerva atë që partitë e liderët thonë në opozitë, që nënkupton se të njëjtat, deklarime, qëndrime, e veprime, do t’i kenë liderët e partitë edhe kur janë në pushtet. Pra, votuesit nuk duhet bërë projeksione se si do të sillet një parti në pushtet në bazë të asaj që bën në opozitë, kur deklarimet e veprimet opozitare nuk kanë edhe kosto institucionale e ligjore, andaj edhe lehtë thuhet e bëhet në opozitë, krahasuar me të qenët në pushtet, ku secili veprim shoqërohet me konsekuenca, politike, institucionale, e ligjore”, ka thënë ai.

Aktgjykimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit ende pezull   

Ka konsumuar gati një të tretën e mandatit të tij dhe kryeministri ende nuk është përgjigjur në kërkesën e vazhdueshme të vendeve të QUINT-it për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth Manastirit të Deçanit.

Përmes një komunikate për medie, në gjashtëvjetorin e nxjerrjes së këtij vendimi, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga qeveria që ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Ata kanë treguar se ky është edhe njëri ndër parakushtet për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, është thënë në komunikatë.

Dialogu me Serbinë

Kërkesat e ndërkombëtareve ndaj Qeverisë janë permanente edhe në raport me dialogun me Serbinë. Në çdo takim zyrtarët amerikanë dhe europianë kanë  kërkuar nga Kosova që në procesin e dialogut të tregohet konstruktive dhe kreative. Në vizitën e fundit në Kosovë, Karen Donfried, asistent-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, kërkoi nga Kosova që të tregohet kreative në këtë proces.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është e paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen europiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Donfried.

Kurse, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se pala kosovare duhet ta përpilojë statutin dhe aktet tjera juridike, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit.

“Mundësitë për kreativitet janë pa fund. Pala jonë duhet të dalë me propozime konkrete për çështjet e hapura me Serbinë, por kjo nuk mund të bëhet pa një marrëveshje të brendshme në mes të forcave kryesore politike”, ka thënë Hasani 

Edhe partitë opozitare i kanë kërkuar kryeministri të tregohet i guximshëm dhe kreativ në këtë proces, duke thënë se ata kontributin e tyre në këtë proces do ta japin në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, as këto kërkesa nuk i kanë bërë përshtypje kryeministri Kurti. Ai asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri për të treguar ofertën e Kosovës për të marrë njohjen  nga Serbia. Ai vazhdimisht ka thënë se nuk do të ketë asociacion një etnik në Kosovë. Për këtë çështje, ai i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vlerësuar se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kundërkushtetuese.

Afera Martingate 

Kanë kaluar një muaj nga përfshirja e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal financiar në Slloveni, ndërsa Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim ndaj tij.

Anipse afera financiare ka bërë bujë në gjithë rajonin, Presidentja, Kryeministri, dhe Ministrja e Punëve të Jashtme kanë mbrojtur ambasadorin Berishaj, duke thënë se ai është deklaruar i pafajshëm.

Deri tani, i vetmi institucion që ka vepruar ndaj ambasadorit Berisha është Agjencioni kundër Korrupsionit.

Yll Buleshkaj, drejtor i AKK-së, ka thënë  se kanë filluar procedurat për verifikim të pasurisë së tij të fshehur.

“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit aktualisht është në përfundim të fazës së mbledhjes së informatave dhe bazuar në dëshmitë dhe informatat e siguruara, brenda afateve ligjore, AKK do të ndërmarrë veprime konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Buleshkaj.

Procesi i privatizimit nuk ndalet

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, ishte shumë kritik ndaj mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve publike e shtetërore kosovare. Privatizim i egër neoliberal ishte togfjalëshi me të cilin e përshkruante Kurti shitjen e aseteve publike te personat e ndërmarrjet private në Kosovën e pasluftës.

Madje, Kurti vazhdimisht përsëriste premtimin se do ta ‘rishikonte’ procesin e privatizimit, duke shtuar se me ardhjen në pushtet të tij, Qeveria do ta shuante Agjencinë e Kosovës për Privatizim (AKP).

Ndonëse ka kohë që e ka paralajmëruar shuarjen e AKP-së, kjo e fundit nëpërmjet një komunikate për media, ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55. Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë”, është thënë në komunikatën e AKP-së.

Edhe dy ditë pas shpalljes së kësaj vale, askush nga Qeveria nuk ka folur për procesin e privatizimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco