'Koha që Kosova e Shqipëria të çlirohen nga dominimi politik, duhet ekonomi e dijes, të ditur në poste kyçe'

'Koha që Kosova e Shqipëria të çlirohen nga dominimi politik, duhet ekonomi e dijes, të ditur në poste kyçe'

13:57, 09/12/2021

Sipas raportit të fundit të FMN-së, 1/3 e shqiptarëve në kulmin e pandemisë, vitin e kaluar, jetonte me vetëm 5,5 dollarë në ditë. Por a mjafton kjo për një individ në shekullin e XXI?! I pyetur thjesht se si mund të dalin këto vende nga varfëria, ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhaliu, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, goditi tek politika që bëjnë dy shtetet, tek njerëzit që zgjidhen në poste, tek dominimi i axhendës politike mbi atë ekonomike në një kohë kur vendet e tjera të rajonit kanë agresivitet ekonomik, kanë diplomaci ekonomike.

“Është koha që Kosova dhe Shqipëria të çlirohen  nga dominimi politik. Duhet të kemi ekonomi të dijes, që do të thotë njerëz të dijes në pozita kyçe, sepse vendosja e një personi të paditur vetëm se i përket një ngjyre apo një partie politike, është një varrosje e ardhshmërisë së Kosovës dhe Shqipërisë,” tha z. Gërxhaliu.

Po ashtu, lidhur me ekonomitë e të dy vendeve tona, Gërxhaliu ndau prerë Procesin e Berlinit nga “Open Ballkan”. Procesin e Berlinit ai e konsideroi si iniciativën më frytdhënëse në 20 vitet fundit që ka pasur edhe një buxhet disamiliardësh, ndërsa “Open Ballkan” më shumë si një pakënaqësi të 3 liderëve ballkanikë, një frust të momentit.

“Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk duhet të pritet se çfarë na thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore, - vërejti z. Gërxhaliu. - Ne jemi ata që po e përcjellim këtë realitet. Problemi më  madh në Ballkan është se kritika nuk është nënë e të mësuarit, por kuptohet si armiqësi dhe në vend që  këto rekomandime të duhet të shndërrohen në operacione të reja për të dalë nga një stad i tillë, kam drojë se ne me shumë humbim kohë për të gjetur arsye për dështimin se sa për të dalë nga dështimi.

Unë nuk e shoh këtë lajm shqetësues vetëm në aspektin ekonomik, vetëm në aspektin social, vetëm në aspektin gjeo-strategjik. Shumë më tepër e kam brengën tek aspekti psikologjik sepse këto raporte, këto të dhëna, tek të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Kosovë dhe në Shqipëri, janë motiv shtesë për ta braktisur shtetin.

Pra, mendoni, raportet më të reja nga një Institut Demokrat Amerikan sa i përket migrimit, anketa të bëra në Kosovë te të rinjtë e moshës 18 vjeç deri në 35-vjeçare, para një realitetit të tillë të hidhur të krijuar në Kosovë në Shqipëri, në Ballkan, 75% e tyre janë të gatshëm ta braktisin vendin. Prandaj, kujt i duhet Kosova dhe Shqipëria pa të rinj dhe ku është morali politik që për aspektin social dhe për kthimin e shpresës së humbur të bëjë më tepër?!

Kafe Shqeto: Në rrafshin e “Open Ballkan”, shohim se Shqipëria është vendi më i varfër dhe Serbia vendi më i pasur, e megjithatë, Kosova, Bosnja, Mali i Zi e kanë refuzuar atë ofertë joshëse dhe në parim duket gati e pamundur të ketë një bashkëpunim të barabartë me këtë diferencë. A është kjo një nga arsyet pse Kosova refuzon?

Safet Gërxhaliu: Dua të pajtohem me z.Yzeiraj që tragjedia më e madhe në Ballkanin Perëndimor është fakti se këto shtete janë shndërruar në shtete të varfra të njerëzve të pasur. Derisa do të kemi një situatë të tillë, do të jetë shumë të vështirë të kemi një qasje sociale. E them këtë bazuar edhe tek fakti tjetër. Është e vërtetë që kemi pasur pandemi dhe bota nuk është më ajo që ka qenë, është e vërtetë që botës, por edhe Ballkanit i duhet një renditje e re ekonomike, mirëpo mendo paradoksin e shpërndarjes së ndihmave apo asistencës në kohë të pandemisë. Shumë më tepër kanë fituar nga dora e shtetit ata që kanë pasur përfitime më të mëdha nga pandemia sesa shtresa e ulët apo rastet sociale. Është një paradoks që vërtet e kemi kritikuar dhe nuk pajtohem me një qasje të tillë dhe mu kjo do të thotë po e rëndon më tepër situatën në Kosovë dhe në Shqipëri.

Për sa i përket termit apo lidhur me “Open Balkan” është e vërtetë që dialogu apo partneriteti  rajonal nuk kanë alternativë; është e vërtetë që e kundërta e dialogut nuk i shkon në favor askujt, por definitivisht në çdo iniciativë rajonale apo në çdo intensë politike duhet të jemi të barabartë dhe në këtë drejtim, po flas nga pozicioni i Kosovës.

Kosova nuk është e barabartë as në rrafshin ekonomik, as në rrafshin politik, as në rrafshin integrues për sa i përket kësaj gjashtëshes apo treshes së propozuar për “Open Ballcan”. Besoj se duhet të pajtohemi, iniciativa më frytdhënëse në 20 vitet fundit ka qenë Procesi i Berlinit, një iniciativë politike që në vetvete  ka pasur mbështetje politike, strategjike, integruese por në të njëjtën kohë ka pasur edhe një buxhet disamiliardësh për të mbështetur procesin dhe për të afruar interesat në fusha të ndryshme.

Kam drojë që “Open Ballkan” është një pakënaqësi e tre liderëve të Ballkanit Perëndimor që e kanë tentuar, se kanë realizuar disa objektiva për të hapur negociatat për aderim në familjen europiane dhe ka qenë një frust i momentit.

Po a do të jetë Ballkani, a do të jetë Shengeni, alternativë integruese? Në këtë drejtim duhet të konsistojmë të jemi të barabartë. Mirëpo duhet të kuptohet, të mësojmë diçka nga tërë ky raport.  Është e vërtetë, qëndron pozicioni dominant i Serbisë, por Kosova në kohë pandemie ka pasur tri palë zgjedhje, tri qeveri, zgjedhjet lokale dhe këtë luks dhe këtë komoditet nuk e kanë dhe ekonomitë më të mëdha në Evropë, ndaj është koha në radhë të parë të kemi gjenerim të stabilitetit politik; në rend të dytë të kemi sundim të rendit dhe të ligjit; në rend të tretë të kemi vërtet llogaridhënie, qoftë në aspektin institucional, qoftë i ndarë e besoj se në këtë drejtim të gjitha këto janë për t’u dëshiruar në Kosovë e po njësoj edhe në Shqipëri.

Po kthehemi tek një pikë tjetër. Është e vërtetë se ka grante, ka donacione për të mbështetur  bizneset nga donatorët ndërkombëtarë, por pjesa dërrmuese e këtyre granteve në Kosovë shkon pothuajse gjithmonë tek të njëjtët oligarkë apo të njëjtat kompani. Nuk ka llogaridhënie. Po e them ndryshe. Pajtohemi që edhe në Kosovë, dhe në Shqipëri statistikat gjithnjë japin rezultate të sakta të të dhënave të gabuara. Neve na duhen rezultate të sakta të të dhënave të sakta.

Kafe Shqeto:  Pas 10 vjetësh, nëse do të ecet me këto ritme, do të kemi këtë lloj drejtimi, çfarë do të ndodhë me ekonomitë e vendeve tona, të Shqipërisë dhe të Kosovës?

Safet Gërxhaliu: Jam i mendimit se duhet të mësojmë nga praktikat e vendeve më të avancuara në këtë drejtim. Mendoj se dhe Kosova dhe Shqipëria, problemet e brendshme i bëjnë probleme të jashtme dhe ato të jashtmet, i bëjnë të brendshme. Në rend të dytë, stabiliteti politik vërtet nuk mund të arrihet nëse merret vetëm me politikë dhe dominon axhenda politikee. Aty ku ka dominim të axhendës politike, ka shumë pak hapësirë për ekonomi. Por duke dëgjuar dhe duke i shtruar pyetjet ju, në vetvete bëj pyetje: Ku kishte me qenë Kosova dhe Shqipëria po të mos e kishim diasporën, e cila është infuzioni esencial për mbijetesë?!

Kjo është e para. E  dyta, definitivisht duhet të kuptohet që pandemia dhe krizat janë një sfidë. Por vende të  zhvilluara këto sfida i shndërrojnë në mundësi, në “opportunity” dhe në këtë drejtim besoj se është koha që Kosova dhe Shqipëria duhet të çlirohen  nga dominimi politik, duhet të kemi ekonomi të dijes; do të thotë njerëz të dijes në pozita kyçe, sepse vendosja e një personi të paditur vetëm se i përket një ngjyre apo një partie politike është një varrosje e ardhshmërisë së Kosovës dhe Shqipërisë apo të atij institucioni për 27 vjet. Pra, nuk e kemi këtë luks dhe derisa ne prodhojmë axhendë politike, vendet e rajonit kanë agresivitet ekonomik, kanë diplomaci ekonomike, kanë diplomaci politike e ne merremi me gjera “interne” e jo “externe”./ar.sh/SYRI.NET

INTERVISTA E Z. SAFET GERXHALIU NE VIDEO:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco