'Sulm i mundshëm terrorist në Kosovë':  Ambasada e SHBA thotë se nuk ka bërë paralajmërim

'Sulm i mundshëm terrorist në Kosovë': Ambasada e SHBA thotë se nuk ka bërë paralajmërim

10:42, 30/11/2021

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nuk i ka lajmëruar punonjësit e saj për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë. Sipas kësaj ambasade, ekziston monitorim i vazhdueshëm i kërcënimeve lokale, por në këtë kohë, nuk kanë bërë paralajmërime.

Nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se janë në komunikim të vazhdueshëm me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë.

Sipas tyre, kjo bëhet me qëllim të sigurisë së punonjësve amerikane në Kosovë, por edhe të qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara monitoron kërcënimet lokale për të garantuar sigurinë e punonjësve tanë dhe qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë. Për këtë ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë dhe zbatimit të ligjit të Kosovës. Ne nuk ishim një nga misionet/ambasadat që i paralajmëruan punonjësit tanë dhe/ose qytetarët amerikanë për këtë kërcënim të veçantë dhe nuk kemi plan ta bëjmë këtë në këtë moment.”, thanë nga Ambasada Amerikane.

Më tutje, lidhur me paralajmërimet të publikuara në faqen ‘Travel.state.gov’ nga ambasada thonë se paralajmërimi qëndron aty tash e sa muaj, por ajo më 22 nëntor ka ndryshuar nga apelimi për të mos udhëtuar, në apelimin për ta rikonsideruar udhëtimin.

“Lidhur me paralajmërimin në travel.state.gov, gjuha në lidhje me aktivitetin e mundshëm terrorist në Ballkan ka qenë në faqen e internetit për shumë muaj. Kjo nuk është e re. Në fakt, të hënën e kaluar, më 22 nëntor, këshillimi i udhëtimit zbriti nga “Mos udhëto”, në “Rikonsideroni udhëtimin”. Kjo kryesisht nxitet nga të dhënat në CDC në lidhje me rrezikun e COVID-19 për amerikanët që mund të udhëtojnë në Kosovë.”, thotë Ambasada.

Ditët e fundit, në media është raportuar se misionet e huaja në Kosovë dhe ambasadat kanë njoftuar punonjësit e tyre për rrezikun e mundshëm të një sulmi terrorist në Kosovë nga “një ujk i vetmuar”, i cili është nën monitorimin e policisë së Kosovës.

A ekziston vërtetë rreziku i një sulmi terrorist në Kosovë?

Por në këto komunikime të cilat raportohet të jenë të brendshme të ambasadave, thuhet gjithashtu se cak i sulmeve mund të jenë Qendrat Tregtare dhe stafi i ambasadave këshillohet të shmangin frekuentimin e tyre deri më datë 30 nëntor.

Lajmi.net lidhur me këto raportime ka kontaktuar me policinë e Kosovës. Pa iu referuar direkt pyetjes konkrete lidhur me këto raportime, policia kanë thënë se: “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë.”

Gjithashtu, në këtë përgjigje të policisë së Kosovës thuhet se varësisht nga natyra e informacionit dhe të gjeturave, policia ndërmerr veprimet e saj operacionale në koordinim me organet e drejtësisë – me interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.”, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme por nuk ka arritur të kontakojë nëpërmjet telefonit. Gjithashtu, raportimet lidhur me këtë rast ende nuk janë konfirmuar direkt nga organet e rendit në Kosovë ose misionet e huaja – të cilave po iu referohen komunikimet që tashmë janë publikuar pjesërisht në media.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco