Qeveria pa gojë e Albin Kurtit

Qeveria pa gojë e Albin Kurtit

12:26, 26/11/2021

Krejt puna, vendimet dhe rrjedha e ngjarjeve që ndodh në Qeverinë e Kosovës, duhet të pasqyrohen te publiku përmes medieve e gazetarëve. Mirëpo, kjo gjë nuk po ndodhë me Qeverinë Kurti, pasi, kjo e fundit ka “vendosur” një ‘barrierë’ të madhe karshi medieve, duke ia pamundësuar atyre kuptimin se çka në fakt po ndodh në këtë qeveri. Madje, Kurti me ekipin e tij, po konsiderohen si udhëheqësit më jotransparent që ka pasur vendi ndonjëherë. Gjithë ky konkludim del nga ekspertët e medieve, zëdhënës, gazetarë e nga AGK-ja, mendimet e të cilëve Syri.net Kosova ua sjell më poshtë

Nga Erdonit Hoxha, SYRI NET KOSOVA

Të marrësh telefonin për t’i kontaktuar zëdhënësit e qeverisë, apo, ndonjë zëdhënës të një ministrie dhe nëse ata përgjigjen, thjesht mund të konsiderohesh njeri/gazetar me shumë fat, pasi, kjo gjë ndodh shumë rrallë.

Madje, me fat mund të jesh edhe nëse punon në një medie të caktuar, pasi, nuk mungojnë rastet kur Albin Kurti&co, zgjedhin të dalin e të prononcohen vetëm në atë medie.

E, dita e sotme, siç duket qenka e pafat, pasi, në tentim për ta thirrur zëdhënësin e  qeverisë Kurti, Përparim Kryeziun, për ta pyetur për ankesat e gazetarëve, për mostransparencën e qeverisë ndaj tyre, ai nuk u përgjigj, përkundër insistimit.

Me mospërgjigje të tilla, është mësuar edhe gazetarja e gazetës online ‘Blic’, Yllka Isufi, e cila i përcjell çdo ditë politikat qeveritare që ndodhin në vend.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Yllka tha se qeveria Kurti po ia vështirëson punën, pasi, transparencën më të sa i përket kumtimit të vendimeve apo dhënien e përgjigjeve, e ka shumë minimale.

“Unë prej disa vitesh e përcjell fushën e politikës dhe mund të them lirisht se Qeveria Kurti ka një mbyllje hermetike karshi medieve. Ka shumë raste kur mua më është dashur si gazetare të kontaktojë me Zyrën për Media të Qeverisë, në lidhje me tema të caktuara me interes të madh për publikun, të njëjtit nuk na janë përgjigjur në asnjë formë që ne ua kemi parashtruar pyetjet. Në të paktat rastet kur Zyra për Informimin e Qeverisë ka vendosur të flasë, përgjigja e tyre është e mangët dhe jo në kohë çka e bën jashtëzakonisht të vështirë komunikimin media - Qeveri dhe transparencën e kësaj të fundit karshi qytetarëve dhe opinionit publik. Qeveria Kurti para ardhjes në pushtet trumbetoi shumë fort transparencën, llogaridhënien dhe qartësi për qytetarët, çka bëri që edhe gazetarët të besonim se puna jonë do të ishte më e lehtë në vazhdim, me ardhjen në pushtet ndodhi krejt e kundërta dhe mund të them se është Qeveria më pak transparente në vitet e fundit në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Zyrën për Media te LVV-së . Edhe këtu ata kanë vendosur një "bllokadë" dhe është  e vështire për mos të thënë i pamundur komunikimi me to” tha Isufi.

E pyetur se cila qeveri deri më tani ka qenë më transparentja sipas saj, Yllka tha se ishte qeveria Haradinaj që ka pasur qasje tjetër, si me medie, ashtu edhe me qytetarët.

“Edhe qeveritë e tjera kanë lënë shumë për të dëshiruar në këtë aspekt. Qeveria Hoti nuk ka qëndruar shumë në pushtet dhe si e tillë ka pasur problematikat e veta edhe me vonesat në emërimin e zyrtarëve për informim, prandaj mund të them se Qeveria Haradinaj ka bërë një punë më të mirë sa i përket informimit publik. Edhe vete ish-kryeministri Haradinaj qasjen me mediet dhe qytetarët e ka pasur të një forme tjetër dhe renditet më lartë se Qeveria Hoti dhe Kurti. Por, ajo që mund të them është se duhet të bëhet më shumë në këtë aspekt, pasi, e drejta për informim e qytetarëve është një ndër themelet e demokracisë dhe si e tillë nuk duhet të shkelet” përfundoi gazetarja.

Me ankesa për mostransparencë të qeverisë Kurti është mbushur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Përfaqësuesi i këtij asociacioni, Naim Sadiku, në një prononcim për Syri Kosova, ndër tjera tha se krejt çka mund të bëj AGK-ja, është referimi i ankesave të gazetarëve në qeveri, në mënyrë që ata të reflektojnë dhe të bëhen më transparent.

“Është e vërtetë, ka javë dhe muaj që AGK po përballet me ankesa të gazetarëve të të gjitha medieve, të cilët po kanë vështirësi të marrin informacione nga qeveria Kurti, për shkak të mostransparencës së kësaj të fundit. Qeveria Kurti nuk po kthen përgjigje në pyetjet e gazetarëve edhe për çështje ditore, lë më t’iu jap qasje në dokumentet zyrtare. Ne si asociacion, krejt çka mundemi të bëjmë është se i kemi referuar te qeveria ankesat e gazetarëve dhe presim që Kurti me kabinetin e tij të reflektojë dhe të jenë më transparente, pasi, është e rregulluar edhe me ligj që gazetarët të pajisen me përgjigje në pyetjet që dërgojnë dhe të kenë qasje në dokumentet zyrtare, pasi, çdo informim është në të mirë të qytetarëve” ka thënë Sadiku.

Se qeveria e ka obligative të jetë transparente ndaj medieve e ka thënë edhe profesori universitar i Departamentit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri. Në një prononcim për Syri.net Kosova, profesori ndër tjera tha se mostransparenca është shëndrruar në një kulturë institucionale, por, tashmë janë vet institucionet që duhet heqin dorë nga kjo shprehi.

“Transparenca është vlera më e çmuar e demokracive, që ndihmon në rritjen e vlerave të saj, por, edhe në përgjegjësinë publike të institucioneve të vendit. Në këtë kontekst, edhe Qeveria e Kosovës si njëri nga institucionet qendrore duhet ta respektoj dhe të jetë promotori kryesor i promovimit të transparencës. Transparenca dhe llogaridhënia është obligative ndaj qytetareve të vendit, që në mënyrë demokratike i kanë dhënë pushtetin ekzekutivit, andaj është obligim një gjë e tillë. Ndërkaq, sa i përket mediave secila qeveri duhet të jetë e hapur në çdo moment që t’i ndihmoj mediet në realizmin e objektivave që kanë. Mos transparenca nënkupton, humbje të besimit dhe deformim të komunikimit me publikun. Kjo mos transparencë është shndërruar në një kulturë institucionale për ta mbyllur komunikimin me mediet në njërën anë dhe për t’i përdorur rrjetet sociale dhe për të dërguar gjithë komunikimin e tyre promocional në anën tjetër. Kjo shprehi duhet të largohet nga ana e institucioneve dhe t’i aktivizojnë zyrat për marrëdhënie me publikun që t’i përmbushin obligimet e tyre në raport me kërkesat e mediave dhe të jenë promotor të zhvillimit të transparencës dhe llogaridhënies.  Është e pranueshme që mediet të presin me javë të tëra nga ndonjë dikaster qeverisës për një përgjigje të adresuar për ndonjë temë dhe është cenim i përmbushjes së raportimit profesional” tha Jahiri

Mostransparencen e qeverisë Kurti e ka komentuar edhe Natyra Kuçi, zëdhënëse për medie e Partisë Socialdemokrate- PSD. Në një prononcim për Syri.net Kosova, ajo tha se qeveria aktuale është e bunkerizuar, pasi, i frikësohet të vërtetës, duke u shëndrruar kështu në qeveri populliste.

“Qeveria aktuale është qeveria më e mbyllur që ka pasur Kosova deri tash. Bunkerizimi nuk është sjellje demokratike as zgjidhje për problemet. Bunker-Qeveri janë qeveritë që i frikësohen të vërtetës. Qeveritë që nuk i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve por zgjedhin të adresohen rrallë dhe njëanshëm përmes videove ose postimeve, janë qeveri populliste. Qeveritë që duan ta heqin ndërmjetësimin në komunikim me publikun iu pengon edhe ndarja e pushteteve. Të dyja këto tendenca tashmë po i shohim me Qeverinë aktuale. Prandaj themi se prirjet autoritare të kësaj qeverie nuk janë më hipotezë” tha Kuçi.

Ndonëse përball shumë sfidave në profesionin e tyre, gazetarët kanë qenë dhe do jenë përherë bartës të informatave të publiku, duke ua lehtësuar kështu jetën qytetarëve, të cilët do dinë si të veprojnë, karshi vendimeve që merren për ta, nga ana e pushtetit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco