Psikologët analizojnë skenarët e errët të ‘Big Brother', si përdoret çdo qelizë njeriu për përfitime të produksionit

Psikologët analizojnë skenarët e errët të ‘Big Brother', si përdoret çdo qelizë njeriu për përfitime të produksionit

08:51, 26/11/2021

Skenat që mund të ndodhin në realityshout e ndryshme, kudo në botë, por, edhe në televizionet shqiptare, siç duket janë shumë të dashura për publikun për t’u parë, pasi, po këto skena komentohen gjatë. Mirëpo, stresi që përjetojnë personazhet që i krijojnë apo janë pjesë e këtyre skenave, shpesh di të mos jetë i menaxhuar nga ana tyre. Duke qenë se realityshout krijojnë kaq shumë shikueshmëri, a janë produksionet ato që ‘luajnë’ me psikologjinë e personazheve, për përfitime të veta materiale? Syri.net Kosova sjell më poshtë këtë përgjigje dhe versionin e psikologes se si ndikon te një person jetesa në izolim dhe në monitorim nga kamerat

Nga Erdonit Hoxha, SYRI NET KOSOVA

Ngjarja e të martës mbrëma në Big Brother VIP Albania, ku LIVE u transmetua një skenë alivanosje e këngëtares Fifi, që siç u tha, erdhi si pasojë e një stresi psikik që ajo përjetoi, u komentua shumë nga gjithë publiku.

Mirëpo, jo vetëm Fifi deri më tani ka dal në ekran si person që herë pas here ka kriza nervore. Gjëra të tilla u ndodhin edhe disa banorëve tjerë të këtij realityshou, siç është Semi Jaupaj, ajo e cila ka treguar se vuan nga ankthi e problemet tjera psikike.

Duke qenë se Big Brother VIP Albania është një nga realityshout më të ndjekura dhe duke qenë se jemi dëshmitarë se kemi parë që banorët e kësaj shtëpie po shfaqin probleme të këtij lloji dhe ky realityshou vazhdon akoma, a nënkupton kjo që ‘Vëllai i madh’, por, edhe televizioni që e transmeton atë, po e përdorin shëndetin mendor të këtyre banorëve, për përfitime të tyre, duke ditur se produksioni realizues fiton një ‘mal’ më para, nga reklamat e shikushmëria në rrjetet sociale? - Kjo pyetje i është drejtuar Basri Shalës, ish-opinionist në Big Brother Albania.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Shala tha se abuzimi me persona që kanë të meta psikike apo fizike, dënohet me ligj dhe se shumë prej personazheve publike nuk do duheshin të dilnin në TV.

“Përgjithësisht mendoj që abuzimi me të meta të tjetrit përveç që është joprofesionale, sanksionohet edhe me ligje. Fatkeqësisht në shumicën e TV sot shumë personazhe që shfaqen NUK do të duhej të dilnin në ekran për këto arsye që i thash. E për rastin konkret, aty është një lojë ku banoret për të arritur dy qëllime futen aty. E para, për famë dhe e dyta për çmimin e parë. Te dyja, janë legale e legjitime. Aktrimi i tyre me tmerron” tha Shala.

Se personat që jetojnë të izoluar mund të kenë probleme të vërteta psikike, e thotë edhe psikologja Violeta Zefi. Në një prononcim për Syri.net Kosova, Zefi tha kalimi nga jeta normale në jetë të monitoruar, mund të ketë ndikime negative.

“Vëzhgimi apo monitorimi nga kamerat 24/7 si dhe vetë procesi i mbylljes brenda një shtëpie si ajo e “Big Brother” mund të ndikoj që një individ të mos arrij të mbaj një stabilitet të mirë emocional. Por kjo natyrisht ndikimi nuk është e njëjtë për të gjithë individët. Dikush mund të jetë me i predispozuar për t’u prekur nga një destabilizim emocional, duke qenë se edhe mund të jetë duke u përballur me ndonjë problem që cenon shëndetin e tyre mendor të tilla si ankthi apo depresioni, apo veç sa e ka tejkaluar me herët ndonjë gjendje të tillë.

Shkëputja nga rutina e përditshme, e kalimi në një “jetë” të izoluar mund të ketë ndikim negativ në mirëqenien psikologjike të individëve, sidomos kur ata nuk gëzojnë stabilitetin e mjaftueshëm emocional dhe kur nuk janë të aftë të ruajnë shëndetin e tyre mendor. Pastaj, disa individë kanë disa tipare të personalitetit që mund të përkeqësohen gjatë periudhave të presionit dhe stresit. Por, nëse individët e izoluar kanë mekanizma të mirë përballues, ata mund të menaxhojnë më mirë në secilën rrethane të krijuar brenda shtëpisë se “Big Brother” tha ajo.

E pyetur se sa gjatë mund të aktrohet kur je brenda një ambienti të tillë, Zefi theksoi se kjo gjë nuk mund të ndodh për kohë të gjatë, pasi banorët shpesh përballen me situata të ndryshme e të paparashikuara.

“Nuk është e lehtë të mbetesh “vetja” kur je i rrethuar me njerëz të “panjohur” dhe kur je i detyruar të përfillesh me përpikëri disa rregulla të bashkëjetesës. Përkundër se njerëzit janë qenie sociale dhe bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mund të jenë të natyrshme për shumicën e njerëzve, për një pjesë prej tyre kjo mund të jetë diçka jo e lehtë.

Për këta të fundit, të izoluar për një kohë të gjatë reagimet mund të jenë jo të kontrolluara dhe si pasoje të sjellin situate jo të favorshme për ta, duke cenuar kështu mirëqenien e tyre psikologjike. Gjithashtu, është shumë e vështirë që të aktrohet gjatë gjithë kohës, sepse, brenda një ambienti të tillë ka shumë situata të paparashikueshme dhe pikërisht këto situata imponojnë sjellje dhe reagime të ndryshme. Jo të gjithë mund të jenë të përgatitur t’i përballojnë këto reagime” tha ajo.

Po ashtu, Violeta tha se bazuar nga historitë e banoreve në “Big Brother” është se askush nuk mund të jetë “imun” ndaj problemeve të shëndetit mendor, pavarësisht statusit social apo ekonomik.

“Formatet e tilla televizive mund të kenë ndikim negativ sidomos të disa grup-mosha, sa i përket shëndetit mendor. P.sh., adoleshentët mund të jenë me të ndikuar në këtë drejtim. Nëse ata janë duke kaluar në një problem me shëndetin mendor, skena apo ngjarje të tilla siç janë parë këto ditë në “Big Brother” mund t’i shqetësojnë ata që vuajnë po nga të tilla shqetësime, duke ua rikthyer atyre në kujtesë ngjarjet që mund të kenë përjetuar vetë ata. Ajo çka mund të kemi kuptuar nga historitë e banoreve në “Big Brother” është se askush nuk mund të jetë “imun” ndaj problemeve të shëndetit mendor, pavarësisht statusit social apo ekonomik” shtoi psikologja.

Në fund, ajo tha se është mirë të flitet për shëndetin mendor dhe se duhet kërkuar ndihmë psikologjike, sa herë që njeriu ka nevojë për këtë gjë.

“Të folurit për shëndetin mendor mund të ndikojë që të “zbuten” paragjykimet dhe stigma ndaj problemeve të shëndetit mendor dhe si rrjedhoje personat në nevojë do ta kenë me të lehte për të kërkuar ndihme profesionale. E rëndësishme është që të kërkohet ndihmë profesionale adekuate si dhe të profesionistet e duhur, e jo të persona që nuk janë kompetent, disa prej të cilave janë dëgjuar duke u komentuar edhe në këtë format televiziv” përfundoi ajo.

Duke qenë se u përball me gjithë këtë presion psikologjik, Fifi, banorja e Big Brother, ka lënë shtëpinë e famshme, pasi, nuk mundi të durojë më shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco