Bilanc pandemie në Kosovë nga Arsimi: Mësimi online dështoi, vaksinimi as 50%

Bilanc pandemie në Kosovë nga Arsimi: Mësimi online dështoi, vaksinimi as 50%

13:47, 24/11/2021

Prishtinë - Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën shkencore ndërkombetare “Shoqëria pas pandemisë Covid-19-Sfidat dhe zgjidhjet”, e organizuar nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës.

Ministrja Nagavci pasi ka përshëndetur punën e kësaj konference, duke i përgëzuar organizatorët për të gjitha përgatitjet që kanë bërë, theksoi se, pandemia Covid-19 nuk ka kursyer as Republikën e Kosovës, ku në vitin 2020 ekonomia e Kosovës është tkurrur për 5.3 përqind, gjë që ka shkaktuar pasoja afatgjata, pasi ka shkaktuar mbyllje të bizneseve dhe rritje të borxhit public, shkruan Syri.net Kosova.

Duke folur për ndikimin e pandemisë në fushën e arsimit, ministrja Nagavci tha se, reagimi i institucioneve tona ka qenë mjaft i shpejtë, duke ofruar mundësi për zëvendësimin e mësimit me prezencë fizike, me mësimin në distancë për të gjitha nivelet.

Ministrja foli edhe për përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, për normalizimin e gjendjes në institucionet arsimore, duke qenë se, të gjitha analizat tregojnë se mësimi në distancë nuk është zëvendësim adekuat për mësimin me prezencë fizike.

Ministrja Nagavci theksoi edhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e vaksinave për qytetarët e vendit, ku falë këtij angazhimi, deri tani janë vaksinuar rreth 48 përqind e popullsisë, që është një shkallë e lakmueshme për standardet e Evropës Juglindore.

Ndër të tjera, Ministrja tha se sfida të tjera si pasojë e pandemisë janë edhe gjetja e një balansi në mes të ruajtjes së jetërave të njerëzve dhe mirëqenies së tyre, përkrahja e bizneseve dhe qytetarëve për t’i përballuar pasojat e pandemisë, organizmi i procesit mësimor në kushte të një vale të re të infeksionit dhe kompensimi i humbjeve mësimore që janë pasojë e çrregullimeve gjatë pandemisë.

Ministrja Nagavci po ashtu theksoi se, si Qeveri e Republikës së Kosovës mirëpresim rekomandimet nga profesionistët dhe hulumtuesit për veprimet që çojnë drejt sanimit të gjendjes.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli falënderoi ministren për mbështetjen e ofruar, ndërsa u zotua se Universiteti i Prishtinës me gjithë ekspertizën që ka është në dispozicion të bashkëpunimit me Qeverinë dhe shoqërinë në përgjithësi për ofrimin e rekomandimeve të cilat do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për të përmirësuar humbjet e shkaktuara nga pandemia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco