Premtimi ‘6+6' për prindërit e rinj që e harroi Albin Kurti, por jo qytetarët!

Premtimi ‘6+6' për prindërit e rinj që e harroi Albin Kurti, por jo qytetarët!

13:22, 24/11/2021
Një premtim i dhënë nga Albin Kurti e Vetëvendosja i gëzoi jashtë mase qytetarët e Kosovës. Ai tha se për prindërit e rinj do të ketë pushim të barabartë. 6 muaj nëna dhe 6 babai. Megjithatë, qëndrimi i prindit mashkull po del të jetë një premtim veç për fushatë. Realizimi, askund
 
 
"Pushimi i lehonisë do të zgjatet në 12 muaj, nga nëntë sa është tash, ndërkohë që të drejtë pushimi do të kenë të dy prindërit". Ky ishte njëri nga premtimet e bëra nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, në rast se ai do vinte në pushtet. Kur kanë kaluar më shumë se nëntë muaj nga dita kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, nuk u tha as edhe një fjalë për këtë premtim.

Me ligjin aktual, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Premtimi ‘6+6 pushim’ u mirëprit nga baballarët dhe nënat, por, tani qytetarët kanë zbehur pritshmëritë. Gramos S. qytetar nga Fushë Kosova, baba i një fëmije, punonjës në sektorin privat, për Syri.net Kosova deklaron se ishte i bindur se një gjë e tillë do ndodhte shumë shpejt.

'Kur e ndëgjuam si premtim, bashkë me gruan ishim të bindur se ndryshimi do ndodhte. Në planifikimin familjar për ta rritur numrin e anëtarëve të familjes ishim të lumtur që shteti do na dilte në krahë dhe barra nuk do të bartej krejt tek gruaja ime. Tash po presim po çdo ditë besimi po bie se do ndodh diçka e tillë'

Në anën tjeter, Albulenë S. punonjëse në sektorin privat, deklaron për Syri.net Kosova se një vendim i tillë do ishte i mirëseardhur. 'Për mua si nënë do ishte i mirëseardhur, ngase një pjesë e obligimeve do më hiqej, poashtu burri do kishte kohen e mjaftueshme qe te socializohej me femijun e tij' deklaron ajo.

Syri.net Kosova, ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave dhe Transfereve për të marrë informacione se deri ku ka arritur ky premtim.

Zëdhëndësi nga kjo ministri, Muharrem Shahini për Syri.net Kosova, deklaron se MFPT në vazhdimësi është duke punuar drejt realizimit të të gjitha projekteve e politikave në kuadër të Programit Qeverisës që bien në fushëveprimtarinë e kësaj Ministrie

“Sa i përket politikave të reja, ku njëra ndër to është edhe pushimi prindëror, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është duke punuar në adresimin e kësaj çështje përmes legjislacionit të nevojshëm. Vlen të theksohet se të gjitha politikat e reja do të realizohen në rrjedhë me hapësirat fiskale, si dhe do të realizohen përbrenda mandatit qeverisës.Për të gjitha zhvillimet në këtë aspekt, MFPT do ta mbajë publikun të informuar me kohë” deklaron Shahini.

Sociologu Labinot Kunushevci, për Syri.net Kosova tregon se sa e rëndësishme do të ishte realizimi i këtij premtimi. Sipas tij, idetë e tila duhet të planifikohen në formë strategjike dhe jo vetëm elektorale.

'Çdo vendim që do të ndihmonte funksionimin e barabartë të familjes, me r”ole të ndara por edhe me përgjegjësi të përbashkëta. Idetë e tilla nuk janë të realizueshme nëse ato nuk planifikohen në formë strategjike, jo vetëm elektorale. Duhet të rimendohen skema dhe strategji të ndryshme sociale që zhvillojnë funksionet edukative të familjes, jo vetëm atë konsumues dhe riprodhues” thotë ai.

Më tej, ai deklaron se prindërit nuk janë mjaftueshëm të përgatitur, sepse, barra më e madhe bie mbi nënat në përkujdesjen fizike dhe emocionale të fëmijëve.  “Një emancipim shoqëror, përmes fushatave vetëdijesuese, do të ishte i domoadoshëm para implementimit në praktikë të premtimit në fjalë” deklaron Kunushevci për Syri.net Kosova.

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Zana Avdiu, për Syri.net Kosova, deklaron se pushimi i ndarë vetëm për gra dhe shtesat për fëmijë, për momentin mund të jenë në favor të grave që lindin, por, në plane afatgjata është shumë e dëmshme.

Sipas saj, shtesat nxisin lindjet e shumta të fëmijëve, gjë që dihet se dëmton gratë, si nga ana psikologjike ashtu dhe i përjashton nga tregu i punës. 'Vetëvendosje ashtu siç ka paralajmëruar gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale është përqendruar tek votuesi i saj. Dhe votuesit kryesorë të Vetëvendosjes janë gratë. Në disa gjëra është për tu përshendetur, si rasti i propozimit 50% për bord të RTK-së, edhe zgjatja e pushimit të lehonisë por pushimi i ndare vetëm për gra dhe shtesat për fëmijë, për momentin mund të jenë në favor të grave që lindin por në plane afatgjata është shumë e dëmshme.

Shtesat nxisin lindjet e shumta të fëmijëve, gjë që dihet se dëmton gratë, si nga ana psikologjike ashtu i përjashton nga tregu i punës. E njejta është me pushim të gjatë të lehonisë vetëm për gra. Kështu do ta bëj edhe më të vështire punësimin e grave. Kush do të pranoje gra në punë, nëse duhet t'i paguajë për 9 muaj pa punuar? Kur gratë i largon nga tregu i punës dhe sfera publike atëherë ke bërë një hap të madh kundër barazisë gjinore.'

Ndryshe, Ligji i Punës ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2010. Sipas ligjit aktual, babai i fëmijës ka të drejtë dy ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës, kurse, dy javë pushim pa pagesë pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të tij.

Kujtojmë se, qeveritë e kaluara inicuan ndryshimin e ligjit të punës, duke tentuar të bëjnë ndryshime edhe tek çështja e pushimit të lehonisë, mirëpo, këto ndryshime deri tani nuk ndodhën asnjëherë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco