'Magjup, shka, peder, ku*vë! - Pse kaq urrejtje dhe diskriminim, në shtetin me vetëm 2 milionë banorë?!

'Magjup, shka, peder, ku*vë! - Pse kaq urrejtje dhe diskriminim, në shtetin me vetëm 2 milionë banorë?!

12:07, 24/11/2021

Diskriminimi në Kosovë nuk ndodh vetëm për shkak të racës apo ngjyrës. Në vendin tonë, shqiptarët diskriminohen e fyhen mes vete, duke u bazuar në bazë të zonave nga vijnë. Deri më tani, përmes kronikave të ndryshme televizive, kemi parë e kuptuar se si për shembull gjakovarët që jetojnë në qytet nuk i duan ata që jetojnë në fshat, apo, qytetarët e Podujevës, nuk i duan drenicasit dhe anasjelltas. Pa dyshim, që çdo ofendim që merret me gjuhë fyese e denigruese, le një shenjë në aspektin sociologjik te viktimat. Prandaj, Syri.net Kosova sjell më poshtë mendime e konkludime rreth diskriminimit dhe jepen ide se si duhet zvogëlohet ky fenomen

Nga Erdonit Hoxha, SYRI NET KOSOVA.

“Çka është ky laps me gomë?” ka qenë një nga komentet që është bërë dikur në Gjakovë, në rast se një qytetar i këtij qyteti e ka parë në rrugë një person nga fshati, që ka bartur plisin në kokë. Akoma më e rëndë ka qenë edhe reagimi i ndonjë gjakovareje, kur i është propozuar për bashkëshort ndonjë burrë nga fshati, pasi, përgjigja ka qenë “kuku, a merret për burrë katunari”.

Jo vetëm në Gjakovë, por, këso komente, ofendime e ironizime kemi dëgjuar në shumë qytete kosovare, drejtuar zonave tjera të caktuara.

Ndonëse kanë kaluar në përditshmëri, ofendimet e tilla, qofshin mes shqiptarëve, apo të shqiptarëve për etnitë tjera dhe anasjelltas, lënë një pasojë të madhe në anën emocionale të viktimave që bullizohen.

Kështu të paktën për Syri.net Kosova ka thënë sociologu Ramadan Beshiri. Ai theksoi se  jetuarit në një shoqërie ku ofendohesh për shkak të ngjyrës së lëkurës, ofendohesh për origjinën e vendlindjes suaj, apo edhe pamjes së jashtme, është një indikator se në atë shoqëri nuk funksionon demokracia dhe ndjenja kolektive e respektit të ndërsjellët.

“Një individ i cili ofendohet në aspekt racor, diskriminohet për dallimet e tij me pjesën tjetër, do të këtë shanse të mëdha të gjendet para një gjendje të rënduar emocionale. Shembuj të tillë kemi në futbollin Ndërkombëtar, pikërisht kjo është identifikuar tek Mario Balotelli një futbollist i naturalizuar në Italian, i cili ofendohej nga tifozët e ekipeve kundërshtare. Gjendja e tij emocionale shkonte aq larg sa lironte fushën në mënyrë demostrative dhe qante në bankën e rezervistit.

Është e ulët të ofendosh identitetin e tjetrit, vetëm sepse është me ngjyrë apo ka dallime etnik me tjetrin. Integriteti i tij në shoqëri dhe performanca e tij minimizohet, inferioriteti dhe ofendimi që ai ndjen e dërgon edhe në sjellje devijante. Ne kemi nevojë për një botë ku dallimet janë normale, dhe vlera. Bota ka nevojë për unitet, dhe tolerancë. Mbetem përkrahës i grupeve të shkencëtarëve që synojmë t’i hedhin poshtë teoritë raciste” tha Beshiri. Po ashtu, sociologu shtoi se kategorizimi i njerëzve mbi bazën e racës, si superior e inferiore është një gjest mesjetar, që duhet luftuar të gjithë së bashku. Pabarazia shoqërore mes njerëzve manifestohet shumë shpesh me sjellje devijante!

Ofendimet ndëretnike i ka komentuar edhe aktivistja Arta Avdiu, e cila është shumë kritikuese ndaj këtij fenomeni. Në një prononcim për Syri.net Kosova, Avdiu tha se duke e parë gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare, për të nuk përbën lajm më fakti se disa personave të komunitetit RAE, u shkelen të drejtat jetësore.

“Termet me të shpeshta që përdorim për ta ofenduar dikë janë kryesisht "magjup", "shka", "peder", kurvë", "i sëmurë psikik apo i çmendur" etj. Pra, ne me gjuhen tonë çdo ditë stigmatizojmë kategori të ndryshme. E gjuha është mjeti i parë i diskriminimit, pastaj vijnë format tjera.

Holokausti nuk ka nisur me kampet e përqendrimit por me gjuhën stigmatizuese. Pastaj gjuha denigruese ndaj minoriteteve, grave, personave me nevoja të veçanta, tregon pozitën e tyre në shoqëri. Është pasqyra me e saktë se si trajtohen, thënë më mirë, si abuzohen e diskriminohen.

Romët, ashkalinjët dhe egjiptasit janë grupet më të paragjykuara dhe diskriminuara në Kosovë. Janë sistematikisht të diskriminuar. Janë më keq të trajtuar se sa njerëzit me ngjyrë para një shekulli. Po e marr shembull rastin e fundit, i të riut ashkali, që nuk është shërbyer në një kafene në Gjakovë. Kjo për mua nuk përben lajm, lajm do të ishte po të shërbeheshin qytetarët e këtyre tri etnive. Janë të diskriminuar në arsimim, punësim.

Tjetra që dua të përmend, është që fundjava e kaluar nuk shquhet vetëm për diskriminimin dhe dhunën ndaj komunitetit RAE, por edhe gjuha urrejtëse ndaj një gruaje shqiptare që u vra në Austri, nga burri i saj, që mendohej se ishte me etni serbe.

Në vend të solidarizimit me viktimën, shpërtheu urrejtja dhe paragjykimet ndaj grave dhe serbeve. Tjetër, që e dëshmon se sa shoqëri diskriminuese jemi është se shqiptarët e Kosovës ndihen keq dhe çdo ditë ankohen për disa të drejta që minoritetet i kanë fituar nga Pako e Ahtisarit.

Përpos ofendimeve e gjuhës së urrejtjes ndër-racore, Avdiu ka përmendur që shqiptarët edhe mes vete diskriminohen e ofendohen, varësisht duke i karakterizuar në bazë të zonave nga vijnë.

“Sa më e varfër dhe e pazhvilluar një shoqëri, aq më paragjykuese është. Tani, paragjykimet nuk kufizohen vetëm me etnitë, fetë apo racat tjera, mjafton që dikush të trajtohet si tjetri dhe ndaj tij/saj të këtë paragjykime dhe mosdurim. Për këtë ka paragjykime dhe gjuhë stigmatizuese për qytetarët e disa zonave. P.sh kryesisht ndaj drenicasëve dhe llapjanëve” theksoi ajo.

E, për t’i ikur këtij fenomeni, Arta tha se mjeti i vetëm në këtë rast është edukimi i duhur. “Nëse diskriminimi vjen si pasojë e paragjykimit, dmth që e vetmja mënyrë për t'i eliminuar diskriminimin dhe paragjykimin është edukimi. Vetëm nëse e kuptojmë se jemi duke i paragjykuar, se jemi duke ua shkelë të drejtat atëherë do të ndryshojmë” përfundoi Avdiu.

Për diskriminimet që bëhen në shoqëri, shpeshherë ka reaguar edhe Saranda Hoda, asambliste në Komunën e Gjakovës. Ajo gjatë fushatës ka vizituar komunitetin RAE në këtë qytetet dhe në një prononcim për Syri.net Kosova, Saranda tha se romët, ashaklinjët e egjiptianët nuk duhet kujtuar se ekzistojnë vetëm në kohë zgjedhjesh, por, duhet të jemi pranë tyre sa herë që ata kanë nevojë.

“Jam munduar gjithmonë me postimet e mija që të përcjell një mesazh te cilido prej nesh. Sepse, më ka ardhur keq që vetëm në kohë të zgjedhjeve ne kujtohemi për këtë komunitet. Problemi qëndron te shoqëria jonë, sepse, kemi akoma njerëz që shprehen: mos u bo si magjup, e shumë shprehje ë tjera . Unë mendoj që është bërë një kohë e gjatë që këta njerëz nuk  marrin respektin dhe dashurinë e merituar. Shpresoj dhe besoj në gjeneratat e reja të vetëdijesohen e t'mos jenë prezente diskriminime të tilla” tha Hoda.

Image

Nga ana tjetër, dje, Syri.net Kosova ka bërë një artikull në lidhje me diskriminimin që po iu bëhet komunitetit RAE, me mos shërbimin e kafesë për ta, në kafiteri.

Për Syrin, ka folur Hasib Karaçi, artisti rom, i cili tha se të qenit rom, nuk e dallon nga shqiptarët, pasi, romët janë njerëz të edukuar e të shkolluar.

“Është një nga padrejtësitë e radhës që po na bëhet neve, në fakt, është padrejtësia më e neveritshme, më jonjerëzore që e kam dëgjuar ndonjëherë. E para, pse jemi pjesë e një komuniteti joshqiptar, nuk nënkupton që s’jemi njëjtë me të tjerët. E dyta, jemi krijesa të Zotit, e te Zoti nuk ka komunitete por jemi njëjtë.  Uroj që ky vendim të mos merret parasysh, sepse, ne nuk i bëjmë dëm askujt. Ne kemi të drejtat tona dhe nuk duhet luajtur me nderin e krenarinë tonë” tha ai.

Për racizmin, për Syri.net Kosova dje ka folur edhe hoxha Bekim Jashari, i cili tha se razicmi si dukuri që nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit Muhammed.

“Islami si fe Hyjnore njeh barabarësinë e secilit dhe drejtat e tyre. Të gjithë jemi krijesa të Zotit të Madhërishëm dhe është vullnet Hyjnorë llojllojshmëria por nuk është vullnet diskriminimi. Muhamedi a s u ka thënë arabëve: Nuk ka epërsi i bardhi ndaj të ziut dhe anasjelltas, të gjithë jemi rob të Krijuesit. Kurani ka thënë: “më i miri nga ju është ai që ruhet nga të këqijat”” tha hoxha.

Kujtojmë që gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të mbrojtur me ligj sa i përket diskriminimit, pra, ligji Nr.05/L-021 i RK-së, ku thotë se qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, shtetësisë, besimit fetar dhe besimit, përkatësisë politike, mendimit politik apo mendimeve të tjera, gjendjes sociale ose personale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, shtatzënisë, lehonisë, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike ose ndonjë baze tjetër, me qëllim të zbatimit të parimit të trajtimit të barabartë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco