Si do të ndahet ‘kulaçi’ i qeverisjes për Prishtinën: LDK i jep shansin PDK-së?

Si do të ndahet ‘kulaçi’ i qeverisjes për Prishtinën: LDK i jep shansin PDK-së?

19:57, 18/11/2021 Nga A.ZH

Përparim Rama është kryetari më i ri kryeqytetit, por ai s’mund të qeverisë pa një koalicion lokal. Matematikat e qeverisjes sapo kanë filluar, por PDK  e AAK kanë kushtet e tyre, përderisa nga ‘kulaçi’ i qeverisjes, nuk përjashtohet as Vetëvendosje e kjo e fundit madje ka dhënë sinjale se mund të përfshihet. Por si e qysh do të arrihet formula finale e qeverisjes lokale në kryeqytet do ta mësojmë së shpejti.


Nga e kjo e diel, Prishtina ka tashmë kryetarin e ri, Përparim Ramën e LDK-së që arriti t’ia rrëmbejë fitoren pretendentit kryesor Arben Vitisë nga duart e ta rikthejë tek subjekti që përfaqëson. Në këtë mënyrë, LDK u rikthye në drejtimin e kryeqytetit tetë vite pasi e humbi nga Vetëvendosja.

Por drama për Prishtinën nuk ka përfunduar ende, pasi Rama nuk do të mund të qeverisë më kryeqytetin pa një koalicion.

Bazuar në rezultatet që janë certifikuar nga KQZ-ja për asamble komunale, LDK në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të ketë 14 asamblistë, tre më pak se LVV-ja e cila ka 17-të.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës sipas statutit përbëhet nga 51 anëtarë, dhe si rrjedhojë LDK-së i duhet të bëjë koalicion me njërën nga subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin Komunal, për të siguruar kështu shumicën e thjeshtë prej 26 anëtarëve.

Image

Duke parë këtë, LDK ka nisur negociatat me PDK dhe AAK-në, për të arritur deri të një zyrtarizim i bashkëqeverisjes me Prishtinën.

Syri.net Kosova përmes burimeve të saja brenda LDK-së merr vesh se tashmë kanë filluar bisedimet me dy subjektet në fjalë por që ende nuk kanë diçka të konkretizuar, kjo për shkak sepse Rama dhe Abdixhiku po kërkojnë kuadro profesional, e jo politik.

Në anën tjetër, burimet e Syri Kosovës në AAK bëjnë me dije se si partitë kanë pasur takime me LDK-në para balotazhit dhe kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për fitoren e Ramës, si dhe mundësin për të bashkëqeverisur siç kanë vepruar edhe VV-në.

Se vija të kuqe nuk kanë si parti, para disa dite për Syri.net e ka konfirmuar edhe Daut Haradinaj.

Lexo edhe: AAK-ja e hapur për koalicion në Prishtinë

Ai është shprehur se kërkon që vetëm të respektohen pikat e programit të tij, që janë ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, zbatimi i ligjit për Prishtinën dhe legalizimi.

E janë pikërisht kushtet e AAK-së që po bëjnë që LDK të hezitoj në konkretizimin e një marrëveshje finale me këtë parti, pasi drejtorin e urbanizmit si më e përfolura dhe e kërkuar nga të gjithë, po dëshiron ta mbaj për vete, kështu shprehet burimi për Syri Kosovën.

Syri ka disa ditë që ka kontaktuar shefin e shtabit zgjedhor të LDK-së, Alban Zogaj dhe zyrën për media të kësaj partie për të marr një përgjigje zyrtare rreth koalicioneve të mundshme dhe mënyrës se si Rama mendon të udhëheqë Prishtinën, por asnjëri nga ta nuk ka kthyer përgjigje, dhe në këtë mënyrë LDK i ritkhehet zakonit të vjetër duke ‘mbyllur’ dyert me mediat.

Syri.net ka biseduar edhe me asamblistin e PDK-së, Leutrim Retkoceri ku ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete pasi janë në pritje të një ftese zyrtare.

“Nuk mund të flas me konkretisht për asgjë pasi jemi në pritje të një ftesë, ne nuk kemi nevojë për ta, por LDK për ne, andaj ne jemi të vendosur që të respektohet programi ynë dhe momentin që plotësohen kushtet do të marrim një vendim” u shpreh Retkoceri.

Por pas fitores së 14 nëntorit Përparim Rama u shpreh i hapur për bashkëpunim me kundërshtarin më të madh të tij, Vetëvendosjen. Madje ai e ftoi edhe kryeministrin Kurti për një takim në zyrën e tij të re.

Edhe pse një gjë e tillë u tha në media nga vet Rama, zyrtarisht një ftesë në drejtim të Kurtit dhe Vetëvendosjes nga LDK nuk ka shkuar ende. Të paktën kështu i kanë thënë Syri.net asamblisti i VV-së, Berat Lahu.

Ai ka treguar se nuk ka pasur ende asgjë në këtë drejtim dhe nëse ndodh një gjë e tillë do të shqyrtohet nga organet e partisë ani pse janë të hapur për bashkëpunim.

 “Bashkëpunim për ide e projekte në të mirë të qytetarëve dhe qytetit. Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë përkrahjen tonë. Bashkëqeverisje është diçka tjetër dhe për këtë nuk kemi folur. Kjo kërkon se pari ftesë nge fituesi dhe se dyti analizë e shqyrtim brenda organeve përkatëse te Lëvizjes” theksoi Lahu për Syrin.

Përparim Rama arriti të fitojë Prishtinën në raundin e dytë përball Arben Vitisë që la ministrinë e Shëndetësisë për të parinë e kryeqytetit. Edhe pse Rama në raundin e parë kishte vetëm 29% të votave, përmes bashkëpunimit të ‘fshehtë’ që kishte me PDK-në dhe AKR-në arriti ta përmbys rezultatin në të mirë të tij.

Megjithatë, ajo që është parë në prapaskenat politike, sidomos gjatë balotazhit, fitoren e Ramës e kanë trumbetuar edhe disa medie dhe studio televizive, e plus për të mund të ketë qenë edhe fushata e ‘ashpër’ kundër Vitisë./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco