VIDEO/ 'Gremçi' i politikës shqiptare në Kampionatin e Boksit në Serbi: Hysa e Demolli rrëfejnë si nuk e lëshuan flamurin

VIDEO/ 'Gremçi' i politikës shqiptare në Kampionatin e Boksit në Serbi: Hysa e Demolli rrëfejnë si nuk e lëshuan flamurin

13:29, 27/10/2021

Pas përplasjes së fundit Serbi - Kosovë, kësaj radhe për sportin, duket se politika shqiptare ka ndikuar me dinakëri që Ekipi i Boksit i Shqipërisë të merrte pjesë në Kampionatin Botëror në Beograd, i shkëputur nga ekipi i boksierëve të Kosovës, të cilit serbët ia ndaluan pjesëmarrjen me uniformat dhe emblemat e tyre.

Politika shqiptare hodhi një “gremç” për të prishur solidaritetin që u krijua befas në kufij midis dy ekipeve, që pa Kosovën, as Shqipëria të mos paraqitej në Kampionat.

Nelson Hysa, kapiteni i Ekipit Shqiptar të Boksit dhe Latif Demolli, Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, kanë zbuluar prapaskenat e një loje të rreptë nervash dhe një loje politike që u luajt jo në ring, por në kufijtë e Serbisë, në qeverinë e Tiranës dhe Beogradit, në momentet kur policia kufitare serbe ia ndaloi boksierëve kosovarë të udhëtonin me flamurin e tyre drejt Beogradit për në Kampionatin Botëror të Boksit  në datat 24 tetor - 6 nëntor 2021. 

Ndiqni dy intervistat me patriotizëm e kulisa politike që çuan deri në përplasjet midis ambasadori gjerman dhe Presidentit serb Vuçiç, dhënë sot në Kafe Shqeto në SYRI TV për gazetarin Flavio Qarri  nga përfaqësuesit e dy federatave: Nelson Hysa, boksier dhe kapiten i Ekipit Kombëtar dhe Latif Demolli, Sekretar i Federatës së Boksit të Kosovës, gjithashtu boksier në karrierën e tij.

Flavio: Mirëserdhët! Le ta fillojmë nga Nelsoni, që ka pasur ca ditë jo dhe aq të këndshme, apo jo?

Nelson Hysa: Normalisht, nuk kemi pritur që të na prisnin me lule, se e dinim që do të jemi në një ambient ku nuk jemi të mirëpritur, por…

Flavio:  Edhe fishkëllimat nuk janë ndonjë gjë e këndshme. Kur ne kemi mirëpritur këtu Kombëtaren e Serbisë na është bërë një javë “trainim” se si duhet të silleshim si qytetarë, madje të pranonim edhe humbjen me qytetari na u kërkua atëherë, nëse e mbani mend.

Nelson Hysa: Ha ha. Jo, ne këtë donim, që të mos shkonim tej humbja, nuk donim të kalonim tek humbja. Gjithë problemi ynë është të mos penalizohemi tek humbja. Ne u sensibilizuam me ekipin tonë të Kosovës, se një ekip jemi pak a shumë, dy shtete me dy flamuj, por shpirtërisht... Kemi qenë me njeri tjetrin gjithë kohën, duke u marrë vesh. Ne nuk kemi dashur të dukemi bashkë. Ata do të udhëtonin shumë vonë, ne u nisëm më herët nga Shqipëria, se po ta dinim kështu… Nuk e prisnim, sepse Kosova ishte pjesëmarrëse në aktivitete shumë të mëdha, dy djem prej Kosove dolën kampionë të Ballkanit. Ka shumë aktivitete ku Kosova po merr pjesë dhe nuk kishte pse të ndalohej.

Flavio: Janë të vërteta raportimet për incidente, fishkëllima, sjellje jo shumë etike, apo jo?

Nelson Hysa: Në fakt unë isha flamurmbajtësi i Shqipërisë. Nga radha alfabetike ishim të parët që do të parakalonim. Në momentin që mbaja flamurin në dorë, u ndjeva shumë i emocionuar dhe kur nisëm të parakalonim në sallë, sa dolëm, se ishim nga mbrapa, sa dolëm me flamurin shqiptar, sa u përmend emri Albania… fishkëllima, gjuatje me sende, me gjëra!!! Por kur mban flamurin në dorë, ndihesh krenar dhe nuk të bëhet me ndie asgjë, as me qenë i penduar që dëgjon ato fishkëllima, vetëm u ndjeva shumë krenar!

Flavio: E kuptoj, është e jashtëzakonshme! Z. Demolli, çështja ka arritur në nivele të larta, ambasadori i Gjermanisë në BE ka reaguar. I është kundërpërgjigjur vetë Aleksandër Vuçiç..Si ëhstë gjendja e çunave tanë dhe mbi të gjitha, aspekti administrative si do të zgjidhet? Se është pak qesharake, festa organizohet në Beograd dhe ju nuk lejoni të kaloni kufirin.

Latif Demolli: Më vjen çudi me gënjeshtrat që jep Federata e Serbisë, kur krejt Evropa, e gjithë bota i kemi dëshmuar me foto, me video, që ne ekipi i Kosovës tri herë radhazi kemi tentuar të futemi në Serbi për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror ku ne si Kosovë jemi që nga viti 2014 të pranuar në AIBA, të barabartë me të gjitha shtetet, siç tha edhe z. Nelson, kemi marrë pjesë në të gjitha evenimentet europiane dhe botërore dhe kemi qenë të barabartë.

Image

Flavio: Më falni, thatë “3 herë”? Tri herë për kampionatin e fundit botëror apo në tri evenimente të ndryshme?

Latif Demolli: Jo jo, vetëm në kampionatin e fundit, këto tre ditët e fundit. Dy herë kemi tentuar në Multivodë dhe dy herë në Merdare. Dhe në të tri herët jemi kthyer për shkak të uniformës së shtetit të Kosovës … Policia na ka ndaluar me pretekstin “ju mundni të kaloni dhe të shkoni në Brad edhe me përcjelljen  e policisë, por pa emblemën e shtetit të Kosovës”.

Ne nuk pranuam, se ne atje prezantojmë shtetin e Kosovës. Nuk ka tjetër mënyrë të prezantohemi në Kampionatin Botëror përveçse si shtet i barabartë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Ky është një diskriminim i sportistëve. Kjo nuk ndodh askund në botë, ndodh vetëm në Serbi. Mjerisht, prej çunave, bashkarisht me Kombëtaren Shqiptare, kemi zhvilluar kampe të ndryshme, përgatitje të ndryshme, kemi derdhur djersë, mund dhe jemi dëmtuar financiarisht pasi kemi qëndruar nga 2-3 muaj të izoluar nëpër hotele. AIBA ka përgjegjësi dhe të na mbulojë të gjitha shpenzimet e çunave duhet t’u japë pikë për Lojërat Olimpike 2024 të Parisit. Këta janë dëmtuar. Ndoshta kishin për të marrë një medalje, e cila shpërblehet: E arta me 100 mijë dollarë; e argjendit me 50 mijë dollarë dhe e bronzit me 25 mijë dollarë. Ky është dëmtim për sportistët e Kosovës.

Image

Flavio: Dhe po flasim për disa djem që mund t’u jetë dëmtuar plotësisht karriera, sepse boksi nuk është nga ato sporte që mund të zhvillohet për dekada të tërë. Nga ana tjetër do të doja një vlerësim dhe për politikën. Si është sjellë politika shqiptare këtej dhe andej kufirit? Në mos gaboj, Federata Shqiptare e Boksit kishte deklaruar se do të tërhiqej nga  eventi nëse nuk do të lejohet të kalonte Kosova, por ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga qeveria shqiptare dhe nga AIBA, madje me kërcënime deri në dhjetë vjet penalizim.

Nelson Hysa: Kur u lidhëm me ekipin e Kosovës, neve na thanë herën e parë – sepse kanë tentuar disa herë, kur na thanë herën e parë që nuk po na lejojnë të kalojmë, atëherë trajneri ynë z. Zef Gjoni na mblodhi dhe na tha që nëqoftëse nuk lejojnë të kalojë Kosovën, do të sensibilizohemi edhe ne e do të ikim nga aktiviteti. Të gjithë ishim dakord sepse nuk kishte arsye pse të mos e linin Kosovën të kalonte. E dinim që nëse e kanë në këtë mënyrë me Kosovën, do ta kenë edhe me ne, e dinim këtë punë. U sensibilizuam dhe lajmëruam instancat më të larta të Federatës, i lajmëroi traineri që unë do të tërheq ekipin, sepse trajneri është fuqiplotë.

Mirëpo u lidhëm me drejtuesit e Kosovës e na thanë që të kalojmë në kufirin tjetër. Atëherë shkuan dhe provuan në kufirin tjetër dhe prapë nuk i lanë. Ndërsa herën e tretë patëm lidhje me AIBA-n, me të gjithë dhe na thanë që “është marrë përsipër që edhe Kosova do të vijë”, një si tip gremçi që ne të shkonim.

Flavio: “Hajdeni ju - se do të kalojnë edhe ata”!

Nelson Hysa: Folëm edhe me drejtuesin e Federatës së Kosovës, z. Latif  Demolli dhe thanë “po, na kanë thënë të kalojmë kufirin në Merdare, e ka marrë përsipër Komiteti Olimpik e do të kalojmë”.

Ne ishim më të qete dhe shkuam tek hapja e Kampionatit Botëror. Kur erdhëm mbasi kishte mbaruar konferenca – ata kishin shkuar vonë në fakt, ekipi i Kosovës, në 10 e gjysëm a 11 kishin shkuar në kufirin e Merdares, na telefonojnë e na thonë “përfundimisht, definitivisht, nuk mund të kalojmë”!!!  Aty pastaj, ne nuk kishim më si të tërhiqeshim. Biseduam me z. Demolli dhe bashkë me Presidentin e Federatës na u bë e qartë që mospjesëmarrja në këtë moment na penalizonte. Se të ishim më përpara , mos të kishim marrë pjesë, mos të ishim akomoduar në hotel...

Flavio. Pra në këtë moment ishte e gabuar…

Nelson Hysa: Se tani ishin bërë organizime, kishte kaluar shorti i boksierëve, e prishnim të gjithë mbarëvajtjen e Kampionatit Botëror. Për këtë do të dënoheshim, mirë ne që jemi këtu, por do të dënoheshin edhe shumë breza të tjerë dhe ne nuk deshëm të bëheshim shkaktarë. Folëm edhe me Federatën e Kosovës dhe ata na këshilluam të rrimë, ta vazhdojmë aktivitetin për të mirën e sportistëve, për të mirën e boksierëve.

Flavio: Z. Demolli, a keni menduar, edhe pse do të doja të mos ma merrnit si shenjë mungesë respekti për Republikën e Kosovës, a keni mendua t’i kaloni disa nga djemtë, ndoshta thjesht “për inat shqiptari” në Ekipin tonë Kombëtar? Ishte pak me shaka kjo pyetje.

Latif Demolli: Po ne kemi disa boksierë, tre-katër boksierë që çdo vit marrin pjesë në kampionatin individual shtetëror të Shqipërisë dhe ata i kemi të gatshëm. Por ne nuk kemi menduar se do të ndodhin këto raste, se përkundrazi, ne do të mundoheshim që këta boksierë t’i inkuadrojmë në Federatën Shqiptare dhe të prezantohen dhe për shtetin shqiptar, se jemi një komb. S’ka lidhje se jemi dy shtete, por kemi menduar që të jemi edhe ne, Kosova, të barabartë me Shqipërinë. Do ta falenderoj Ekipin e Shqipërisë që u solidarizua me Ekipin e Kosovës dhe biseduan me mua. Unë vetë Zef Gjonit dhe Nelson Hysës u thashë se nuk keni nevojë të tërhiqeni sepse ne nuk fitojmë asgjë nga kjo, kurse ju penalizoheni, humbni, për këtë arsye u thashë të qëndroni të vazhdoni dhe dhëntë Zoti të korrni sukses e të ngrini flamurin kombëtar në piedestalin më të lartë, se ai është arsyeja, ai është fitorja jonë!

Flavio: Ndërkohë, a ka shanse për t’u zgjidhur situata apo u dogj Kosova me pjesëmarrjen në këtë Kampionat Botëror? - Ndiqni përgjigjen e Sekretarit të Federatës së Bokstit të Kosovës në vazhdim/ ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco