PDK-ja e tradhtoi familjen e Adem Jasharit!

PDK-ja e tradhtoi familjen e Adem Jasharit!

12:25, 21/10/2021 Nga A.ZH

Të dielën, me 17 tetor, u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovës, ku si në çdo palë zgjedhje, edhe kësaj radhe kishte befasi. Mund të themi se befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte humbja e Bekim Jasharit në Skenderaj, pasi kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, Fadil Nura, doli fitues pa balotazh, e kjo fitore po konsiderohet tradhëti ndaj familjes Jashari.


Ky rezultat ishte befasues për shumicën e opinionit publik, pasi nuk pritej që një anëtar i familjes Jashari të humbasë në Skenderaj, e aq më pak kur edhe të gjitha sondazhet e shpallnin fitues.

Kësisoj, Bekim Jashari nuk e pranoi këtë rezultat, ai zbuloi manipulime, vjedhje dhe blerje të votave, ku me këtë rast ai paraqiti mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Në emër të demokracisë dhe vullnetit të shenjtë të qytetarëve kërkoj nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Prokuroria e Kosovës që të hetojnë çdo keqpërdorim të procesit zgjedhor”, shkroi Jashari të dielën në orët e vona të mesnatës – transmeton Syri.net Kosova.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, i vuri në diskutim rezultatet zgjedhore në Skenderaj dhe Han të Elezit, ku në dy këto komuna fituese doli PDK-ja.

Ai tha se këto rezultate në të këto dy komuna janë të dyshimta, ku mund të thuhet se fitoret e PDK-së janë pandershmëri e madhe zgjedhore.

“Fitoret e PDK-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në dy komunat e Skenderajt dhe të Hanit të Elezit janë të diskutueshme dhe me shumë dyshime dhe pabesi, vetë humbja e befasishme e Bekim Jasharit në Skenderaj dhe e Refki Sumës në Han të Elezit tregon se fitorja e PDK-së është me shumë pandershmëri të madhe zgjedhore” deklaroi analisti.

Tutje, Mehazi shpreh se moralin politik të Jasharit, e shfrytëzoi PDK-ja e Memli Krasniqit kundër tyre, për t’i mposhtur ata.

“Në këto dy komuna ka pasur shumë ndërkëmbëza parazgjedhore dhe gjatë ditës së votimit nga ana e anëtarëve e militantëve të PDK-së kundër dy kryetarëve të pavarur të Skenderajt dhe të Hanit të Elezit të cilët si të pavarur, të vetmuar e pa ndihmë partiake kanë fituar prefekturat. Teoria politike thotë se personat jo partiak e të pavarur që fitojnë komunat quhen jo fitues politik, por fitues të ndershmërisë, autoritetit e moralit njerëzor. Këtë moral të pavarësisë e të vetmisë politike të Bekim Jasharit dhe Refki Sumës PDK-ja e Krasniqit e ka shfrytëzuar me lehtësi për të mposhtur me pandershmëri partiake Bekimin e Jasharajve”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti tha se ‘lufta’ e PDK-së ndaj Bekim Jasharit në Skenderaj, vërehet edhe në ankesat e tij për vjedhje dhe blerje të votave.

Ai konsideron se ndershmërinë politike të Bekim Jasharit e ka shfrytëzuar klani i PDK-së, prandaj nuk është shumë e rastësishme që kjo parti fitoi garën në raundin e parë të zgjedhjeve në Skenderaj.

E tërë makineria partiake e PDK-së ka luftua kundër një personit siç është Bekim Jashari në Skenderaj dhe Rufki Suma në Han të Elezit. Kjo vërehej gjatë deklaratave ankuese të dy prefektëve të pavarur të Skenderaj dhe Hanit të Elezit të cilët gjatë tërë kohës së votimeve ankoheshin për blerje e vjedhje votash. Moralin dhe ndershmërinë politike të Bekim Jasharit e kanë shfrytëzuar klani i të pamoralshmëve të PDK-së për të mposhtur e fituar Jasharin, po edhe Sumën. Nuk është e rastësishme që në raundin e parë PDK-ja fitoi kandidatin e pavarur pa ngjyrime politike, Bekim Jasharin, dhe kandidatin tjetër të pavarur e pa ngjyrime politike, Rufki Sumën, i cili tre mandate radhazi ka udhëhequr suksesshëm komunën e Hanit të Elezit” nënvizoi Mehazi.

Në anën tjetër, kemi deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, që hapur doli edhe gjatë fushatës zgjedhore në krah të Bekim Jasharit dhe jo të kandidatit të partisë, Fadil Nura.   

Ai ka thënë se të pikëlluar e me kokën ulur duhet të jenë ata që ia humbën Skenderajt mundësinë e artë me Bekim Jasharin, në realizimin e projekteve për zhvillim dhe ndërtim të Drenicës.

Tutje, Haxhiu ka thënë se pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as pavarësi, as demokraci e as parti.

Jasharajt e ndërruan historinë. Ata janë vet historia moderne. Ata na e mundësuan edhe 17 tetorin 2021. Pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as Liri, as Pavarësi as demokraci as parti. Bekim, sa herë të takoj ty, bacin Rifat, Besartën, e vij në vizitë te varret e 56 anëtarëve të familjes tuaj Jashari, e di që nuk do të me vrasë ndërgjegjja. Ju nuk jeni kalimtarë, Ju jeni themeli i pavarësisë e nderi i shqiptarisë. Në Skenderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia! Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica”, ka shkruar Haxhiu.

Por, ndryshe nga Haxhiu mendon nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se në betejën në Skenderaj kanë qenë dy kandidatë, por jo e kaluara, jo lufta.

“Më Skenderaj pati një situatë krejt tjetër, të cilën ne nuk e kemi dëshiruar. Ka qenë një prej përballjeve më të pakëndshme. Ka qenë shumë e vështirë, nuk ka qenë e lehtë, sepse Sami Lushtaku ka qenë bashkëluftëtar i Adem Jasharit. E sidomos duke pas parasysh një përbuzje e një përbaltje që i është bërë në vitet e fundit Drenicës.Pse ata njerëz nuk paskan drejtë me zgjedh a?, Nuk paskan të drejtë me votu? - E kam ndjerë që nuk ka qenë një betejë e lehtë as për ata. U mundua nga disa që të portretizohet si një luftë kundër familjes Jashari. Nuk ka gjë më të rëndë sesa të hyhet në betejë politike me nocione të tilla. Në betejë në Skenderaj kanë qenë dy kandidatë, por jo e kaluara, jo lufta. Pra, ka qenë një betejë e rëndë, por fatmirësisht është kryer” deklaroi Vlora Çitaku një ditë pas zgjedhjeve – raporton Syri.net Kosova

Ajo komentoi edhe reagimin e Bekim Jasharit ku akuzon PDK-në për manipulim votash.

”Është shumë mirë që ka bërë ankesa tek organet kompetente. Dikush mund t’i ketë thënë Jasharit, por mirë që nëse ka shqetësim e ka adresuar. PDK nuk e ka pasur pushtetin në Skenderaj. Ka garuar duke mos qenë në udhëheqësi të komunës, ka fituar”.

Në anën tjetër, është gazetari Faton Mehmeti që mendon ndryshe nga Çitaku. Ai e quan tradhti humbjen e Bekim Jasharit nga PDK.

 “Fatkeqësisht familja Jashari u tradhtua për herë të dytë, nga po të njëjtit njerëz dhe për interesa po të njëjta: pushtetin”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, kryetari i vërtetë i Skenderajt do të jetë Sami Lushtaku.

“Fadil Nura është kryetar kukull, kryetari i vërtetë është Sami Lushtaku. Tenderët për Samiun dhe njerëzit e tij do të jenë të padiskutueshëm, me Drenicën që si kurrë më parë duhet të ndjehet e turpëruar. Samiu fitoi për tenderët e munguar për katër vite, përballë dinjitetit dhe lavdisë fitoi turpi dhe lakmia. Drenicaset s’kanë të drejtë të thirrën në emër të familjes Jashari, s’kanë të drejtë as të vizitojnë varrezat e tyre” shprehet Faton Mehmeti në një deklarim për Syrin.

Bekim Jashari në 2017 mundi PDK-në në Skenderaj me një fitore të thellë. Ndërsa, tani katër vite pas, ai pati një fushatë të egër kundër tij nga PDK-ja.

Madje, ishte vet kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, që edhe në një intervistë me Syri.net Kosovën kishte deklaruar se nuk dëshiron as emrin t’ia përmend Bekim Jasharit.

Lexo edhe: Sami Lushtaku: Unë jam ‘baba’ i krejtve

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco