Lista 'Guxo' drejt shuarjes pa 'motorin' e saj që përfundoi në Presidencë

Lista 'Guxo' drejt shuarjes pa 'motorin' e saj që përfundoi në Presidencë

14:09, 20/10/2021 Nga A.Zh
Anëtarët e Listës Guxo të Vjosa Osmanit, të bashkuar arritën t’i kalojnë vetëm një palë zgjedhje, ato të shkurtit 2021, të cilat nxorën rezultate interesante. Përveç thyerjes rekord të votave, Presidentja Vjosa Osmani u bë politikanja më e votuar në histori të Kosovës.

Me të marrë detyrën e Presidentes, Osmani hoqi dorë nga drejtimi i kësaj iniciative. Disa muaj më pas, përbrenda kësaj liste u krijuan shumë pakënaqësi ku dolën edhe në media. Të gjithë ata persona që besonin në vizionin e kësaj liste e që kërkonin të shndërrohet në parti, u bënë pikë e pesë. Disa po gjejnë prehje në VV e disa iu rikthyen shtëpisë së vjetër, LDK-së.

Beteja elektorale për komuna vuri në pah se Lista ‘Guxo’ është duke u ‘shuar’ në mungesë të një drejtuesi. Si duket figura e Vjosa Osmanit ishte kyçe që bashkoi individë të zemëruar me partitë e vjetra, kryesisht me LDK-në.

Madje njohësi i zhvillimeve politike, Petrit Zogaj, ka ironizuar me rezultatet e zgjedhjeve e që fokusin e vendosi te Lista ‘Guxo’.

“Pas fitores se LV-sëne tri të katërtat (3/4) e komunave të Kosovës, interesimi im është vetëm tek konventa politike e listës Guxo. Çfarë vendimesh do të merren aty? Sa pretendent për kryetar/e partie do të ketë? Orientimi ideologjik i saj? Si dhe çfarë do të jetë balancimi i pushtetit në mes LV dhe Guxo? Me një fjalë, kur edhe kjo ngjarje të ndodh, nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë nga ky vit” shkroi Zogaj në Facebook.

Duke parë gjithë këtë, pyetja e vetëm që vjen në mend është: A po shuhet Lista ‘GUXO’ pa Vjosa Osmanin? - Syri.net Kosova ka folur me profesorin Bujar Dugolli në lidhje me mundësinë e shuarjes se kësaj iniciative.

Sipas Dugollit, në këtë listë Osmani ishte vetëm motor dhe në mungesë të saj, ajo po shuhet.

“Nuk do të ishte mirë të bëjmë një krahasim mes zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale, sepse kemi të bëjmë me dy gjëra të kundërta. Mirëpo nëse flasim konkretisht për efektin e Listës GUXO, atëherë mund të them që kjo iniciativë si duket është duke u shuar, sepse disa persona janë integruar brenda VV-së e disa u rikthyen në shtëpinë e vjetër në LDK. Lirshëm mund të themi se Vjosa Osmani ka qenë faktori dhe motori i kësaj iniciative, mungesa e saj po shihet me rezultatet e fundit. Nuk do të lëshohesha në deklaratat e Gërvallës, por si duket misioni i tyre ka përfunduar” u shpreh Bujar Dugolli.

Se zgjedhjet lokale hodhën në sipërfaqe edhe më shumë dështimin e këtij projekti politik, e thotë edhe politologu Dren Dushi në një bisedë me Syri.net Kosova.

Dushi shprehet se mos-aktivizimi politik i Listës ‘Guxo’ në ndërtimin e strukturave që e prisnin mbështetësit e saj, po bën që të dalë se pa Osmanin, kjo iniciative nuk ka ambicie të shkojë përpara.

“Në këto zgjedhje lokale u pa që Lista "Guxo" nuk ka qenë sa duhet aktive në kuptimin e një aktivizmi të cilin e ka pritur struktura dhe mbështetësit e shumtë të saj. Me zgjedhjen e Zonjës Osmani Presidente, Lista "Guxo" sikur ka treguar një hezitim për të vazhduar më tutje me projektin e saj politik dhe nëse kjo qasje vazhdon, i bie që pa Zonjën Osmani tashmë Presidente, strukturat e Listës "Guxo" nuk kanë ambicien për të zhvilluar një parti politike, me gjithë mundësitë e mira që rrethanat kanë ofruar. Sidoqoftë, na mbeten muajt në vazhdim që këto struktura të tregojnë nëse ambiciet e tyre janë për krijimin e një subjekti të ri e atraktiv në Kosovë apo thjeshtë do vazhdojnë qasjen e tanishme. Kjo e dyta, pra mos-marrja e përgjegjësisë për krijimin e strukturave, mungesa e ambicieve për një parti të fuqishme politike meqë ka mbështetje elektorale, natyrisht që nënkupton ecje drejt shuarjes” deklaron Dushi.

Mirëpo Dushi heziton ta quajë dështim këtë nismë politike, rrugëtimi i së cilës mbeti në gjysmë edhe pse hedh kunja kundrejt ministrave dhe anëtarëve të Listës ‘Guxo’.

“Nuk do të thotë që iniciativa ka dështuar pa zonjën Osmani tashmë Presidente. Nëse analizoni, aktualisht përveç deputetëve Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, pothuajse asnjë nga akterët politikë kyçë të Listës "Guxo" nuk kanë bërë fushatë dhe aktivizim politik përtej ca deklaratave në rrjete sociale. Të jemi të qartë, politika nuk fillon dhe mbaron me foto në rrjete sociale e me disa rreshta lavdë-thurrëse për ca kandidatë të listuar shpejt e shpejt në mungesë të një komunikimi të mirëfilltë strukturor. Pra, nuk ka asnjë përgjegjësi aktualisht Presidentja Osmani se çka ndodhë në Listën "Guxo", meqë ajo ka përgjegjësi shtetërore dhe jo partiake, kjo është mirë, përgjegjësia bie te pa-ambicia ose paaftësia momentale e Listës "Guxo", tha ai.

Ndër të tjera, politologu Dushi vendos theksin edhe për pozitën e Donika Gërvallës brenda Listës ‘Guxo’ dhe deklaratave të saj që kishte bërë në njërin nga takimet me anëtarësinë e kësaj iniciative.

“Zonja Gërvalla në konsideratën time nuk ka dështuar me Listën "Guxo" si ofertë politike. Përse e them këtë? E them sepse, siç e kemi parë në deklaratat e saj, ajo ka qenë që Lista "Guxo" të jetë një parti politike parlamentare dhe një grup i cili jo domosdoshërisht duhet të jetë me pushtet të madh ekzekutiv. Fundja, ajo nuk mund të dalë mbi vullnetin demokratik. Unë personalisht kam qenë i të njëjtës qasje, meqë konsideroj se burimi i vërtetë i pushtetit dhe ekzistencës e seriozitetit politik gjendet te baza, pra te elektorati dhe parlamenti si përfaqësim”.

Tutje Dushi shprehet se është pikërisht Gërvalla që nuk ka arritur të gjejë një grup të mjaftueshëm që mendonin si ajo, të mbeten vetëm si grup parlamentar e të mos futen në ekzekutiv.

“Gërvalla nuk arriti të gjejë mjaftueshëm një grup bashkëmendimtarësh lidhur me këtë çështje, ku besoj që më së shumti kanë luajtur rol edhe ca ambicie personale, gjithsesi politikisht të ligjshme, por edhe të dëmshme për interesat afatgjate të Listës "Guxo". Për më tepër, përgjegjësia për natyrisht rezultatin e interpretueshëm (meqë rezultati është i përbashkët me LVV-në) bie te të gjithë akterët. Nuk mund të themi assesi se nuk ka pasur ndikim fakti që në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Presidentja Osmani, duke e konfirmuar para gjithë përcjellësve të politikës se ajo ka një ndikim pothuajse të nivelit të njëjtë me Kryeministrin Kurti dhe këtu qëndron edhe e drejta për kritikë karshi ambicies aktuale të strukturës së Listës "Guxo". Nëse vazhdon e njëjta qasje, përfitues i vetëm i kësaj qasje do të jetë LDK. Lista "Guxo", ndonëse pa Vjosa Osmanin si politikane, ajo do jetë me Vjosa Osmanin si Presidente, kështu që ky nuk është arsyetim për mos angazhim serioz politik (që nënkupton themelimin partiak), i cili u pa se çka sjell” përfundoi Dushi për Syri.net Kosova.

Syri.net Kosova ka tentuar të marrë një qëndrim të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, në lidhje me qëndrimet e saj karshi projektit politik që i ra hise ta drejtojë tash e disa muaj, por nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve tona.

Lista ‘Guxo’ tani është pjesë e Qeverisë me një zëvendëskryeministre dhe dy ministri si dhe në parlament me katër deputetë./Syri.net Kosova

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco