Mitrovicë, anëtarët e 'Listës Serbe' i drejtohen së bashku kutive të votimit

Mitrovicë, anëtarët e 'Listës Serbe' i drejtohen së bashku kutive të votimit

09:14, 17/10/2021

Lista Serbe është partia e vetme serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet merr pjesë me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Pjesëtarë të këtij subjekti janë parë bashkërisht të dielën duke u nisur për të votuar në Mitrovicë të Veriut, për zgjedhjet lokale të Kosovës.

Në mesin e grupit janë parë punonjës të institucioneve që financohen nga Serbia, nga sektori i arsimit, shëndetësisë dhe sektorë tjerë, njofton REL.

Votimi i organizuar në Mitrovicë të Veriut është kthyer në diçka të zakonshme në zgjedhjet e Kosovës.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, të mbajtura më 2017, Lista Serbe pati fituar 10 komuna.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi ka thënë të dielën se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet për zgjedhjet lokale.

Në konferencën e parë për media, Elezi ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, që të votojnë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco