Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Kryetari i KQZ Kreshnik Radoniqi voton në Pejë

Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Kryetari i KQZ Kreshnik Radoniqi voton në Pejë

07:28, 17/10/2021

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar në qendrën e votimit 1703C, që ndodhet në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Radoniqi ka deklaruar se procesi i votimeve ka filluar mirë.Sipas tij rezultatet preliminare do të dalin në orët e vona. Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim, njofton RTK.

Radoniqi ka qenë i parë që ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “ Lidhja e Prizrenit” në qytetin e Pejës. Pasi shfrytëzoi të drejtën e tij për të votuar, Radoniqi bëri thirrje që të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të votuar.

Radoniqi iu bëri thirrje edhe subjekteve politike garuese por edhe Këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

Radoniqi: Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese

“E shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar meqenëse është fillimi I ditës qendra e votimit është hapur në orën 07:00 dhe deri në orën 19:00 do jenë të hapura unë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejt kushtetuese gjithashtu bëjë thirrje që edhe partitë politike por edhe këshillat e vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha ai.

Po ashtu kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh optimist se sonte vonë, apo edhe nesër në mëngjes do mund të dihen rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale.

Radoniqi: Deri në orët e vona besoj që do jepen rezultatet preliminare

“Nuk pash diçka parregullsi përveç asaj lapsi që mu kthye…unë besoj që po jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, pra nëse mbesim diçka në mëngjesin e ditës së nesërme sigurisht do t’i japim rezultatet preliminare, por stafi do punoj 24 orë edhe gjatë natës dhe ndoshta gjatë natës mund t’i shikoni përmes internetit ndryshimet e rezultateve”, u shpreh kryesuesi i KQZ-së.

Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa sot hapen 883 vendvotime.

Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike, prej të cilave janë: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco