Kosovë, KQZ nis shpërndarjen e fletëve të votimit për zgjedhjet lokale më 17 tetor

Kosovë, KQZ nis shpërndarjen e fletëve të votimit për zgjedhjet lokale më 17 tetor

10:46, 16/10/2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nis shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor. Në mesin e tyre edhe fletëvotimet për zgjedhjet vendore që do të mbahen nesër.

Pranë zyrave qendrore të KQZ-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, këto materiale do të dërgohen në depot e komisioneve komunale në 38 komuna, njofton RTK. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar se sa është numri i fletëvotimeve që janë shtypur.

Elezi: Materialet do të dërgohen në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve

"Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Ky material i rëndësisë së veçantë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, do të dërgohet në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, në 38 komuna. Sipas vendimit të KQZ-së, për Zgjedhjet për kryetarë të Komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, dhe po kaq edhe për Zgjedhjet për Kuvende Komunale", ka thënë Elezi.

Më tej, ai ka bërë të ditur se për këto zgjedhje janë shtypur rreth 10 për qind më pak fletëvotime.

"Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur rreth 187 mijë fletëvotime më pak se votues apo rreth 10%. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në muajin shkurt, ishin shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve", ka shtuar ai.

Zgjedhjet komunale do të mbahen nesër në 38 komuna të Kosovës. Numri i votuesve të rinj të cilët votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues. Sot është heshtje zgjedhore, ndërkaq partitë politike kanë përmbyllur mbrëmë fushatën zgjedhore që ka nisur më 16 shtator.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco