Veriu i Kosovës nën tension, Albin Kurti publikon fotografitë e ekstremistëve serbë

Veriu i Kosovës nën tension, Albin Kurti publikon fotografitë e ekstremistëve serbë

07:48, 26/09/2021

Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shtunën mbrëma u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikata për media, njofton Radio Evropa e Lirë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovë”, u tha në njoftim.

Pas takimit në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po marrin pjesë individë, që sipas tij janë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste.

Kurti ka postuar edhe përshkrime dhe fotografi për dy prej tyre.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Disa media në Serbi kanë raportuar për lëvizje të tankeve drejt kufirit me Kosovën, por ushtria serbe nuk është deklaruar zyrtarisht për këtë çështje. Po ashtu, avionë nga Serbia kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës, çka ka bërë që protestuesit në veri të Kosovës t'i duartrokasin.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

“Ndërtesat në Bërnjak dhe Jarinjë janë aty sepse njësia speciale është aty”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.

“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco