Vjosa Osmani ndërpret vizitën në SHBA dhe niset drejt Kosovës Nga takimi me ish-Presidentin Bill Clinton në SHBA

Vjosa Osmani ndërpret vizitën në SHBA dhe niset drejt Kosovës

07:19, 26/09/2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara dhe është nisur drejt Kosovës. Ndërprerja e vizitës është bërë për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës, bëri të ditur Presidenca e Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet thanë se aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia, serbët kanë bllokuar dy rrugë pranë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë. Për shkak të situatës së tensionuar, më 25 shtator, kryeministri Albin Kurti thirri një takim të Këshillit të Sigurisë.

Osmani më 25 shtator deklaroi se Serbia është burimi "kryesor i destabilizimit në rajon" dhe ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të veprojë.

Më 19 shtator, presidentja Osmani kishte udhëtuar drejt SHBA-së për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco