Reciprociteti për targat/ Vijojnë protestat, Vuçiç: Do të marrim masa

Reciprociteti për targat/ Vijojnë protestat, Vuçiç: Do të marrim masa

12:52, 21/09/2021

Rruga në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, në Mitrovicën e veriut, vijon të jetë e bllokuar nga serbë që protestojnë kundër masës së reciprocitetit për targat.

Sipas një vendimi të qeverisë Kurti, automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me targa të përkohshme në kalimet kufitare të Kosovës, e njëjta masë që autoritetet serbe aplikojnë ndaj automjeteve të regjistruara në Kosovë.

Forcat e policisë qëndruan në gatishmëri përgjatë gjithë natës, ndërsa më herët gjatë së hënës u hodh gaz lotsjellës për të zhbllokuar rrugët në afri të pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Duke e cilësuar këtë si ditën më të vështirë për serbët e Kosovës, presidenti Aleksandër Vuçiç i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të sjellë në vete të paarsyeshmit, siç u shpreh, ndërsa paralajmëroi masa ekonomike dhe politike kundër Kosovës.

“Gjëja më e rëndësishme është që ne të përpiqemi të ruajmë paqen, por në të njëjtën kohë do të dalim të vendosur para komunitetit ndërkombëtar. Ose implementoni marrëveshjet e Brukselit ose boll u tallët. Më pas, do të flasim nesër përmasat tona. Shpresoj se nuk do të duhet t’i aplikojmë këto masa, si ekonomike ashtu edhe politike, thjesht pasi nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin. I kërkoj përfaqësuesve ndërkombëtarë të sjellin në vete të paarsyeshmit, t’i detyrojnë të sillen në mënyrë civile. Nëse nuk do ta bëjnë, ne do të dimë se si të mbrojmë vendin tonë, nuk ka asnjë dyshim”, tha Vuçiç.

Por ndërsa Vuçiç pretendon se pala kosovare e kishte interpretuar sipas dëshirës marrëveshjen e Brukselit, presidentja Vjosa Osmani replikon se masat janë në përputhje me marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së.

“Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vetë BE-ja. Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit e jo Kosova. Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, tha Osmani.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pohoi se vendimi ishte imponuar nga pala serbe. Sakaq, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian u kanë bërë thirrje palëve të ndërmarrin masa për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco