Ministri i MPB-së: Serbët janë të sigurt, të mos i bllokojnë rrugët

Ministri i MPB-së: Serbët janë të sigurt, të mos i bllokojnë rrugët

18:43, 20/09/2021

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovës, Xhelal Sveçla përmes një konference për media pas vendosje se reciprocitetit ndaj Serbisë për targat ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia.

Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.

“Nuk kemi qëllim të pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve serbë apo çfarëdo provokimi ose destabilizimi. Nuk duhet të ndikoheni nga deklaratat politike qëllimi i të cilave është përhapja e panikës dhe frikës. Sot po e zbatojmë marrëveshjen për të cilën Serbia është pajtuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Qytetarët serbë kanë të drejtën e plotë të lëvizjes janë të sigurt dhe të mbrojtur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. U bëj thirrje të mos i bllokojnë rrugët dhe të mos vendosin pengesa. Kjo është e dëmshme dhe nuk sjell asnjë dobi”, ka thënë Sveçla.

Sveçla tutje ka thënë se serbët kanë të drejtën e lëvizjes dhe janë të mbrojtur me Kushtetutën e ligjet e Kosovës.

“Policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme operative e logjistike për të mos penguar lëvizjen e njerëzve e mallrave. Vendimi është legjitim për faktin se përkundër që Kosova ka liruar qytetarët nga Serbia që të lëvizin lirshëm në Kosovë me automjete të tyre, Serbia detyron qytetarët e Kosovës të vendosin targa të përkohshme për të hyrë në Serbi”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Ndryshe, autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i takon targave të Serbisë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco