Largohet grupi i parë i afganëve të strehuar përkohësisht në Kosovë

Largohet grupi i parë i afganëve të strehuar përkohësisht në Kosovë

15:14, 16/09/2021

Nga Zëri i Amerikës

Një grup shtetasish afganë të strehuar përkohësisht në Kosovë do të largohen gjatë së enjtes.

Jeta Tela, shefe e kabinetit në ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tha një përgjigje për Zërin e Amerikës se destinacioni i tyre pritet të jetë Britania e Madhe.

‘117 persona largohen sot nga Kosova dhe fluturojnë për në Britaninë e Madhe’, tha zonja Tela.

Të larguarit e sotëm janë në mesin e gati një mijë shtetasve afganë të cilët janë strehuar në Kosovë që nga fundi i muajit të kaluar, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve në Kosovë shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Refugjatët afganë po qëndrojnë në dy kampe në qytetin e Ferizajt, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit. Rreth 800 prej tyre në ish kampin e kompanisë amerikano-turke, Bechtel-Eenka, si dhe një pjesë e vogël në kampin e trupave amerikane, Bondsteel.

Autoritetet në Kosovë janë zotuar të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë shtetas afganë, derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco