Kuvendi i Kosovës e vazhdon edhe sot debatin për 100 ditët e Qeverisë Kurti

Kuvendi i Kosovës e vazhdon edhe sot debatin për 100 ditët e Qeverisë Kurti

08:21, 03/08/2021

Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë edhe sot seancën për të analizuar dhe debatuar punën e 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti. Në pikën 4 dhe 7 të rendit të ditës thuhet: "Debat parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Republikës së Kosovës" dhe "shqyrtimi i raportit me rekomandime lidhur me gjendjen në sektorin e ujërave.".

Dje, më 2 gusht, seanca plenare u zhvillua nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në të cilën debatoi për punën 100 ditore të qeverisë. 

Seanca filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetje të deputetëve, në të cilat përgjigje dhanë kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. 

Me kërkesë të kryetares së GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, Kuvendi zhvendosi pikat 5 dhe 6, për t’i radhitur ato më lart në rendin e ditës. 

Po ashtu, me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala dhe atij për Buxhet, Armend Muja, seanca radhiti si pikë të fundit rendit të ditës edhe shqyrtimin e raportit me rekomandime lidhur me gjendjen në sektorin e ujërave. 

Kuvendi procedoi me zgjedhjen e kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Me procedurë të fshehtë votimi, deputetët zgjodhën në krye të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahun, ndërsa Gani Buqajn dhe Lutfie Dervishi, anëtarë, me mandat pesëvjeçar. 

Ndërkaq, asnjëri nga kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave nuk arriti të zgjidhej, ngase shumica e votave ishin të pavlefshme. Në këtë rrethana konkursi për këta tre anëtarë do të përsëritet. 

Në këto dy procese votimi nuk morën pjesë grupet parlamentare në opozitë, të cilat lëshuan sallën paraprakisht. 

Në vijim, Kuvendi miratoi Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, të cilin, në emër të qeverisë, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi kryeministri Albin Kurti, ndërsa në emër të komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryetari Ardian Gola. 

Kuvendi vazhdoi punimet me debatin parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Në cilësi të iniciuesit të këtij debati, kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi domosdoshmërinë e diskutimit për 100 ditët e punës së çdo qeverie, e në rastin konkret, të Qeverisë së Kosovës. 

Në adresimin e tij, Tahiri përmendi një varg zotimesh të qeverisë, për zbatimin e të cilave, sipas tij, deri tani nuk ka asnjë iniciativë. Këtu ai përmendi zotimet për ndërtimin e çerdheve të reja publike, për shtesat për fëmijë, për sigurimet shëndetësore, për punësimin e pedagogëve e të psikologëve në shkolla etj., zotime këto, siç tha ai, kanë mbetur vetëm në letër.    

Deputeti Adnan Rrustemi, në emër të GP të LVV-së, theksoi se intensiteti i punës së kësaj qeverie gjatë 100 ditëve ka qenë shumë i lartë, ndërsa shumë zotime, sipas tij, kanë filluar të jetësohen. Ai tha se nga 100-ditëshi i punës së ekzekutivit u pa qartë ndërprerja e së keqes dhe nisja e kthimit të besimit të qytetarëve. Ndër arritjet kryesore të qeverisë, sipas Rrustemit, janë fillimi i jetësimit të reformës në drejtësi, procesit të vetingut, luftimit të korrupsionit etj. 

Deputeti Ferat Shala nga GP i PDK-së u fokusua kryesisht në çështjen e Trepçës, duke folur me tone kritike ndaj qeverisë lidhur me qasjen e saj kundrejt kësaj kompanie. 

Në emër të GP të LDK-së, deputeti Armend Zemaj tha se 100 ditët e punës së qeverisë janë karakterizuar me retorikë mosbesuese e me qasje mospërfillëse ndaj Kuvendit. Sipas tij, nga 144 vendimet e theksuara në raport, asnjëra prej ty re nuk është e arsyetuar, përderisa, sipas tij, përcillen me frazeologji boshe e me terma mashtruese. 

Nga GP i AAK-së, fjalën e mori deputeti Pal Lekaj, tha se tani kur po prezantohet 100 ditëshi i punës së qeverisë, shumë deputetë kanë dyshimin nëse ky është ndryshimi që, sipas tij, qytetarët e kanë pritur. Ai tha se nga 144 vendimet e marra shumica janë ngarkime e shkarkime që, siç tha ai, nuk kanë dhënë asnjë ndryshim.

Më pas, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili nga foltorja e Kuvendit punën 100 ditore të qeverisë së tij e konsideroi kthesë drejt zhvillimit. Duke paraqitur të arriturat që sipas tij janë shënuar në këta muaj qeverisëse, shtoi se gara e tij nuk është me të kaluarën, por me të ardhmen. 

Kreu i qeverisë tha se me reformat e nisura në drejtësi dhe financa e ekonomi, është rritur besimi i qytetarëve. Po në këtë frymë, ai tha se shteti i Kosovës shpesh herë pas luftës është përmendur për të keq në raportet e jashtme, ndërsa tani, sipas tij, kjo na filluar të ndryshojë. 

“Këto ndryshime pozitive janë rezultat i shumë faktorëve, por s’ka dyshim se rritja e besimit në institucione dhe punën e qeverisë, optimizmi dhe shpresa e qytetarëve për qeverinë e re, janë faktorët kryesorë. Buxheti ka mundësuar dizajnimin e një pakoje të re që mundëson ringjalljen ekonomike të vendit dhe krijonin bazën për ekonomi të qëndrueshme për vitet në vijim”, theksoi Kurti.  

Në vazhdim, kryeministri Kurti foli edhe për luftimin e pandemisë, për të cilën ka thënë se ka qenë prioritet i qeverisë së tij, për anulimin e disa kontratave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimi, që, sipas tij, janë cilësuar si të dëmshme, për shkatërrimin e disa grupeve kriminale etj. 

Seanca vijoi me diskutime të deputetëve, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me punën e qeverisë gjatë periudhës 100-ditore. Përderisa deputetë nga radhët e opozitës adresuan kritika, deputetë të pozitës vlerësuan lart punën e ekzekutivit. 

Në shumë çështje të ngritura nga ligjvënësit, sqarime dhanë anëtarë të kabinetit qeveritar.  Kuvendi ndërpreu punimet mbrëmë për për të vijuar të martën në orën 10:00. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco