Mbaron seanca për ish-krerët e UÇK, ja kur do mbahet e radhës

Mbaron seanca për ish-krerët e UÇK, ja kur do mbahet e radhës

18:57, 21/07/2021

Ka përfunduar seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, ka propozuar që konferenca e ardhshme për ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit të zhvillohet më 13 ose 14 shtator. Me këtë propozim janë pajtuar edhe Prokuroria edhe avokatët mbrojtës.

Prokuroria nuk ka datë për nisjen e gjyqit

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kërkoi që Zyra e Prokurorit të Specializuar që të tregojë nëse qëndron ende muaji tetor, si afat për dorëzimin e dosjes paraprake dhe se në cilën fazë të hetimeve është prokuroria.

Nga ZPS-ja thanë se nuk kanë datë për nisjen e gjyqit dhe se hetimet “do të vazhdojnë për të ardhmen e parashikueshme”, duke shtuar se hetimet janë në një fazë të avancuar. Mbrojtja tha se prokuroria nuk mund të bëjë hetime të pafundme dhe shtoi se derisa të marrin të gjitha materialet e nxjerra nga ZPS-ja, nuk mund të ndërtojnë mbrojtjen e tyre.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco