Haradinaj: Kurti të ndalë mashtrimin për Dialogun Kosovë-Serbi

Haradinaj: Kurti të ndalë mashtrimin për Dialogun Kosovë-Serbi

14:50, 24/06/2021

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti të ndalë “mashtrimin” në procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ish-kryeministri Haradinaj kërkoi edhe sqarime nga kreu i ekzekutivit për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, njofton RTK.

“I kërkoj kryeministrit të ndalë mashtrimin me dialogun, të paktën në komunikim më palët e brendshme të jetë më i saktë”, tha Haradinaj.

Në kuadër të pyetjeve parlamentare, deputeti Haradinaj tha se kryeministri Kurti duhet të tregoj saktë a është pro, apo kundër asociacionit në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“A është kryeministri kundër Asociacionit? Dëgjojmë nganjëherë kryeministrin të përmend lloje të asociacionit. Për këtë i bëjë pyetje në start, trego nëse je ose jo? Pyetja vazhdon, a je kundër asociacionit në bazë të marrëveshjes së Brukselit, po ashtu edhe në bazë të gjeturave të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. A je kundër një asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës? Po jep shumë versione, nuk e kuptojmë pse po ndodh ashtu.

A je për asociacion gjeografik, sepse diku e ka përmend dhe është mirë të na tregojë ç'ka nënkupton. Kur e përmend një version të asociacionit, për kë e ka në mendje dhe pse ne duhet të hapim versione të reja të asociacionit?”, tha Haradinaj.

Në prill 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Në tetor 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se marrëveshja për asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe që akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco