Motra e Ukshin Hotit: Ai po mbahet në burgjet e Serbisë, do ta takoj të gjallë

Motra e Ukshin Hotit: Ai po mbahet në burgjet e Serbisë, do ta takoj të gjallë

18:20, 17/06/2021

Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kosumi, beson se vëllai i saj gjendet në burgjet e Serbisë.

E ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ajo është shprehur se ende beson që do ta takojë të gjallë Ukshin Hotin.

“Mendoj se ai është në burgjet e Serbisë. Kjo për shkak të inteligjencës së tij. Ata e kanë vlerësuar atë, e kanë parë rrezikun ndaj atij. Unë besoj që do ta takoj të gjallë. Derisa nuk del e kundërta, unë besoj ende”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se një serbe, e cila dhëndrin e kishte ushtarak i kishte treguar se Ukshin Hoti është gjallë në burgun e Nishit.

“Unë kam dashur ta gjej vëllain tim. Me një serbe 3 vjet kam pasur kontakte. Ajo më ka thënë se e ka parë Ukshinin në burgun e Nishit. Ajo e ka pasur vajzën në administratë dhe dhëndrin ushtarak. Në prezencën time ajo ka thënë se ai është gjallë, por nuk lëvizte askush. Ajo më pyeste se pse nuk po lëviz askush”, ka deklaruar ajo.

Hoti-Kosumi thotë se deri tani nuk ka pasur mbështetje për zbardhjen e fatit të vëllait të saj.

“Deri tani nuk jam e kënaqur. Unë kam vrapuar edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Kam kërkuar ku është vëllai im, por deri tani kam hasur në vesh të shurdhur. Nuk më ka përkrahur askush”, ka theksuar ajo.

Ajo është shprehur se nuk do të dorëzohet kurrë së kërkuari Ukshin Hotin e të vërtetën për të.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco