Dita e Evropës - Krerët shtetërorë thirrje BE-së t’i hapë dyert për Kosovën

Dita e Evropës - Krerët shtetërorë thirrje BE-së t’i hapë dyert për Kosovën

16:43, 09/05/2021

Në Ditën e Evropës, krerët shtetërorë në Kosovë, kanë bërë thirrje që qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë në 27 shtetet e bllokut dhe Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më këtë ditë ka thënë se Kosova është një vend paqedashës dhe me orientim pro-evropian, prandaj sipas saj edhe aspiron dhe punon drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Osmani në një postim në rrjetin social 'Facebook' ka shkruar se tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun dhe shton se ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.

“Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. 

Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm”, shkruan mes tjerash Osmani.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së.

Sipas Konjufcës, Kosova ka orientim të “palëkundur” drejt familjes evropiane dhe ka kritikuar BE-në se është vonuar sa i përket integrimit evropian të Kosovës.

“Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij. Qytetarët e Kosovës, edhe pse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj”, ka shkruar mes tjerash Konjufca.

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco