Kostas Bakoyannis: Rugova ishte mik në shtëpinë e gjyshit tim, Konstantin Mitsotakis

Kostas Bakoyannis: Rugova ishte mik në shtëpinë e gjyshit tim, Konstantin Mitsotakis

08:59, 06/05/2021

Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis, ka folur me respekt të veçantë për Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në emisionin “Rubikon”, në Klan Kosova, Bakoyannis ka thënë se gjyshi i tij, ish-kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, dhe Ibrahim Rugova kanë qenë miq shumë të mirë. Ai ka kujtuar që Presidenti Rugova kishte qenë në drekë në shtëpinë e Micotakis, në Kretë, ku kishin biseduar gjatë.  

“Më kujtohet, i ndjeri Rugova ka ngrënë drekë në shtëpinë tonë në Kretë. Gjyshja ime ka gatuar për të. Ata (Mitsotakis e Rugova) kanë diskutuar gjatë. Mendoj që e kanë pëlqyer shumë njëri-tjetrin, sepse tek njëri-tjetri kanë pare një vullnet të fuqishëm për t’i tejkaluar problemet dhe vështirësitë”, është shprehur ai.

Bakoyannis ka thënë se njohja e Mitsotakis dhe Rugovës është një trashëgimi në të cilën mund të bazohen relacionet mes Greqisë dhe Kosovës. Ai ka shprehur konsiderata edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, të cilin eka cilësuar si “personalitet karizmatik”.

“Mendoj që kjo është një trashëgimi në të cilën mund të bazohemi dhe më vjen shumë mirë që jam këtu dhe që do të takohem edhe me kryeministrin tuaj, të premten. Atë (Kurtin) kam pasur kënaqësinë ta takoj edhe para disa muajsh, kur ka qenë në Athinë, në një konferencë. Mua personalisht më ka bërë shumë përshtypje personaliteti karizmatik i tij”, ka thënë Bakoyannis.

Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis, po qëndron në vizitë tri-ditëshe në Kosovë i ftuar nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco