Pandemia Covid-19 ka goditur rënd Kosovën në aspektin ekonomik.
Shumë biznese janë shuar e disa prej tyre mezi mbijetuan, pasi, karantinimi vitin e kaluar dhe mosndihma e duhur nga ana e qeverive që kaluan në këtë periudhë, kanë bërë që situata të rëndohet më shumë.
Por, jo vetëm vendimet e Qeverisë së Kosovës ndikuan drejtpërdrejt te këto biznese. Ishin edhe vendimet e qeverive të shteteve evropiane që kishin ndikim direkt në disa prej bizneseve në vendin tonë.
Një nga to, më të prekurat, janë ‘Rent a car’ apo siç njihen shqip, veturat me qira.
Këtë gjë e ka dëshmuar Mërgim Peci, menaxheri i ‘Rent a car’ ‘EXCLUSIVE’në kryeqytet.
Në një bisedë për Syri.net Kosova, ai tha se biznesi i tij më së shumti varet nga prania e mërgimtarëve të cilët në aeroport marrin veturat me qera.
Peci tregoi edhe për humbjet që kanë pasur këtë vit nga mungesa e kurbetqarëve.
“Pandemia COVID-19 ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mbijetesë për biznesin tonë, pasi që kjo ka ndodhur si shkak i masave kufizuese të shteteve të tjera dhe mungesën e ardhjes së mërgimtareve nga Diaspora. Nga muaji prill 2020 deri në maj 2021 dëmtimet financiare kanë qenë tepër të mëdha pasi që ka pasur rënie prej 70% të qarkullimeve financiare” tha ai.
Po ashtu, menaxheri u shpreh se tashmë për bizneset si i tij ka dritë në fund të tunelit, pasi, vendimi i Zvicrës për moskarantinim për kosovarët dhe lejim udhëtimi, do ta rris frekuentimin e mërgimtarëve të këtij shteti, që do të asociojë edhe me rritje të punës në Kosovë.
“Duke mos dashur që të bëjmë dallime në Diasporën tonë, mund te themi që vendimi i shtetit zviceran është shumë i mirëpritur, pasi, mërgata ka më së shumti ndikim në lëmin e ‘rent a car’. Vendimi i shtetit zviceran për heqjen e karantinimit pas kthimit nga Republika e Kosovës është një lajm shumë i mirëpritur pasi që kjo do të ndikojë shumë në ngritjen e biznesit tonë duke pasur parasysh statistikat e marrjes së veturave me qira nga vitet e kaluara para pandemisë COVID-19” theksoi Peci.
Po ashtu, ai siguroi ata që vijnë nga Diaspora që si ‘Rent a car’ do vazhdojnë që atyre t’u sigurojnë vetura të dezinfektuara dhe të sigurta.
Nga ana tjetër, janë edhe bizneset tjera si ai i dasmave që varen shumë nga mërgimtarët dhe nëse lejimi i tyre bëhet, ky dikaster do shënojë rritje.
© SYRI.net