Osmani: Thyerja e kufirit në Koshare hoqi edhe pengesën emocionale Kosovë - Shqipëri

Osmani: Thyerja e kufirit në Koshare hoqi edhe pengesën emocionale Kosovë - Shqipëri

12:00, 09/04/2021

Nga Vjosa Osmani.

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.

Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.

Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.

Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.

Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!

Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!

Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!

Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!

Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco