Votimi për Presidentin e ri të Kosovës, Kuvendi mblidhet në orën 17:00

Votimi për Presidentin e ri të Kosovës, Kuvendi mblidhet në orën 17:00

08:55, 04/04/2021

Kuvendi i Kosovës do të vijojë edhe sot betejën në përpjekje për të zgjedhur Presidentin e ri,  për shkak të mungesës së kuorumit seancën e një dite më parë, për të shmangur kështu çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se seanca do të nisë në  orën 17:00.

“Në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës seanca do t’i vazhdojë punimet nesër me datën 4 prill 2021 në orën 17:00”, tha ai.

Në seancën e së shtunës u përsërit dy herë raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak të mossigurimit të kuorumit prej 80 votave.

Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Janë tre deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj që nuk kanë marrë pjesë në votimin për të parin e shtetit.

Rikujtojmë që të tre këta deputetë janë ish-bashkëpartiakët e Vjosa Osmanit, tani pretendente për presidente e propozuar nga Vetëvendosjes e që vie.

Ndonëse shkuan në sallën plenare, por deputeti njëherazi dhe ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj bashkë me Bedri Hamza u larguan nga salla kur ishte momenti që të hidhej në votim zgjedhja e presidentit.

Ata që nuk morën pjesë në seancë ishin deputetët e AAK-së, përjashtim, bëri Albena Reshitja. Ajo veçse ishte prezentë në sallë, madje edhe votoi, duke dalë kështu kundër partisë së saj që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Ndërsa Lista Serbe bojkoti seancën për zgjedhjen e presidentit. Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse 80 deputetë nuk marrin pjesë në raundin e parë të votimit për president, atëherë ky raund mund të përsëritet në “pafundësi”, përkatësisht deri më 5 maj, kur skadon mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit.

Pas këtij afati, sipas Cakollit, Konjufca, i cili është ushtrues detyre i presidentit, nuk mund ta mbajë më këtë post, ndërkaq kuvendi dhe qeveria nuk kanë të drejtë që të shpallin zgjedhje, gjë që sipas tij, do ta fuste Kosovën në një krizë të panjohur kushtetuese.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco