Fajtore për përdhunimin?! Krimi që nuk pranohet siç duhet në Ballkanin perëndimor

Fajtore për përdhunimin?! Krimi që nuk pranohet siç duhet në Ballkanin perëndimor

07:28, 03/04/2021

Dënimet me burg prej tre muaj e deri në 15 vjet. Ligjet penale, ligjet e barazisë gjinore, Konventa e Stambollit. Edhe pse ekzistojnë kornizat ligjore dhe ndëshkimet e parashikuara, edhe më tej numri i grave që përballen me një formë të dhunës është një nga katër.

Kodi Penal i Kosovës thotë që “kushdo që e detyron tjetrin për marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e atij personi, do të dënohet me burgim, me kohëzgjatje prej dy deri në dhjetë vjet”.

Në Mal të Zi, edhe pse dënimi me burgim është maksimal, 15 vjet, dënimi mesatar për dhunim është katër vjet e tre muaj. Për veprën penale të përdhunimit, në vitin 2019, në Serbi janë dënuar 25 persona.

Në Bosnjë e Hercegovinë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, gjatë luftës janë dhunuar mbi 20.000 gra, ndërkaq deri më tani janë dënuar vetëm rreth 160 kryerës të kësaj vepre penale. Në shumicën e shteteve, në fokus të krimeve të përdhunimit është forca dhe jo pranimi.

Që nga janari i vitit 2021, aktoret nga Serbia, të cilat raportuan përdhunimin, por edhe rrëfimet e tyre në media, kanë nisur një varg të rrëfimeve anonime të grave në rrjetet sociale. Ato kanë përshkruar traumat nëpër të cilat kaluan, por edhe për atë se pse vendosën të mos raportojnë në polici lidhur me atë që u kishte ndodhur.

Kjo çështje sërish ka marrë vëmendjen e publikut, më 22 mars, pasi që aktorja Daniela Shteinfeld, e akuzoi për përdhunim aktorin Branisllav Lleçiq, politikan ky opozitar dhe ish-ministër i Kulturës në Serbi. Hetimi për këtë rast është duke vazhduar.

“Nëse ai do, është punë e kryer”

Në të gjithë Evropën, kur sillen vendimet gjyqësore në rastet e dhunës seksuale edhe më tej vazhdojnë të zbatohen përkufizimet e vjetëruara dhe të pasakta të përdhunimit.

Sipas UN Woman (OKB Gruaja), kultura e përdhunimit ka forma të ndryshme dhe shkon shumë më larg sesa ideja se “një burrë do të sulmojë një grua përderisa ajo po ecën vetëm natën”. Por, në mënyrë të barabartë nuk përcillet çdo krim i përdhunimit dhe dhunës, sepse ndodh shpesh që përdhunuesit janë dikush që njihen nga viktima dhe nga tronditja dhe frika ajo “stepet”.

Hulumtimi i OSBE-së i vitit 2019, në të cilin kanë marrë pjesë gratë nga Bosnjë e Hercegovina, thotë që dy të tretat e grave konsiderojnë që dhuna ndaj grave në Bosnjë e Hercegovinë është e rëndomtë. Sipas të dhënave nga i njëjti hulumtim, dhuna seksuale konsiderohet si çështje serioze dhe të intevistuarat besojnë që seksi ende konsiderohet si obligim bashkëshortor i një çifti.

“Në qoftë se jam e martuar dhe nuk dua që të bëj seks, kjo nuk ka rëndësi. Në qoftë se ai do, atëherë është punë e kryer”, tha një nga të intervistuarat gjatë hulumtimit.

Seksi pa pëlqim është përdhunim dhe ligjet evropiane duhet ta reflektojnë këtë, ka shkruar gjatë vitit të kaluar, Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, e cila u bëri thirrje vendeve anëtare të ndryshojnë përkufizimin e përdhunimit.

Në një artikull të botuar në EU Observer, ajo shkroi se jo shumë shtete anëtare e marrin seriozisht krimin e përdhunimit, sepse përkufizimet e tyre ligjore nuk bazohen në mungesën e pëlqimit. “Kjo e vendos barrën mbi ata që janë përdhunuar, më së shpeshti gra, se janë viktima".

Në hulumtimin e saj, Amnesty International, gjithashtu thekson se 12 prej 31 vendeve evropiane tash kanë ligje që e definojnë përdhunimin si mungesë e pëlqimit. Është evidentuar përmirësim në krahasim me raportin e vitit 2018, kur shumica dërmuese e shteteve, përfshirë edhe Kroacinë, përdhunimin e kanë definuar me fokus mbi dhunën.

Detyrimin për të bërë seks pa pëlqimin e personit të caktuar, në mënyrë specifike e përmendin në kodet e veta penale Mali i Zi dhe Kosova. Për Bosnjë e Hercegovinën si dhe Serbinë, përdhunimi përcaktohet ende me terma në kuadër të kërcënimit dhe forcës.

Në Bosnjë e Hercegovinë janë në fuqi katër kode penale, varësisht se ku jetohet: në Federatën e Bosnjë e Hrcegovinës, në Republikën Serbe, Qarkun e Bërçkos edhe ligji penal i Bosnjë dhe Hercegovinës, i cili përdhunimin e karakterizon përmes dy neneve, krim kundër njerëzimit dhe krim i luftës kundër popullatës civile.

Dënimet me burgim sillen prej tre muaj deri në 15 vjet

Për shembull, Kodi Penal i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, me përdhunim nënkupton ”kushdo që me përdorimin e forcës ose kërcënimit të sulmit të drejtpërdrejtë mbi jetën ose trupin e tij apo ndonjë akt seksual të barabartë me këtë, do ta dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet”.

Detajet e veprës penale të përdhunimit, më tej theksojnë diapazonin e ndëshkimit në varësi të lëndimeve, moshës së viktimës dhe pasojave.

Në qoftë se vepra penale është bërë veçanërisht në mënyrë mizore, në qoftë se është përsëritur ose ka më shumë kryerës të asaj vepre, dënimi mund të jetë prej tre deri në 15 vjet. Të gjitha pikat e tjera të pjesës së ligjit, që kanë të bëjnë me liritë seksuale dhe moralin, janë të karakterizuara si “marrëdhënie seksuale”.

Në këtë mënyrë, shfrytëzimi i personit të pafuqishëm për marrëdhënie seksuale dënohet me një deri në tetë vjet, keqpërdorimi i pozitës së tij për të nxitur marrëdhënie seksuale dënohet nga tre muaj deri në tre vjet. Detyrimi për të kryer marrëdhënie seksuale, me një kërcënim serioz të “ndonjë të keqe të rëndë” dënohet me tre muaj deri në pesë vjet burgim.

Asnjë prej këtyre përkufizimeve nuk e përmend pëlqimin dhe as nuk karakterizohet më tutje si përdhunim.

Dispozitat janë të ngjashme edhe në Serbi. Për përdhunim është paraparë dënim me burgim prej dy deri në 12 vjet, në qoftë se bëhet fjalë për “detyrim për marrëdhënie seksuale me përdorim të dhunës ose me kërcënim se do të sulmohet jeta ose trupi” i viktimës ose të një personi të afërt me të.

Dënimi më i butë është paraparë në rast se përdhunimi është kryer me kërcënimin se do të zbulohej diçka që do ta dëmtonte imazhin ose nderin e viktimës apo të personit të afërm të tij “ose nën kërcënimin me diçka tjetër të keqe dhe të rëndë”.

Në anën tjetër, Kodi Penal i Kosovës parasheh burgim me kohëzgjatje prej dy deri në dhjetë vjet për këdo që e detyron tjetrin për marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e atij personi. Ngjashëm thotë edhe ligji i Malit të Zi.

Ideja "boys will be boys", gjegjësisht “djemtë do të mbesin djem” nuk është vetëm këngë e Dua Lipës, ndonëse flet për shqetësimet dhe dhunën, por është edhe ide për të cilën nuk do të duhej të befasohemi kur meshkujt janë të ashpër dhe të dhunshëm, sepse këto janë pjesë e katarkterit të tyre.

“Por, çka për rastet kur nuk ka dhunë fizike? Çfarë me rastet kur viktima, thjesht, stepet, paralizohet, jo për shkak të dhunës, por për shkak të frikës ose për shkak se personi që e dhunon është mik ose partner?”, pyet Amnesty International.

Gjthashtu ata theksojnë se të dhënat për numrin e grave të dhunuara në vendet e Bashkimit Evropian janë befasues. Një grua në 12 sosh, është dhunuar pasi që ka mbushur 15 vjet. Kjo i bie që janë nëntë milionë gra.

Përfshirja në kornizën ligjore e faktorit të pëlqimit parashikohet edhe me Konventën e Stambollit. Konventa e Stabollit është marrëveshje ndërkombëtare e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Qëllimi i kësaj konvente është toleranca zero ndaj dhunës. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë miratuar parimet e kësaj konvente.

Turqia, shtet ky qyteti i të cilit është edhe vendi ku është nënshkruar konventa në vitin 2011 dhe e bartë emrin e tij, ka bërë lëvizje të paprecedent më 20 mars të vitit 2021. Atëherë u njoftua se presidenti konservator i shtetit, Recep Tayyip Erdogan, anuloi ratifikimin turk të Konventës.

Dënime të ulëta dhe ende më pak verdikte

Për përdhunim, në Mal të Zi është paraparë dënimi prej një deri në 15 vjet burgim. Por, sipas Aida Muzuroviqit nga Gjykata e Lartë në Podgoricë, gjatë pesë vjetëve të fundit janë zhvilluar 18 procedura gjyqësore për shkak të veprës penale, për të cilën bëhet fjalë, ndërkaq që mestaraja e dënimeve të shqiptuara është katër vjet e tre muaj burg.

Gjatë vitit 2019, në Serbi, janë bërë 73 kallëzime penale për përdhunim. Në 69 raste, kryerësit e veprës janë të njohur, ndërkaq në katër raste bëhej fjalë për kryerës të panjohur. Jan hedhur poshtë 15 kallëzime penale, ndërkaq në gjashtë raste, hetimet janë ndalur. Në 46 raste janë ngritur paditë.

Nga 25 persona, sa janë dënuar për përdhunim, në vitin 2019, në 11 raste dënimi me burgim ka qenë ndërmjet pesë dhe dhjetë vjet.

Në Republikën Serbe, nga viti 2018 e deri në vitin 2020, janë raportuar 36 rase të përdhunimit, prej të cilave gjykatat i kanë konfirmuar 12 padi, tregojnë të dhënat e Transparency International.

Në gjashtë vjetët e fundit, në Kosovë janë evidentuar 225 raste të dhunës seksuale. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kanë ndodhur 58 raste.

Nga Rrjeti i Grave të Kosovës thonë se numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat e moshës prej 13 deri në 16 vjet.

Gjatë vitit 2019, në Kosovë janë zgjidhur 58 raste të dhunës seksuale, prej të cilave 12 raste janë mbyllur me dënim me burgim, tri me gjobë me para, ndërkaq që rastet tjera janë hedhur poshtë ose janë liruar.

Përveç kësaj, në vitin 2014, Kosova miratoi gjithashtu një ligj që ka të bëjë me viktimat e përdhunimeve të luftës, duke u dhënë më shumë se 1.000 personave të drejtën për një pension prej 230 euro.

Besohet se rreth 20.000 persona u keqtrajtuan seksualisht gjatë luftës në Kosovë. Deri më tash, asnjë vendim gjyqësor nuk është bërë i formës së prerë. Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, është gruaja e parë, e cila ka folur për këtë publikisht. Në mesin e muajit mars të këtij viti, ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës. Ajo thotë që prioritete të saj do të jenë drejtësia dhe mbrojtja e viktimave të luftës në Kosovë.

Pse nuk raportohet përdhunimi?

“Nëna ime ma ka fshehur të vërtetën plot 15 vjet, për shkak se ajo i frikësohej reagimit tim, sepse në 15 vjetët e kaluar, ka jetuar në një shoqëri që e gjykonte. Dhe mendimi i parë logjik i saj ka qenë që në rast se të gjithë këta njerëz më kanë gjykuar dhe në këtë mes është rritur edhe Ajna ime, a do ta gjykojnë edhe Ajnën time?”, thotë Ajna Jusiq, e lindur në vitin 1993 si viktimë e përdhunimit të nënës së saj gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Ajo sot është kryetare e shoqatës “Fëmijët e harrur të luftës”, aktiviste, e cila lufton për barazinë gjinore dhe kundër seksizmit dhe dhunës seksuale.

Prej 100 të intervistuarave në Mal të Zi, të cilat e kanë mbijetuar dhunën seksuale, 88 prej tyre nuk kanë bërë kallëzime në institucione. Këtë e tregojnë të dhënat e Studimit për dhunën seksuale ndaj grave dhe fëmijëve në Mal të Zi, në vitin e kaluar. Të dhënat janë të ngjashme edhe nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Azra Berbiq, aktiviste e OJQ-së “Zeroja e mprehtë” nga Bosnjë e Hercegovina, thotë se viktimat e dhunës seksuale, veçanërisht të përdhunimit, në përgjithësi nuk i raportojnë këto krime për shkak të mungesës së mbështetjes sistematike dhe sociale, por edhe nga frika e dënimit nga mjedisi.

“Për shembull, kemi rastin, në të cilin avokati mbrojtës në gjykatë, gjatë dëshmisë së vajzës që ishte viktimë e përdhunimit, e pyeti nëse kishte thonj dhe nëse kishte pse nuk mbrohej. Kjo vetëm tregon se deri në çfarë mase edhe vet sistemi i lejon paragjykimet dhe stereotipet që një grua është gjithmonë përgjegjëse dhe fajtore për përdhunimin. Pikërisht për këtë shkak viktimat heshtin”, konsideron Berbiq.

Edhe për psikologen Sandra Muratoviq, reagimi i rrethit është një faktor i rëndësishëm, për shkak të të cilit gratë nuk e raportojnë dhunën që e përjetojnë.

“Në rast se edhe vet viktima e raporton dhunën dhe për shkak të administratës e të një zinxhiri absurd të përgjegjësisë nga institucioni në institucion, nuk e arrin rezultatin, nuk e kënaq kurrfarë drejtësie. Në qoftë se unë di për dëshmi të tilla, sigurisht që nuk do ta paraqes përvojën time personale”, ka sqaruar ajo.

Çka përmban Konventa e Stambollit?

Por, ka një numër arsyesh pse gratë zgjedhin të mos e raportojnë dhunën ose të presin me vite.

“Trauma i ka fazat e veta. Sado që ne të dëshirojmë që t’i dimë fazat, e gjitha është specifike për secilin prej nesh veç e veç. Pas vet aktit, ndodh një fazë e mohimit. Është një akt mbrojtës dhe e kemi të gjithë, sepse nuk mund ta pranojmë atë që ka ndodhur, kështu që e fusim nën tapet. Me këtë ne e mbrojmë veten dhe nuk duhet të keqinterpretohet që unë nuk dua të raportoj dhunuesin. Thjesht, unë e mbroj veten dhe nevojitet kohë që t’i pranojmë gjërat nëpër të cilat kemi kaluar”, thotë Muratoviq.

Kujt t’i drejtohemi?

Institucioni i parë, të cilit viktima i drejtohet, është më së shpeshti policia.

“Kushdo që e merr deklaratën e parë, duhet të jetë i specializuar për temën e dhunës seksuale, të dijë gjithë çfarë duhet të merret në deklaratën e parë, në mënyrë që ajo t’i shërbejë prokurorisë edhe nëse vepra ka ndodhur aktualisht, si të sigurohen provat forenzike. Ato duhet të jenë të përshtatshme, të kompletuara dhe të plota, sepse nëse nuk merren në atë moment – merr fund, gjurma zhduket”, sqaron Tanja Ignjatoviq, psikologe nga Qendra autonome e grave në Serbi.

Në Kosovë, dhuna mund të raportohet në numrin 192 të Policisë si dhe në numrin 0800-111-112 në Mbrojtësit e Viktimave.

Thirrjet urgjente, në Serbi mund të raportohen në polici në numrin 192, ndërkaq raportimi i dhunës në familje mund të bëhet në numrin e telefonit 0800-100-600.

Linja e telefonit SOS, kundër dhunës ndaj grave, e Qendrës Autonome të Grave është 011 / 266-2222 (gjate ditëve të punës prej orës 10:00 deri në orën 20:00), ndërkaq linja e telefonit SOS kundër trafikimit të grave nga organizata ATSRA është 011 / 785-0000 (në ditët e punës prej orës 09:00 deri në orën 17:00).

Në Bosnjë e Hercegovinë ekzistojnë SOS telefonët në të dy entitetet.

Qendra Gjinore e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës ka vendosur në dispozicion numrin e telefonit SOS 1265, për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Linja SOS 1264 për territorin e Republika Srpska-s, është vendosur në vitin 2005, nga katër organizata joqeveritare dhe Qendra Gjinore e Republika Srpska-s.

Viktimat e dhunës në familje, përfshirë dhunën seksuale, në Malin e Zi mund të kontaktojnë disa numra telefoni për ndihmë: Drejtoria e Policisë – 122; Linja Kombëtare SOS për viktimat e dhunës në familje - 080 111 111; Qendra për të drejtat e grave - 067 166 800; Linja telefonike SOS për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës PG - 020 232 254; 067 805 297; Shtëpia e sigurtë e gruas - 069 013 321 dhe Qendra për iniciativat rome - 067 104 700.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco