Qeveria në detyrë e Hotit emëron Ministrin e ri të Financave, Agim Krasniqin

Qeveria në detyrë e Hotit emëron Ministrin e ri të Financave, Agim Krasniqin

14:50, 24/02/2021

Prishtinë - Agim Krasniqi u emërua sot, Ministër në detyrë i Financave të Kosovë, pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit. Qeveria në detyrë ka emëruar Agim Krasniqin. Lajmin e ka konfirmuar për Kohën vetë Krasniqi.

“Pas lirimit nga detyra të Hykmete Bajramit, kryeministri në detyrë më ka emëruar mua dhe tashmë detyrën e kam marrë”, ka thënë Krasniqi.

Agim Krasniqi deri tani mbante pozitën e zëvendësministrit në këtë ministri. Ndërkohë, për arsye personale, ministrja e deritanishme në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë por jo edhe nga LDK-ja.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami po ashtu ka konfirmuar e ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë. Ajo ka thënë se dorëheqja ka ardhur për arsye personale. Bajrami ka shtuar se nuk ka dhënë dorëheqje edhe nga LDK-ja.

“Po është e vërtetë që me kërkesën time jam liruar nga pozita e ministres në detyrë. Kjo ka ardhur për arsye të miat personale. Por nuk është e vërtetë që kam dhënë dorëheqje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë ajo.

Dorëheqja e Bajramit vjen pas disa dorëheqjeve tjera nga partia. Kjo pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit. LDK-ja në këto zgjedhje doli e treta, ku deri tani ka 13 për qind të votave. Pas këtij rezultati, dorëheqje ka dhënë edhe Kryesia e LDK-së, derisa kjo parti pritet të zgjedh kryesinë e re.

Më pas ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se aktivitetin e saj do ta vazhdojë si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sapo të çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se gjatë kësaj periudhe si udhëheqëse e Ministrisë së Financave, kjo ministri gjatë kësaj kohe ka pasur dhe ende e ka barrën kryesore institucionale për çështjet që ndërlidhjen me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco