Kosovë, 8 të ndaluar për rrahjen e djalit 18-vjeçar të politikanit Nenad Rashiç

Kosovë, 8 të ndaluar për rrahjen e djalit 18-vjeçar të politikanit Nenad Rashiç

06:59, 23/02/2021

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimet e mediave lokale në Kosovë se të hënën në afërsi të një shkolle në Llapnasellë, komuna e Graçanicës, ka ndodhur një rrahje ku janë përfshirë disa persona. Për pasojë, Policia ka shoqëruar tetë të dyshuar në stacionin policor, njofton REL.

Sipas mediave, në këtë incident është rrahur Nikolla Rashiq, djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për këtë rast.

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit është akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejt t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas një komunikate për media të presidencës.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit mund të jetë i organizuar dhe ka të bëjë me veprimtarinë e babait të tij.

“Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, është thënë në reagimin e Kurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco