Kosovë, nesër vendimi mbi ankesat e partive për mosçertifikimin e kandidatëve

Kosovë, nesër vendimi mbi ankesat e partive për mosçertifikimin e kandidatëve

11:31, 25/01/2021

Prishtinë - Paneli Zgjedhor për Ankesat ka bërë të ditur se nesër do të dalë me vendimin lidhur me ankesat që ka pranuar nga partitë politike kundër vendimit të KQZ-së, për mosçertifikim të subjekteve politike dhe kandidateve.

“PZAP-i do t’ju informojë në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do t’i marrë lidhur me apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së për mosçertifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me datë 26 janar 2021”, thuhet njoftimin e PZAP.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor thotë se do të veprojë në përputhje me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat e subjekteve politike për mosçertifikimin e listës së kandidatëve të tyre. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi në një prononcim për KosovaPress.

“KQZ është duke pritur shqyrtimin dhe vendimin e PZAP-së lidhur me ankesat të cilat janë paraqitur në këtë institucion. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së si dhe Gjykatës Supreme”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten nuk çertifikoi listat e kandidatëve për deputetë, listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe disa partive tjera të komuniteteve jo-shumicë. Këto parti të shtunën dorëzuan ankesat e tyre në PZAP.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco