Kosovë, KQZ nuk i çertifikon listat zgjedhore të VV-së, Nismës dhe AAK-së

Kosovë, KQZ nuk i çertifikon listat zgjedhore të VV-së, Nismës dhe AAK-së

08:45, 23/01/2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, njofton REL.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i VV-së, Sami Kurteshi tha se “përpjekja për të ndaluar parti dhe kandidatë të caktuar të dalin në garën e 14 shkurtit, po duket qartë, dhe kjo ka të bëjë me emrin e Albin Kurtit (kryetari i VV-së)”.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t'i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.

Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.

Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për KQZ-në, Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte zëvëndësuar pesë kandidatë, ndërsa Nisma Socialdemokrate 12 kandidatë.

Listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe Listës Srpska janë certifikuar nga ana e KQZ-së.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-së. Periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ai i AAK-së, Ibrahim Selmanaj si dhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Eshref Vishi thanë se do të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës në PZAP, por edhe në Gjykatën Supreme.

Rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2020, ku është thënë se sipas Ligjit për zgjedhje, asnjë person që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes që të ndihmojnë procesin e verifikimit të kandidatëve sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme për zgjedhjet e reja parlamentare.

Subjektet politike, të cilat garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, nuk kanë hequr dorë nga mendësia e krijuar me vite, që në listat e tyre të kenë kandidatë që kanë problem me ligjin, vlerëson njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Kjo e dëshmon se për partitë politike është shumë më shumë me interes që të propozojnë kandidatë qoftë me aktakuza, qoftë që kanë probleme me ligjin, por të cilët në elektorat mund të sjellin vota. Por, në anën tjetër, kjo sjellje e votave, automatikisht ndikon në besimin e publikut, në integritetin e kandidatit dhe të institucioneve, por edhe të vet partisë politike. Në një shtet normal, në një shtet që aspiron të zbatojë standarde minimale të qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, një qasje e tillë do të ishte e papranueshme. Por, në Kosovë, fatkeqësisht kjo është ndërtuar si standard”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 21 janar, Miftaraj.

Njohësi tjetër i çështjeve juridike, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se subjektet politike duhet të veprojnë sipas ligjit që është në fuqi, i cili ndalon kandidimin për të garuar për deputet, të kujdo që në tre vjetët e fundit është i dënuar, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.

Njohësit e çështjeve juridike, shprehin mendimin se edhe në rast se Gjykata Supreme i hedh poshtë ankesat, atëherë këta kandidatë mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco