Zgjedhjet në Kosovë: 47 kandidatë kanë probleme me ligjin

Zgjedhjet në Kosovë: 47 kandidatë kanë probleme me ligjin

13:53, 20/01/2021

Janë 47 kandidatë për deputetë në Kosovënga rreth 1080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Kështu ka bërë të ditur Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

Si rrjedhim, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Çertifikim do të japë ose jo aprovimin për çertifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka pranuar përgjigjet nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme; dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Të gjitha këto institucione janë përgjigjur në kërkesat që kemi pasur për secilën prej tyre, e të cilat i kemi bërë të ditura në konferencën e së hënës, - tha Elezi. - Këto institucione kanë kthyer përgjigje në kërkesën për konfirmim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhjen e KQZ-së. Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim brenda 22 janarit.

Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk çertifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it. Kjo periudhë e ankesave dhe e vendosjes është parashikuar të mbyllet deri më 31 janar. Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletën e votimit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021." 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco