Viktimat më të shumta të dhunës seksuale, vajzat nga 13 deri në 16 vjeçe

Viktimat më të shumta të dhunës seksuale, vajzat nga 13 deri në 16 vjeçe

09:59, 19/01/2021

Kosovë - Në gjashtë vjetët e fundit, në Kosovë kanë ndodhur 225 raste të dhunimeve seksuale, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Vitin e kaluar është raportuar numri më i madh, përkatësisht 58 raste, kurse në vitin 2016 dhe 2017 kanë qenë nga 28 raste. Këto raste në Policinë e Kosovës janë të raportuar si vepra penale në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të kapitullit “Veprat penale kundër integritetit seksual”, njofton REL.

Në bazë të këtij kapitulli, thuhet se personi, me fjalë ose sjellje shpreh mungesë të pajtimit për të kryer aktin seksual ose për të vazhduar atë apo kur pajtimi i viktimës është marrë me mashtrim, frikësim ose me kërcënim.

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës kryhen deri në 120 ekzaminime të rasteve të dyshuara për dhunime seksuale brenda një viti, thotë Arsim Gërxhaliu, drejtor i këtij instituti.

“Mosha e tyre zakonisht është rinore, ndërsa ajo minore e tejkalon 50 përqindëshin brenda vitit, për shkak të abuzimit të fëmijëve apo mashtrimit të tyre”, thotë Gërxhaliu.

Berisha: Viktimat heshtin

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, dyshon se numri mund të jetë më i madh, pasi jo të gjitha viktimat e dhunës seksuale raportojnë rastet tek autoritetet kompetente.

Megjithatë, ajo thotë se numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat nga mosha 13 deri në 16-vjeçare.

“Mendoj se ky është një nga problemet kryesore, sfida e raportimit, ajo stigma që lidhet me të qenurit viktimë e dhunës seksual, presioni social që mund t’i bëhet një vajze të mitur e cila ka mundur të jetë e dhunuar seksualisht. Të gjitha këto mund të ndikojnë që një grua, veçanërisht kur kemi të bëjmë me të miturat, që ato të heshtin dhe mos të raportojnë rastin”, thekson Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Për dhunim seksual deri 15 vjet burg

Në vitin 2019, për veprën penale “dhunime dhe sulme seksuale” janë zgjidhur gjithsej 58 lëndë, nga to 12 dënime me burg dhe tri me gjobë, të tjerat me aktgjykim lirues dhe aktgjykim refuzues, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Për 2020 ende nuk ka të dhëna.

Në Kodin Penal të Kosovës, thuhet se “kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit tjetër, dënohet me burgim prej dy deri në dhjete vjet”.

Ndërsa deri në 15 vjet burg, dënohen personat nëse akti është shoqëruar ose përcjellë nga tortura apo trajtimi çnjerëzor, me armë apo mjete të rrezikshëm; dhe kur kryesi i veprës e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit ose shtatzënisë.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ndërkaq shpreson se institucionet e Kosovës do ta marrin më seriozisht këtë çështje, sidomos pasi shtatorin e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Konventën e Stambollit, duke u bërë atë pjesë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco