Hiqet shtatorja e Adem Jasharit për t'u ripunuar, ajo e Skënderbeut pret komision

Hiqet shtatorja e Adem Jasharit për t'u ripunuar, ajo e Skënderbeut pret komision

07:51, 01/12/2020

Prishtinë –  Reagimet e shumta e fakti se shtatorja e Adem Jasharit është punuar nga një frizer kanë bërë që ajo të mos qëndrojë në Prizren më shumë se tri ditë. Të shtunën u vendos e të martën pritet të largohet nga hapësira e qendrës tregtare “Abi Çarshia”. Porositësit do ta dërgojnë për rimodelim.

Në anën tjetër, për shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu do të themelohet një komision vlerësues. Kësisoj, të dyja shtatoret e inauguruara më 28 nëntor në Prizren janë kontestuar, pos tjerash, edhe nga autoritetet komunale, njofton Koha.net.

Autori i shtatores së Skënderbeut, skulptori e historiani Sinan Aliaj ka këmbëngulur se vepra e tij është paraqitje e një moshe më të re të heroit, duke thënë se secili ka të drejtë të kritikojë. E frizeri gjakovar, Alban Buxhovi, i cili punoi shtatoren e Adem Jasharit të hënën nuk është deklaruar.

Mbrëmjen e së hënës ka reaguar edhe vetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka marrë pjesë në zbulimin e shtatores së Skënderbeut. Ka thënë se Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’u nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik.

Ka sqaruar se shtatorja e Skënderbeut është iniciativë e shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin.

Siç kishte raportuar KOHA, 70 mijë euro është kostoja e projektit për shtatoren që u vendos në rrethrrotullimin e “Ben Af-it”, aty ku parashihet një shesh me emrin e heroit kombëtar, në lokacionin ku guri themeltar qe vendosur në 28 nëntorin e vitit të kaluar. Ishte planifikuar që shtatorja të inaugurohej më 6 maj të këtij viti, në atë për dikë llogaritet si 615-vjetori i lindjes së Skënderbeut.

Haskuka ka thënë se si kryetar i Komunës nuk është autoriteti që vendos për vlerat artistike e as për ato historike.

“Por, dëshiroj t’ju tregoj qytetarëve se ne do të themelojmë një komision për këtë çështje, të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë, nga Kosova apo nga trojet shqiptare, i cili komision do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të”, ka shkruar Haskuka në Facebook. Sipas tij, në bazë të atij raporti këshillimor, do të diskutohet në asamblenë komunale, dhe do të merret vendim për të vepruar, me transparencë të plotë dhe në përputhje me interesin e treguar prej gjithë publikut mbarëkombëtar.

Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ka thënë se në pronë private nuk i takon Komunës që të ndërhyjë, megjithatë, simbolet kombëtare, siç është edhe Adem Jashari, duhet të mbrohen nga shteti edhe për mënyrën e përdorimit në mjediset private.

“Më lejoni të lajmëroj publikun e gjerë se Komuna e Prizrenit tashmë i ka ndarë fondet dhe e ka filluar projektin, për të ndërtuar një monument publik, në një hapësirë publike, për komandantin legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Haskuka.

Këshilltarët e KK-së së Prizrenit më 28 shtator 2018 me shumicë votash patën miratuar vendimin për ndërtimin e bustit të Skënderbeut, si dhe shtatores së Adem Jasharit në Prizren.

Skulptori Sinan Aliaj të hënën ka thënë se nuk është kundër kritikave. Sipas tij, shtatoren secili e sheh sipas këndit të vet dhe vepra e artit është e dedikuar për shoqërinë që secili ta perceptojë në mënyrën e vet. “Nëse popullata jonë e do Skënderbeun e Odhise Paskalit, e kanë. Secili e ka realizuar ashtu si e ka parë madhështinë e tij. Unë jam nisur nga kronistët bashkohës të Skënderbeut. Duhet të kuptojmë se ai ka qenë kalorës. Kalorësi duhet të jetë i lehtë, i shkathët dhe i shpejtë. E kam paraqitur në moshë ushtaraku e mendimtari që ideon një histori të madhe nga një popull i vogël”, ka thënë ai. Ka shtuar se arti është intrigues dhe është mirë që njerëzit të merren me art.

Në anën tjetër, menaxhmenti i “Abi Çarshisë” ka marrë vendim të prerë. “Sipas vendimit të menaxhmentit në konsultim me Bekim Jasharin kemi vendosur që ta dërgojmë në rimodelim përmendoren dhe pastaj ta vendosim prapë këtu. Shpresojmë që do t’iu pëlqejë të gjithëve”, ka thënë zëvendësmenaxherja e kësaj qendre tregtare, Berrina Sharri.

Sipas saj, prej fillimit të procesit e deri në fund ata kanë qenë vazhdimisht në kontakt me Bekim Jasharin, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe djali i vëllait të Adem Jasharit, Hamzës. “Qëllimi ishte nderimi i komandantit legjendar per shkak të fluksit që kemi këtu nga vendi dhe rajoni”, ka thënë ajo.

Të dielën, autori i shtatores së Adem Jasharit, Alban Buxhovi  ishte thënë se ka një arsye se pse vepra e tij u kritikua fort. Sipas tij, në rrjete sociale është shpërndarë një fotografi kur shtatorja nuk ishte e përfunduar.

“Ka qenë pozitë e keqe dhe ishte fillimi kur po i provonim ngjyrat. Kam punuar gati tre muaj aty. I kam hyrë asaj pune me shumë vullnet, sakrificë dhe mund”, kishte thënë ai. Kishte treguar se në kohën e lirë merret me skulptura, pasi është pasionant. “Pas orarit, pasi unë jam frizer, kam punuar shumë në atë shtatore. Është vlerësuar nga porositësit dhe familja Jashari. Kjo është e para që e kam punuar. Origjinal nuk kam munduar ta bëj. Origjinal vetëm Zoti e ka falur”, kishte thënë Buxhovi. Sipas tij, sikur të bëhej fjalë për ndonjë hapësirë publike dhe ndonjë konkurs shtetëror, nuk do t’ia mësynte fare. Kishte thënë se shuma për të cilën është punuar është simbolike.

Reagimet kishin ardhur qysh në ditën e përurimit të të dyja shtatoreve.

Politikanë, shkrimtarë, kritikë, artistë të fushave të ndryshme e anëtarë të shoqërisë civile kishin konstatuar se shtatoret fyejnë rëndë dy heronjtë kombëtarë.

Përderisa Komuna e Prizrenit vlerësimin e shtatores së Skënderbeut ia ka lënë një komisioni profesionistësh, autori i saj insiston se e ka sjellë heroin kombëtar në versionin e tij unik

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco