Mandati i Gjykatës Speciale në Hagë do të zgjasë derisa ta caktojë BE

Mandati i Gjykatës Speciale në Hagë do të zgjasë derisa ta caktojë BE

06:31, 27/11/2020

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara mbi vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.

Në komunikatën e Dhomave të Specializuara shtohet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”, njofton Radio Evropa e Lirë.

Më 25 gusht, ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

“Duke qenë se amendamentet kushtetuese të propozuara sugjerojnë fshirjen nga neni 162(13) dhe (14) i Kushtetutës, të referencës ndaj Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014, Dhoma thekson se referenca në fjalë saktëson se mandati i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së vazhdon deri në përfundimin e proceseve gjyqësore përkatëse. Rrjedhimisht, fshirja e kësaj reference do të pakësonte të drejtat dhe liritë themelore të personave të përfshirë në procese gjyqësore", thuhet në aktgjykim.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës lidhur me kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të kësaj gjykate, i jep fund iniciativës së Thaçit.

"Ky vendim i sotëm e mbyll atë çështje", thotë Hasani, duke shtuar se dërgimi i kërkesës së Thaçit për amendamentimin e Kushtetutës në Kuvend tashmë është i panevojshëm.

"Ata mund të shkojnë politikisht, por juridikisht me këtë është mbyllur çdo gjë sa i takon mandatit. Është sqaruar se ka mandat dhe është ditur ky verdikt", shton Hasani.

Ai thotë se në aspektin juridik, vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka asnjë gjë të paqenë.

Në shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara, duke kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian nga 2014, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i njoftojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë.

Sipas amendamentit ekzistues të Kushtetut?s lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit t? Specializuar, një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Ndryshe, në javën e parë të nëntorit të vitit 2020, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke i ngarkuar ata për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco