Përplasjet Kosovë – Serbi rreth vizitave të ndërsjella, reagon BE

Përplasjet Kosovë – Serbi rreth vizitave të ndërsjella, reagon BE

16:46, 26/11/2020

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të respektojnë marrëveshjen për vizitat e ndërsjella zyrtare, ndërsa tërhoqi vërejtjen së mosrespektimi i saj dëmton përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Ai i bëri këto komente në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, pasi që ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj tha se nuk do të lejohen vizitat e zyrtarëve serbë, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, derisa nuk kërkon ndjesë për gjenocidin kundër popullatës së Kosovës”.

Javën e kaluar ministrja Haradinaj nuk dha leje për një vizitë të një delegacioni serb në Kosovë ndërsa ritheksoi se “nuk ka leje për ju për vizita në Kosovë përderisa nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë, dhe përderisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e atij gjenocidi”.

Reagimi i saj pasoi vizitën e presidentit serb Vuçiç në një spital në Batajnicë afër Beogradit, ku është gjetur një varrezë masive me trupat e 744 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Varreza të tilla janë gjetur në disa zona në Serbi kur forcat serbe kishin dërguar trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në kuadër të operacioneve për fshehjen e gjurmëve të mizorive të tyre në Kosovë.

Javën e kaluar në Kizhevak në jugperëndim të Serbisë është gjetur një vazrrezë e dyshuar ku besohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Ministrja Haradinaj kishte kërkuar të vizitojë zonën.

"Ata donin të dërgonin Ministren e Punëve të Jashtme, e cila donte ta bënte një shfaqje politike në komunën e Rashkës. Ne u thamë atyre se, kjo ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin. Meqenëse na dërguan një letër, ne u dërguam atyre një letër. Nuk kemi asgjë për të fshehur", tha ndërkaq presidenti serb Vuçiç.

I dërguari evropian, Laçak, në letrën dërguar kryeministrit të Kosovës thekson se mosrespektimi i marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, “dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e bisedimeve” dhe dëmtojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Hoti tha të enjten se ka marrë letrën e zotit Lajçak, ndërsa nënvizoi se Kosova respekton marrëveshjet dhe është në favor të lëvizjes së lirë. “Çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë ë situatës nëpër të cilën po kalojmë”, tha ai.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara. Beogradi refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 por është përfshirë në një proces të gjatë bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco